Lufta e klasave në hava

Postuar në 21 Nëntor, 2021 17:13

Këto ditë ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion”, Lea Ypi. E cila prezantohet si profesore, akademike në London School of Economics dhe si person që mban një diplomë nga La Sapienza. Kredenciale këto shumë autoritare në vetvete nëse merr parasysh kompleksin e shoqërisë ku jetojmë.

Në këtë intervistë zonja Ypi, pasardhëse e një familjeje të njohur nga Kolonja dhe bijë siç thotë e një babai me pikëpamje të majta, madje simpatizant i Brigadave të Kuqe, flet ndër të tjera edhe për Luftën e Klasave. Që në parim ishte një postulim teorik dhe politikë, në thelb destrukturuese, me tipare represive, synimi i së cilës ishte homogjenizimi social për të asgjësuar kështu premisën bazë të kontradiktave antagoniste siç quheshin asokohe.

Në këtë shfaqje të vetën, zonja Ypi thotë që ishte rritur me idenë e luftës së klasave, sepse po sipas saj e kishte përpirë atë në shkollë, ndërkohë që nuk kishte kuptuar fare gjatë gjithë kësaj kohe se ajo i përkiste një klase e cila ishte në fakt subjekti i të gjithë ligjërimit ideologjik të asaj kohe.

Disi e çuditshme në fakt ky lloj izolimi hermetik edhe nga memoria e familjes, sikundër është i papritur edhe komenti se “në shkollë mësohej lufta e klasave”. Zonja sipas Wikipedias është e datëlindjes 1979 dhe në vitin 1990, kur siç thotë bëri zbulimin e madh se kishte qenë armiku i klasës ndërkohë që jetonte në virtualitetin e një narrative në të cilën e perceptonte veten si në anën e mirë të historisë, ajo ishte 11 vjeç.

Tani ne kemi qenë vetë në shkollë në atë kohë dhe të paktën në 8-vjeçare nuk mësohej lufta e klasave në formën siç e prezanton zonja. Në shkollë të mesme po, niste përpunimi teorik nëse mund të themi, me tekste të dedikuara etj., por para saj, edukimi ideologjik kishte forma të tjera. Është e vështirë që një fëmijë 11 vjeç në atë kohë të ketë patur njohur të mira për nocione si ky i luftës së klasave, sidomos kur jeton nën idenë komode se nuk ke të bësh fare me të si viktimë apo shënjestër.

Këtu problemi është jo se zonja në fjalë këput ca komente që as besohen se mund të lëshohen nga një profesore, por te fakti i mungesës së seriozitetit me historinë tonë. Zonja është me fat që nuk e ka hequr në lëkurë se çfarë do të thoshte luftë e klasave në versionin shqiptar, por kjo nuk i jep kujt të drejtë që nuancat e kujtesës personale t’I qarkullojë për të vërteta historike.

Intervista vazhdon me ndërhyrjen e moderatorit Feviziu që thotë se regjimi i Hoxhës kishte si kriter për luftë klasash mirëqenien materiale dhe origjinën, por jo ideologjinë. Një tjetër e pavërtetë kjo, pasi siç dihet në mesin e viteve ’60, regjimi i Enver Hoxhës mbaroi punë edhe biologjikisht me ato që i quante klasa të përmbysura dhe e orientoi goditjen në sens klasor në Partinë e Punës dhe tek e majta, për të cilën përpilonte rregullisht të dhëna statistikore për përbërjen klasore të saj.

Sistemi i biografisë që u fut në atë kohë, në të vërtetë pak kishte të bënte me klasat e së shkuarës, por prezantoi brenda radhëve të komunistëve një mekanizëm kontrolli dhe solidariteti fanatik që synonte përqendrimin në një narrativë ekskluzive politike.

Si mund të besohen atëherë këto që thotë zonja e cila ka prekur nga regjimi thuajse asgjë, veç ca kujtimeve personale? Si mundet vallë që në një vend ku shpallet me të madhe se ka përjetuar diktaturën më të egër, nuk u shkruajt njëherë seriozisht për atë periudhë? Si mundet që të reduktohet një sistem aq kompleks kontrolli në një tregim dhune dhe vrasjesh, kur e vërteta është se përtej këtyre dy elementëve padyshim realë dhe tragjikë, qëndronte diçka tjetër?

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.