Apokalipsi i Luftës së Ftohtë, dalin në dritë kryeveprat e Oskar Kokoschka-s
Bashkëkohës i Gustav Klimt dhe Egon Schiele, Oskar Kokoschka është një emër pothuajse i panjohur në shekullin e XXI. I lindur në Pöchlarn, afër Vjenës, në 1886, ai fitoi famë si piktor dhe dramaturg ekspresionist, me një sy të mprehtë për historitë e errëta. Në rininë e hershme, Kokoschka ka punuar me vite të tëra krah Klimt dhe Schiele, por me kalimin e viteve ra në harresë. Të paktën deri tani.
Këtë muaj, në Londër është rihapur Galeria Courtauld, pas një restaurimi tre-vjeçar, raporton BBC. Mes veprave të ekspozuara janë edhe ato të Kokoshchka-s. Saga e Prometeut ose Triptiku i Prometeut përbëhet nga tre kanavaca që shtrihen në më shumë se tetë metra gjerësi, të mbushura me skena shumëngjyrëshe, por me skena të tmerrshme të apokalipsit dhe dënimit të përjetshëm, të frymëzuara nga pasazhe biblike dhe mitologjia greke. Të kufizuara në ruajtje për më shumë se një dekadë, pikturave tani u është dhënë hapësira e merituar në galerinë e sapo rinovuar të shekullit XX.
Galeria në fjalë mban emrin e industrialistit dhe koleksionistit Samuel Courtauld, veprat e të cilit përbëjnë bazën e koleksionit.
Galeria Courtauld njihet për pikturat e saj impresioniste dhe post-impresioniste – duke përfshirë ato të Monet, Manet, Cézanne dhe Renoir – si dhe veprat e hershme të Mesjetës dhe të Rilindjes.
Megjithatë, pas rinovimit të galerisë, shumë prej veprave më pak të njohura, veçanërisht ato që datojnë në shekullin XX, po vendosen në qendër të vëmendjes.
Figura e Prometeut është parë në letërsi si mishërimi i dëshirës për të kapërcyer kufijtë natyrorë të njerëzimit dhe për të sfiduar perënditë. Por Prometeu i Kokoschkës flet më shumë për rreziqet që njerëzimi po i sillte vetes në prag të Luftës së Dytë Botërore duke zhvilluar armë gjithnjë e më të sofistikuara. Kërcënimi bërthamor i Luftës së Ftohtë e bëri realitet perspektivën e një apokalipsi. Pasi Prometeu u lidh me zinxhir në shkëmb, Epoka e Artë – në të cilën njerëzit jetonin në komunikim të rregullt me perënditë dhe kishin gjithçka që u nevojitej pa pasur nevojë të punonin për të – kishte mbaruar. Realiteti i vrazhdë i varfërisë, sëmundjeve dhe mundimit më pas u bë fati i njeriut. Zotat nuk ishin më në krah të të vdekshmëve. Kokoschka mund të ketë vënë re se ardhja e "të keqes", për të cilën kishin folur poetët e lashtë, kakos në greqisht, jo larg emrit të tij, mund të ishte pranë.
Si artist, Kokoschka ndjeu përgjegjësi morale të lëshonte një paralajmërim përmes këtyre pikturave për të mos u lidhur me çështjet mbi të cilat nuk mund të kemi kontroll të plotë. Ankthet e epokës së Luftës së Ftohtë e detyruan atë të mësonte t’i rrinte larg lojës me zjarrin. Kokoschka pësoi lëndime të rënda në kokë dhe në mushkëri ndërsa luftonte në Frontin Lindor në Luftën e Parë Botërore. Dekada më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, ai e kuptoi se e ardhmja e botës ishte ende e pasigurt dhe se peizazhi kulturor ishte nën kërcënimin e shkatërrimit nga ideologjitë e rrezikshme.
Bashkëkohësit e Kokoschka-s, Klimt dhe Schiele humbën jetën gjatë epidemisë së gripit spanjoll që përfshiu Evropën në fund të Luftës së Parë Botërore. Megjithëse Kokoschka u arratis, ai i mbajti plagët e luftës nëpër Evropë gjatë viteve 1920, derisa problemet financiare e detyruan të kthehej në Vjenë në vitin 1931. Më pas ai u transferua në Pragë dhe ra në dashuri me Olgën, që do të bëhej gruaja e tij e ardhshme. Gjatë regjimit nazist, ai e gjeti veten në listën e “artistëve të degjeneruar” dhe u largua për një Angli. Pasi mori shtetësinë britanike në 1947, ai u largua për t’u vendosur përfundimisht në Villeneuve, afër Gjenevës, ku filloi të jepte mësim në Internationale Sommer Akademie für Bildenden Künste. Kokoschka vdiq më 22 shkurt 1980, në Montreux, Zvicër.
Add new comment