Një stacion greko-italian për të monitoruar vullkanin e Santorinit

Postuar në 08 Nëntor, 2021 17:11

Gjeologët italianë dhe ata grekë janë bashkuar për të krijuar një stacion që do të monitorojë aktivitetin e vullkanit të Santorinit. Në projekt janë përfshirë studiuesit e Hellenic Survey of Geology and Mineral Exploration (HSGME) dhe Instituti për Studimin dhe Monitorimin e Vullkanit të Santorinit (ISMOSAV) si edhe kolegët e tyre italianë nga Universiteti i Firences dhe Këshilli Kombëtar i Kërkimeve të Italisë.

Stacioni i ri i monitorimit gjeotermik do të regjistrojë dhe përcjellë vazhdimisht leximet e temperaturës nga tre pika në sipërfaqe dhe fumarolet (zonat nga del tym) në majën e Nea Kamenit, raporton keeptalkinggreece. Tre pikat shtrihen në 30 metra gjatësi në lindje të fumarolës bazë dhe monitorohen për të zbuluar ndryshimet e mundshme në gjendjen termike të vullkanit.

Shkencëtarët gjithashtu mblodhën dhe analizuan mostra të lëngjeve të nxehta të emetuara në fumarole për të përcaktuar vetitë e tyre fizike dhe kimike në katër pika. Mostrat janë menduar të merren në intervale të paktën një herë në vit, por kjo nuk ishte e mundur në vitin 2020 për shkak të kufizimeve të pandemisë.

Mostrat janë analizuar në laboratorët në Itali dhe vlerat krahasohen me ato të viteve të mëparshme për të përcaktuar nëse vullkani vijon të jetë në gjendje të fjetur.

Matjet e tjera të marra përfshijnë sasinë e dioksidit të karbonit të emetuar nga sipërfaqja në zonat ku dy vullkanet – Nea Kameni dhe Kolombo – kanë linja aktive vullkano-tektonike. Këto matje merren gjithashtu çdo vit për të monitoruar statusin e aktivitetit të vullkaneve.

Gjithashtu, gjendja termike e të gjithë zonës në majën e Nea Kamenit është regjistruar duke përdorur një kamerë infra të kuqe. Të gjitha matjet treguan se vullkani mbetet i fjetur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.