Leksione seksi nga murgjit e Butanit
Një grup murgjish që ndjekin me vëmendje instruktorin teksa shpjegon përdorimin e ... prezervativit. Përshkrimi ngjan deri diku i pamundur, por në Trashiyangtse, një zonë në lindje të Butanit, është realitet. Murgjit e manastirit atje janë ndër qindra që mësojnë edukatën seksuale në mbretërinë budiste të Himalajave. Kjo praktikë është një gjë e rrallë midis vendeve të tjera budiste të Azisë Jugore si Sri Lanka dhe Myanmar, ku programet e edukimit seksual në kurrikulat shkollore janë përballur me reagime të kundërta nga grupet monastike.
“Në shumicën e manastireve, ka murgj të paarsimuar, kështu që ata nuk dinë asgjë për edukimin seksual apo për tema të tilla si masturbimi, edhe pse disa janë të kënaqur me të,” thotë për VICE Choki Gyeltshen, një murg nga manastiri Thimphu Gonpa në Butan.
Ndërsa programi mësimor përparoi, Gyeltshen vuri re një ndryshim në qëndrim midis murgjve të tjerë. “Para leksioneve, disa thoshin se masturbimi është mëkat, por tani ata kanë mësuar se nuk është kështu.”
Dikur një temë e sikletshme, edukimi seksual është institucionalizuar në manastiret budiste dhe kuvendet e murgeshave në vend që prej vitit 2014.
Kurrikula mbulon të gjitha aspektet e edukimit seksual duke filluar nga masturbimi, pëlqimi seksual, menstruacionet, kontracepsioni dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
Më shumë se 350 drejtues të institucioneve manastire dhe 1500 murgesha, shumë prej të cilave janë betuar për abstinencë, kanë marrë leksione dhe po ua kalojnë njohuritë e tyre komuniteteve ku edukimi seksual është i pakët.
“Seksi shihej si diçka e keqe, por tani, ne kemi ardhur në një fazë ku ne besojmë se seksi duhet të praktikohet në mënyrë të sigurt dhe se ne duhet t'i këshillojmë fëmijët tanë se si ta bëjnë, në vend që t’u themi se është tabu dhe të mos u japim atyre njohuritë adekuate”, thotë Lam Ngodup Dorji, murg i vjetër nga Qendra Budiste Longchenpa.
Programi mbështetet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) në një iniciativë për të përhapur ndërgjegjësimin për shëndetin seksual dhe riprodhues në vend. Ai ka rezultuar i suksesshëm në transformimin e qasjes së palëkundur në lidhje me seksin dhe seksualitetin.
Kurrikula e edukimit seksual synon gjithashtu të adresojë nevojat e paplotësuara të shëndetit seksual të vetë murgjve dhe murgeshave të reja, shumë prej të cilëve nuk kanë ndonjë edukim formal.
“Sidomos në institucionet e manastirit, masturbimi ndodh por në mënyrë shunë të fshehtë. Ata nuk do të flisnin fare për këtë, por tani janë rehat dhe madje bëjnë pyetje nëse dekurajohet apo jo nga ana mjekësore”, thotë Jigme Choden, konsulente e UNFPA.
Murgjit ia atribuojnë pranimin e edukimit seksual nënës mbretëreshë të Butanit, Gyalyum Sangay Choden Ëangchuck, e cila ishte në ballë të betejës për të drejtat e shëndetit riprodhues për dy dekada dhe përfshiu grupe fetare, si dhe organizata ushtarake dhe qeveritare në aktivitetet e planifikimit familjar dhe fushatat e ndërgjegjësimit për HIV/AIDS. Në vitet '90, përpjekjet e saj mbrojtëse kontribuan që shefi fetar i Butanit të pranonte se kontracepsioni nuk është kundër parimeve budiste. Deri në vitin 2018, normat e përdorimit të kontracepsionit në vend pothuajse ishin më shumë se dyfishuar.
Situata në Butan është në kontrast me disa vende të tjera të Azisë Jugore, ku qarqet monastike budiste kanë kundërshtuar aksionet për të përmirësuar edukimin seksual në publik.
Në Sri Lanka, qasja ndaj edukimit mbi shëndetin dhe riprodhimin seksuale është kultivuar rreth abstinencës.
Ngjashëm, në Mianmar, plani i qeverisë për të futur edukimin seksual në kurrikulën shkollore u anulua pasi disa murgj budistë dolën kundër.
Tema u konsiderua "e turpshme" dhe "në shkelje të traditës së Mianmarit" nga murgjit nacionalistë. Një mjek 31-vjeçar madje u arrestua në maj 2020 për kritikat e murgjve në mediat sociale.
Add new comment