"Halli" i Macron me dënimin kapital
Presidenti Emmanuel Macron deklaroi së fundmi se Franca do të përdorë presidencën e saj në BE, e cila nis në janar, për të nxitur heqjen e dënimit me vdekje në të gjithë botën. Kjo deklaratë ka ngritur disa pikëpyetje, të cilat nisen nga qasja e Francës në lidhje me dënimin kapital dhe pozicioni i saj në politikën botërore.
Pse e kërkon Macron heqjen përfundimtare të këtij dënimi? Vetë Franca ishte vendi i fundit në Evropën Perëndimore që hoqi dënimin me vdekje. Gjermania Perëndimore e shfuqizoi atë në 1949, Britania në 1965, ndërsa Franca priti edhe pothuajse dy dekada të tjera, deri në vitin 1981. Njeriu i fundit u vu nën gijotinë në Francë në vitin 1977.
Koha kur Marcon e ngre këtë ide përkon me 40-vjetorin e heqjes së dënimit kapital në Francë. Por në BE, asnjë nga vendet nuk e ka në fuqi dënimin me vdekje, kështu që objektivi i Macron është një hapësirë përtej BE-së.
Paul A. Nuttal, historian dhe ish-anëtar i PE në vitet 2009-2019, argumenton në një shkrim të botuar nga RT, se Macron do të dështojë me idenë e re.
Macron nuk do të arrijë askund me këtë marifet. Në të vërtetë, nuk janë vetëm diktaturat ato që e kanë ende në fuqi dënimin kapital. Këtë të fundit e kanë edhe disa nga vendet më me ndikim në planet.
Për shembull, Kina dhe India, të cilat parashikohen të jenë ekonomitë më të mëdha në botë nga mesi i këtij shekulli, e kanë ende dënimin me vdekje. Po kështu edhe Japonia, e cila është një demokraci plotësisht funksionale.
Për më tepër, 27 shtete në Shtetet e Bashkuara e kanë ende dënimin me vdekje. Tani, duke pasur parasysh se ditët e perandorive koloniale kanë kaluar prej kohësh, unë dyshoj se amerikanët nuk do të kenë mirësinë të ligjërohen nga ish-sundimtarët e tyre kolonialë.
Arsyet e këtij “investimi” të ri të Macron, Nuttal i lidh me zgjedhjet presidenciale në Francë, por edhe me politikën europiane. Sipas tij, Macron është në kërkim të një kauze që do t’i forconte atij imazhin në skenën ndërkombëtare.
Ai po përballet me zgjedhje të vështira presidenciale në 2022, dhe dëshiron të shihet si i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai qartazi ka ambicie për të zëvendësuar Angela Merkelin si figurë qendrore në Bashkimin Evropian. Në të vërtetë, si Napoleoni dhe udhëheqësit më të fundit në të kaluarën e Francës, ai dëshiron që bota ta shohë atë si udhëheqësin e vërtetë të Evropë.
Parashikimi për progresin e idesë së re të Macron nuk është pozitiv.
Nëse ai e ndjek këtë ide, është i dënuar të dështojë. Ai, potencialisht, mund të turpërohet sërish në skenën ndërkombëtare kur shumë shtete i thonë që t’u rrijë larg çështjeve të tyre të brendshme. Dhe kjo nuk do t’i vijë për shtat imazhit të zotit Macron, veçanërisht duke pasur parasysh se ai u shfaq i zënë në befasi në rastin e marrëveshjes ushtarake mes SHBA, Britanisë dhe Australisë, që nxori jashtë Francën. Dhe cilat do të jenë sanksionet kur vendet që e kanë ende dënimin me vdekje t’i thonë Macronit të mos merret me këtë çështje? A do ta ndalojnë francezët shitjen e armëve Arabisë Saudite? Unë mendoj se të gjithë e dimë përgjigjen, veçanërisht duke pasur parasysh se është një industri shumë miliardë dollarëshe. Nuk do të ketë sanksione sepse flitet për para.
Add new comment