Kundër deformimit dhe deformuesve të fakteve për situatën në Kosovë*
Kundër deformimit të fakteve: disa shënime për marrëveshjen e sotme mbi targat, FSK-në që s’shkon në veri, mbi gazsjellësin TAP, predikimet e çuditshme europiane dhe “komunikimin çernobilian” të një pjese të qeverisë. Lexim të këndshëm!
■ Policia Speciale e Kosovës kthehet në veri të vendit në atë çast që ka nevojë për të. Nuk e ka të ndaluar. Por të ndaluar shkuarjen në veri e ka FSK, pra armata e Kosovës. Sipas një marrëveshjeje që H. Thaçi e ka bërë më 2013 me shefin e atëhershëm të NATO-s. Kjo marrëveshje, sipas shefit aktual të NATO-s, është ende në fuqi. Ata që sot mllefosen në lidhje me tërheqjen e policisë, as gojën nuk e kanë çelur kur kryeministri i Kosovës H. Thaçi ia ka ngrit kufirin FSK-së në lumin Ibër. As sot nuk folën për këtë marrëveshje.
■ Me shumë dëshirë për të deformuar të vërtetën mund të thuhet se me marrëveshjen e sotme u barazuan policët e Kosovës me ngritësit e barrikadave. Kjo është qesharake. Arsyeja pse u dërguan forcat speciale në veri ishte zbatimi i një vendimi që mori qeveria. Ndërkohë arsyet e dërgimit të policisë speciale atje kanë pushuar për shkak se është arritur një marrëveshje në Bruksel. Marrëveshja sigurisht nuk është ideale, por gjithsesi është një hap përpara në krahasim me llumin që kanë lënë pas qeveritë e deritanishme.
■ Diplomati amerikan Gabriel Escobar i dha përkrahje qeverisë në lidhje me reciprocitetin. Ai tha: “Është e drejtë e qeverisë së Kosovës për të aplikuar reciprocitet. Implementimi aktual na zuri shumicën prej nesh në befasi, por kjo do të ndodhte. Dhe jam i lumtur që ishim në gjendje të ulnim tensionet”.
■ Njësia policore kosovare në të kaluarën është dërguar në veri dhe është kthyer me një polic të vrarë. Vrasësit nuk janë kapur kurrë. Është dërguar në Mitrovicë njësia elite e policisë për të arrestuar Marko Gjuriqin dhe pas një shou prej disa orësh Gjuriqin e kanë dërguar në kufi në Merdar, ku i qetë ka dalë në Serbi. Pa therë në këmbë. Ai do të duhej të dilte para drejtësisë për shkak të hyrjes ilegale në Kosovë, sepse për atë shkak u arrestua.
■ Në të kaluarën krerë të Listës Serbe dhe të nëntokës serbe të veriut janë takuar me politikanë të Kosovës nëpër jahte, në kafehane të Prishtinës dhe në kabinete të administratës shtetërore.
■ Pasi që marrëveshja për targat nuk është ideale, ajo është e përkohshme dhe gjatë kësaj kohe (6 muaj) duhet të gjendet një zgjidhje “në bazë të standardeve europiane dhe praktikave”. Mund të merret me mend cilat janë standardet europiane. Presidenti serb po duket pak më realist se kacagjelat e çarshisë politike të Prishtinës. A. Vuçiq tha: “Njëra ndër mangësitë e marrëveshjes është se në 6 muajt e ardhshëm do të vijë një zgjidhje supozoj e rëndë”. Ai po e di se çfarë e pret. E nëse nuk gjendet zgjidhje brenda 6 muajsh, në rastin më të keq gjendja eskalon sërish në maj 2022.
■ A i hap rrugë kjo marrëveshje negociatave për bashkësinë e komunave serbe? Përgjigjen për këtë e ka dhënë diplomati amerikan Matthew Palmer. Madje në latinisht: “Pacta sunt servanda”. Domethënë: marrëveshjet duhet të zbatohen. Marrëveshjen për asociacionin e kanë nënshkruar qeveritë dhe e kanë mbrojtur qeveritë e kaluara. Në 23 pika kjo marrëveshje është shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. 23 pikë! Vetëvendosje e ka kundërshtuar marrëveshjen për asociacion. A do të ketë fuqi VV ta kundërshtojë edhe tani që është në pushtet? Është për të dyshuar. Kundërshtimi do të nënkuptonte acarimin e raporteve me aleatët perëndimorë. E do këtë opozita? VV mund të kritikohet për popullizëm sa ishte në opozitë. Për shembull më 2016 një nënkryetare e VV-së thoshte se marrëveshja e atëhershme për mbuliminn e targave është e turpshme. Me siguri kështu kanë menduar edhe shumë të tjerë në VV, por kur je në pushtet, përballja me realitetin e trashëguar ta mbyt pothuaj çdo damar opozitar. Por një gjë është e qartë: asociacionin e komunave serbe Kosova e ka “dhuratë” nga PDK dhe LDK, të cilat nuk janë penduar për këtë. Në PDK ka deputetë që paralajmërojnë se do ta mbështesnin qeverinë në lidhje me asociacionin, me kusht që Serbia të pranojë Kosovën si shtet.
■ Është e çuditshme se si shumica e atyre që bëjnë zhurmë për marrëveshjen (joideale) për targat, kanë qëndruar kryesisht të heshtur kur policia serbe qytetarët e Kosovës i ka detyruar të heqin targat në kufi me Serbinë. Në të vërtetë nuk është fare e çuditshme. Disa mllefin e kanë sipas motit politik. Kur punëdhënësit nuk janë në pushtet, atëherë çdo gjë që bëjnë ata që janë në pushtet me automatizëm është keq.
■ Kosova ka pranuar në të kaluarën që qytetarët e Kosovës në kufi me Serbinë nuk guxojnë të tregojnë pasaportën e Kosovës. Nga terrori burokratik serb janë të goditur edhe shtetasit e Shqipërisë (dhe të shteteve të tjera). Për shembull: nëse shtetasi i Shqipërisë ka në pasaportë një vulë të pikëkalimit kufitar të Kosovës, policia serbe nuk e lë të hyjë në Serbi. Ok, tani është i lejuar udhëtimi me letërnjoftim, por prapë diskriminimi i atyre që udhëtojnë me pasaportë mbetet.
■ Për ata që janë tepër të “shqetësuar” pse në kufi me Serbinë do të vendoset KFOR-i. Sepse KFOR-i ka mandat të lëvizë kudo në Kosovë dhe të garantojë sigurinë në çdo cep të Kosovës. Pas qetësimit të situatës KFOR-i kthehet në pozicionet e veta. Në kufi mbesin policët kufitarë të Kosovës. Si deri më tani.
■ Tash dy çështje që lidhen me qeverinë. Gazsjellësi transadriatik TAP: qeveria ka dështuar këmbë e krye në informimin e opinionit pse është kundër këtij projekti apo pse është skeptike. Një deputete e koalicionit qeveritar tha qeveria nuk është kundër, por projekti nuk do të ndiqet për shkak të implikimeve buxhetore sivjet, e ndoshta do të rikthehet në shqyrtim vitin tjetër. Cila është e vërteta? E patolerueshme dhe shqetësuese sa i përket nivelit të mendjelehtësisë është deklarata e një zëvendëskryeministri se përmes TAP-it bartet “gaz rus”. Kjo nuk është e vërtetë dhe mjaftojnë 5 sekonda hulumtim në google për ta kuptuar këtë. A mos u keqcitua pushtetari? Duket se jo. TAP ka rëndësi gjeostrategjike për shkak se synon të ulë varësinë e vendeve europiane nga gazi rus. Çështja tjetër ka të bëjë me komunikimin me publikun: kur ministrat shpeshherë detyrohen që pas pak orësh të sqarojnë deklaratat e tyre (“jo nuk kam menduar kështu, por ashtu”), atëherë kjo tregon se ekziston një problem serioz sa i përket komunikimit me opinionin. Pra, kemi një “komunikim çernobilian”.
■ Edhe diçka për gazsjellësin TAP: një europarlamentare e gjelbër gjermane, Viola von Cramon, në Twitter kishte shprehur entuziazmin e saj për stopimin e projektit për kyçjen e Kosovës në TAP. Kjo qenka mirë për ambient, tha ajo. Ndoshta. Sepse qeveria e Kosovës nuk e ka njoftuar opinionin për implikimet eventuale ambientale. Por Gjermania bashkë me Gazpromin rus sapo ka ndërtuar një gazsjellës të ri, Nord Stream 2, i cili në të ardhmen pritet të sjellë për çdo vit nga Rusia në Gjermani 55 miliardë kubikmetra gaz. Vetëm në 7 muajt e parë të këtij viti Gjermania përmes gazsjellësit Nord Stream 1 ka marrë 33,7 miliardë kubikmetra gaz. Më 2020 rreth 70 miliardë kubikmetra gaz janë pompuar nga Rusia përmes Ukrainës drejt Europës. Me fjalë të tjera: lehtë është t’i jepen leksione Kosovës, e vetë të veprohet krejt ndryshe. Ose qysh thonë gjermanët: prediko ujë për të tjerët e pi verë për vete!
Marrë nga profili në Facebook i autorit
*Titulli është i ResPublica
Add new comment