Gjermania del publikisht kundër nismës "Ballkani i Hapur"

Postuar në 12 Shtator, 2021 13:10

Sekretari i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, Miguel Berger, e sheh nismën e liderëve të rajonit për Ballkanin e Hapur si alternativë që nuk përfaqëson qytetarët. Në një intervistë për DW, Berger thotë se nisma të tilla janë zgjidhje të përkohshme, ndërsa thekson se e vetmja alternativë e sigurt mbetet Tregu i Përbashkët Rajonal.

Qeveria Federale e sheh të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE. Zgjidhjet e përkohshme që po propozohen nuk janë alternativa të vërteta dhe nuk kërkohen as nga qeveritë dhe as nga qytetarët e rajonit. Në të njëjtën kohë, ne shohim potencial të madh për rajonin, me anë të zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal. Përparimi në këtë fushë, siç është sidomos zhvillimi i Tregut të Përbashkët Rajonal deri në vitin 2024, e mbështet rrugën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së

Duke theksuar peshën e Procesit të Berlinit, përmes të cilit Gjermania mbështet integrimin e rajonit në BE, Berger kujton mbështetjen ekonomike të dhënë sidomos gjatë periudhës së pandemisë.   

Procesi i Berlinit, i iniciuar nga Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014, për të promovuar bashkëpunimin rajonal duhet parë si një mbështetës i procesit të zgjerimit të BE-së. Ritmi i integrimit të rajonit në BE është vërtet i pakënaqshëm. Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian e modifikoi procedurën e zgjerimit, në mënyrë që t'i japë më shumë dinamikë procesit të zgjerimit, por edhe reformave të nevojshme. BE-ja i mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor edhe financiarisht. Në përgjigje të situatës së vështirë që krijoi pandemia në rajon, në prill 2020, rajonit iu dha një paketë ndihmash emergjente, në shumën prej 3.3 miliardë euro.

Në tetor 2020, Komisioni Evropian prezantoi një Plan Ekonomie dhe Investimesh, me një vëllim të përgjithshëm deri në 9 miliardë euro, për rimëkëmbjen afatmesme ekonomike të Ballkanit Perëndimor. E gjitha kjo nënvizon se BE-ja vazhdon të jetë shumë e angazhuar dhe ofron stimuj të ndryshëm për të promovuar proceset e reformave në Ballkanin Perëndimor, si edhe për të promovuar integrimin e vendeve në BE

Lidhur me pakënaqësinë e krijuar te vendet e Ballkanit Perëndimor për shkak të ngërçit të zgjerimit, Berger thotë se BE duhet t’i japë fund këtij zhgënjimi, duke nisur procesin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

BE-ja po bën shumë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Për shembull me Planin e Ekonomisë dhe Investimeve, i cili kap shuma prej disa miliardë dollarësh dhe ka në fokus, ndër të tjera, transformimin ekologjik dhe dixhital dhe konektivitetin. BE-ja është dhe do të mbetet partnerja më e afërt dhe më e besueshme e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ka njëfarë zhgënjimi, por gjatë udhëtimit tim në rajon përjetova edhe një afri dhe një interes të madh për BE-në. Por ne, domethënë BE-ja, duhet ta bëjmë të qartë se e marrim seriozisht rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Kjo është arsyeja se përse është kaq e rëndësishme që negociatat e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.