Lypsari i Tiranës po luan për vete, por për çfarë konkretisht mbetet e paqartë

Postuar në 05 Shtator, 2021 13:51
Skerdilajd Zaimi

 

Në datën 30 gusht 2021, në Project Syndicate, u shfaq një shkrim në autorësinë e Edi Ramës, me titull: Përgjegjësi e NATO-s të shpëtojë afganët. Shkrimi hapet me legjendën e thartuar tashmë nga fryrja dhe patetizmi të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, vazhdon me klishe bajate të Kodit të Nderit e të Mikpritjes nga shqiptarët për të dalë aty ku z. Rama edhe synon: të promovojë përmes shembullit personal një politikë humanitare për NATO-n.

Dështimi i mosveprimit tani do të thotë t’i kthesh shpinën historisë sonë…

shkruan ndër të tjera z. Rama.

Për të vazhduar më tej me zotime thuajse sublime:

Shqipëria është gati të mbajë përgjegjësinë e vet të cilën duhet që të gjitha vendet e NATO-s ta mbajnë së bashku. Por unë tani pyes: nëse edhe Shqipëri, vendi më i varfër i Aleancës, mund të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë, kush mes shteteve anëtare të NATO-s nuk mundet?

Është e qartë se zoti Rama nuk i drejtohet audiencës shqiptare pasi një të tillë nuk ka. Ai i drejtohet me mënyrën e vet të keqpërdorimit të miteve historiografike dhe etike të shqiptarit, një audience të huaj, perëndimore, europiane, duke i bërë apel ndërgjegjes së saj.

Në shkrim z. Rama e pranon se çështja e imigrantëve, të huajve, ndikon në sondazhe dhe humorin e elektoratit, ndërkohë që nga ana e vet flet në emër të Shqipërisë, edhe pse vendimin për pritjen e afganëve e ka marrë pa pyetur kënd, pa një takim me Këshillin e Sigurisë apo Parlamentin. Shqipëria është ai në mendjen e vet, ai dhe dy tre gazetarë që mbushin mbrëmjen me glasa editoriale.

Mund të pyetet fare natyrshëm: ç’është ky delir? Cili është z. Rama që në emër edhe tonin u drejtohet europianëve me leksione paqeje dhe humanizmi, kur vetë ka pranuar se për vendin e vet di vetëm të lypë më mirë se çdo gjë tjetër? Si mundet një lypsar ndërkombëtar të dalë një ditë në derë të atij që ka kërkuar lëmoshë e të bëjë oratorin e historisë dhe detyrimeve njerëzore?

Por edhe më tej akoma: z. Rama edhe nga pikëpamja politike duket se është në inkoherencë me zhvillimet dhe prirjet e kohës. Menjëherë pas tërheqjes nga Afganistani, drejtuesit kryesorë europianë folën për nevojën e një force mbrojtëse europiane duke vënë në diskutim tanimë edhe arsyen e qenies së NATO-s si një aleancë që në të vërtetë nuk është asgjë pa SHBA dhe më keq, përballë SHBA që vendos vetë.

A mundet NATO që nga një organizatë e mbrojtjes kolektive të shndërrohet në një organizatë me mision humanitar siç propozon z. Rama? Mendësia e VKM-ve e miraton një gjë të tillë, por ndoshta bota vazhdon të jetë po ai vend serioz që nuk i ndryshon zgjedhjet e veta: Shqipërinë mesa duket vazhdon ta ketë për t’u argëtuar. Dhe artistët e saj nuk mungojnë asnjëherë.

Në këtë kuptim, përpjekja propagandistike e z. Rama gjen shpjegim vetëm në një lëmë, aty ku gjen shpjegim çdo gjë tjetër që ka të bëjë me të: atë personal. Ndoshta z. Rama po luan për ndonjë rol ndërkombëtar të ngjashëm me atë në krye të OSBE-së, kur në kulmin e ekstazës së vet, jepte mend sa në një kancelari në tjetrën, pa arritur gjë kuptohet, vetëm për kënaqësi të mendjemadhësisë dhe mburrjeve të veta.

Tani që NATO është thjesht një karikaturë e asaj që ishte dhe kur vende si Shqipëria po shndërrohen në paçavure shumpërdorimëshe për nevojat dhe nevojtoret e gjithkujt, nuk është çudi që dalldia dhe deliri me veten të ushqejnë ambicie për ndonjë ofiq të “jashtëm”. Bota po i shet me shpejtësi antikuaret e veta dhe liderët e xhingla minglave nga bota e tretë kanë përherë përdëllimin të blejnë. Të duken. Mbetet vetëm për t’u parë nëse ndonjë strukturë si NATO, që përfaqëson një histori të Perëndimit, do të dalë në ankandin e shitjeve të lira.

Do të ishte një befasi e hidhur, një zhgënjim për gjithkënd, sepse Shqipëria nuk është vetëm vendi më i varfër në Europë siç thotë z. Rama. Është edhe vendi më i korruptuar për fatin tonë të keq dhe me rregull i bie që edhe z. Rama të jetë më i korruptuari, ose më i leshti. Që në çdo rast nuk përputhet me tiparet e nevojshme të një lideri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.