Raporti i inteligjencës amerikane: Tërheqja nga Afganistani mund të nxisë radikalizimin
Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani mund t'i shtojë gjasat për sulme terroriste brenda Shteteve të Bashkuara dhe jashtë saj, thuhet në një raport të inteligjencës, i shpërndarë të premten në qeveri dhe agjencitë e zbatimit të ligjit.
"Ne vlerësojmë se ekstremistët e dhunshëm vendas dhe të huaj ndoshta po përpiqen të shfrytëzojnë tërheqjen e SHBA nga situata e përkeqësuar e sigurisë në Afganistan për të frymëzuar sulme dhe për të rekrutuar ekstremistë përmes internetit", thuhet në raportin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, të datës 27 gusht. Raporti është hartuar nga Zyra e Inteligjencës dhe Analizës e DHS. Detaje të tij janë publikuar nga Yahoo News.
Një nga shqetësimet në lidhje me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara është se mund të krijojë edhe një herë strehë të sigurt për Al-Kaidën, grupin terrorist që kreu sulmet e 11 shtatorit gati 20 vjet më parë. Në fillim të këtij muaji, Presidenti Biden mbrojti vendimin e tij për t'u tërhequr nga Afganistani, duke thënë se al-Kaida ishte "e degraduar" dhe këmbënguli se edhe pa forca të pranishme në vend, ushtria amerikane mund të kryejë operacione antiterrorizëm atje nëse është e nevojshme.
Por rënia e shpejtë e qeverisë qendrore afgane të mbështetur nga SHBA ndaj talebanëve dhe shpërthimet vetëvrasëse të kryera nga një degë e Shtetit Islamik të enjten në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, e kanë detyruar administratën Biden të luftojë për të mbrojtur vendimin e saj.
Raporti i DHS, megjithatë, tregon shqetësimet përtej grupeve të huaja që veprojnë jashtë vendit, si Shteti Islamik. Tërheqja mund të nxisë ekstremizmin vendas.
"Ne vlerësojmë se kontrolli i vazhdueshëm i talebanëve mbi Afganistanin mund të nxisë një rritje të radikalizimit të ekstremistëve të dhunshëm me bazë në SHBA dhe ndoshta të kontribuojë në rritjen e mbështetjes për organizatat e huaja terroriste në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë aktivitetet lehtësuese dhe përpjekjen për të udhëtuar në Afganistan", thuhet në raport.
Add new comment