Europianë të këtij soji

Postuar në 17 Gusht, 2021 01:46

E gjithë bota po përpiqet të shpjegojë sesi ka mundësi që talebanët përparuan aq shpejt. Madje siç tha edhe presidenti i SHBA, Joe Biden, më shpejt sesa e kishin menduar. Dhe përgjigjet janë të shumta, por disa janë objektivisht të pranuara: korrupsioni, organizimi i talebanëve, përvoja e tyre dhe një strategji e gabuar e SHBA.

Në thelb përvoja historike rikonfirmoi se asgjë nuk është e pandryshueshme, se edhe superfuqitë, perandoritë bien, humbasin. Ajo që ndodh me Amerikën ngjan disi e re: në përgjithësi humbjet nxisin reforma të thella. Kthesa dhe ristrukturim. Në SHBA, pas Koresë, Vietnamit, Iranit, Irakut nuk ndryshon asgjë. Luftërat prodhojnë debat, por vendimmarrja po ajo. Këtu nuk është në diskutim “drejtësia e luftës” nëse një të tillë ka, por fuqia dhe autoriteti i një rendi që po perëndon. E brenda të cilit kullosim edhe ne shqiptarët.

Ajo që të çudit – normalisht çuditëse – është mënyra sesi shihet në Shqipëri kjo që po ndodh.

Amerika po ikën sepse ashtu është plani i saj. Se mori ça deshi dhe tani nuk ka më interes. Apo se ka marrëveshje, më tej se talebanët i furnizon me armë Rusia dhe Kina dhe SHBA i la që të kthehen në problem të tyrin.

Lista e avokatisë së SHBA është e gjatë në mendjen e shqiptarit të zakonshëm, që e ka të konstruktuar gjeometrinë e mendimit dhe busullën e moralit nga një prirje e çuditshme konservatore për të asociuar veten me një pushtet që e quan madhor dhe që nuk mund të sfidohet.

Një piramidë e pavdekshmë në kokën e një mileti të tërë që ka të gjithë të drejtën e botës ta dojë e ta mbrojë Amerikën, por jo para logjikës dhe nevojës për të kuptuar. Ata afganë që u braktisën sot ishin aleatë të Amerikës dhe vërtet që dështimi është patjetër faturë e tyre, por edhe e një aventure si ai i eksportimit të demokracisë. Siç po eksportohet drejtësia këtu te ne.

Kjo qasje ndaj raportit të forcës në botë, përherë me parimin thjeshtues i forti është më i forti, ka të drejtë dhe ai është gati i pavdekshëm, kërkon studime psiko-historike. Pak kohë më parë studiuesi Aurel Plasari citonte Luigj Gurakuqin për shpalljen osmanisht të Pavarësisë rrugëve të Shqipërisë me formulimin: Të shtrënguar nga rrethanat...

Si vallë zë vend kaq mirë narrativa dhe imazhi i pushtetit në këtë vend?! Në këtë popull që i atribuon vetes cilësi historike si liridashja, arsimdashja etj.? Apo që iu nënshtrua boceteve të Materializimit Dialektik prej nga ku siç pamë doli shëllira e mosbesimit dhe e aktrimit të atyre që të bënin gjëmën me determinizmin e tyre prej militanti, por që nga ana tjetër, sot në moshë të thyer, shfaqen të penduar dhe autokritikë për marrëzinë e rinisë së tyre.

Ku të kërkosh e të gjesh një komb shtihanësh si ky yni, që e ka gjënë më të lehtë në botë të gënjejë veten? E vështirë? Por nuk është e vështirë të kuptosh pse askush nuk ka respekt për ne, pse të gjithë thuajse janë cinikë dhe me gjasë, ka edhe nga ata që i cingëris ideja se historia aprovoi europianë të sojit tonë. Apo siç thotë ndonjë intelektual me aksione të rëna tashmë: bij të Aronit që dikur ishin edhe të Marksit. Siç edhe na ka hije palaçollëku xhanëm.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ke te drejte per palacollekun por do ishte me e arsyeshme ta ktheje ne numrin njejrs. Mos na konsidero bageti. Frustimi nuk eshte aegument.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.