Synimi mbetet po ai: Shpallja e Emiratit Islamik të Afganistanit

Postuar në 16 Gusht, 2021 00:48

Pamjet dhe videot e shpërndara sot dokumentuan fundin e një përballjeje 20 vjeçare. Talebaët morën Kabulin, ngritën flamurin e tyre dhe hynë në pallatin presidencial prej nga ky, presidenti Ghani kishte ikur drejt Taxhikistanit. Episodi pati edhe një aspekt disi komik: ministri i Brendshëm në detyrë i Afganistanit, Abdul Sattar Miszakwal deklaronte sot se:

Afganistani do të ketë një transferim paqësor të pushtetit drejt një qeverie tranzitore të drejtuar nga Talibani

Mirëpo ky skenar tingëllon si fleta e fundit e përrallës demokratike të Afganistanit, një vend që tanimë ka rihyrë në epokën e Sheriatit. Lëvizja revolucionare islamike nuk i ka fshehur ndonjëherë qëllimet dhe ajo i ka rikonfirmuar së fundmi. Më kryesori: Shpallja e Emiratit Islamik të Afganistanit, po ai objektiv që ishte në vitin 1990.

Nga vitit 1996 deri në vitin 2001 kur talebanët sundonin Afhanistanin, Emiratin e asaj kohe e njihnin vetëm Pakistani, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turkmenia.

Situata duket disi më ndryshe aktualisht, pasi edhe qëndrimi apo rivalët e Amerikës janë në pozicione të ndryshme. Ka në lojë aktorë që do të duan të përdorin Afganistanin si levë për synime strategjike dhe për të plotësuar atë boshllëk që la dështimi kolosal i Amerikës.

Së pari është humbja domethënëse e Perëndimit. Refuzimi dhe mandej fitorja me armë mbi një model të imponuar prej tij.

Së dyti, Kina, rivali kryesor i SHBA ka sinjalizuar se do të bashkëpunojë me regjimin e mullahëve. Në media qarkullojnë tashmë foto të ministrit të Jashtëm kinez, Wang Yi me një zyrtar taleban në një takim të 28 korrikut 2021. Njerëz pranë Pekinit zyrtar shprehen se edhe nëse mund të mos kontrolojnë mbarë vendin, talebanët do të jenë një forcë e fuqishme me të cilën duhet të përballesh dhe veprosh. Kina nuk ka handikapin e një lufte me talebanët si SHBA apo Rusia, ndërkohë që asgjë nuk dëmtohet nga një politikë pragmatiste.

Një tjetër fuqi, Rusia ka bërë të ditur se për momentin nuk do të lëvizë personelin diplomatik, por as do të njohë qeverinë e Talibanit.

Situate kështu është në progres dhe e vetmja gjë e sigurtë ngjan të jetë dështimi I SHBA. Si dhe injorimi prej kohësh i faktit se talebanët evoluan në një organizatë të mirë strukturuar, me centralizim komande, por edhe autonomi, shërbim sekret shumë dinamik, aftësi për përshtatje, intuit politike, devocion dhe mësim i shpejtë i teknikës së re. Në aspektin politik, po sjellim në vëzhgim të bërë nga Carnegie në vitin 2009, për atë që po ndodhte në terren e që mesa duket konfirmohet si element konstant i strategjive fituese:

Përparimi i kryengritjes udhëhiqet nga shfrytëzimi i zgjuar i tre problemeve politike në Afganistan. Pashtunët, grupi më i madh etnik, rreth 40% e popullsisë, janë të alienuar nga qeveria qendrore të cilën ata besojnë se është e pandershme dhe e ndikuar nga liderë jo pashtunë. Publiku dyshon përherë e më tepër synimet e mira të Koalicionit Ndërkombëtar. Dhe njerëzit janë thellësisht të frustruar dhe të frikësuar nga pasiguria e krijuar nga mungesa, inkometenca dhe korrupsioni i institucioneve lokale në nivel lokal

Çfarë bëri atëherë Koalicioni? Mori pushtetin me armë, vendosi në krye një qeveri që i bindje dhe refuzoi të kuptonte vendin dhe funksionimin e tij. Më e rëndësishmja: në një luftë si ajo kundër terrorit, është vetë fitorja ushtarake që neutralizon menjëherë objektivin dhe synimet politike pasi si në Irak me rrëzimin e Sadamit, sfida strategjike është riafirmimi i shtetit. Diçka që e bënë p.sh shumë mirë në Iran më 1979, ajatollahët, por nuk e bëjnë dot asnjëherë amerikanët, as në Kosovë, Bosnje, apo ca më keq në Afganistan. Kjo sepse gjella e demokracisë kërkon edhe përkim kulturor dhe afëri qytetërimore. Gjermania e pas nazizmit ishte një rast i lumtur, asgjë më shumë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.