Nderi është në Olimpiadë, jo me kaçolet e Shqipërisë

Postuar në 09 Gusht, 2021 20:07

Shikoni çfarë lajmi prodhon Republika. Presidenti Meta dekoron dy xhudistet kosovare dhe trajnerin. Presidenti ynë shkruan me këtë rast:

Kampionet D’Istria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajneri i tyre i fantastik, Driton Kuka personifikojnë më së miri ëndrrat, suksesin dhe krenarinë e popullit dhe të shtetit të Kosovës.

Me “Medaljet e Arta” të fituara me meritë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, të tre këta sportistë janë sot  ambasadorët dhe promovuesit më të shkëlqyer të vlerave dhe kontributeve, që Kosova mund të japë edhe në nivel botëror, përmes sportit.

D’Istria, Nora dhe Toni, ashtu si më herët edhe kampionia tjetër Majlinda Kelmendi, një meritë të jashtëzakonshme kanë edhe për lartësimin e krenarisë dhe të dinjitetit kombëtar, si shembuj të shkëlqyer frymëzimi dhe referimi për brezat e rinj në rrugën drejt suksesit.

Me mirënjohje të thellë për këtë kontribut të vyer shumëdimensional, kisha sot privilegjin e veçantë të vlerësoja me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit” tre kryeshqiponjat e sportit shqiptar, kampionet D’Istria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin e tyre Driton Kuka, si një inkurajim edhe për të gjithë sportistët e tjerë, të cilët duhet t’i konsiderojnë sukseset e tyre edhe si një mundësi të madhe të promovimit të vlerave të sportit, të kulturës dhe të trashëgimisë sonë kombëtare

Pastaj një lajm tjetër që na jep anën dy të medaljes. Titulli: Shqipëria nuk dështoi në Olimpiadë...

Kështu shprehet presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli që thotë se atletët kanë dhënë sa kanë mundur. Se nuk ka fonde etj.. Muzikë që e kemi dëgjuar me dekada. 

Pyetja që mbetet të bësh këtu është: Nga cila vrimë e historisë, gjeografisë, demografisë dhe moralit kemi dalë? Si mundet që një president republike shpërndan dekorata për nder kombi për sportistë të një shteti tjetër, kurse presidenti i një federate thotë që ne nuk dështuam edhe pse dolëm të fundit?

Nuk di njeriu të ndalë së qeshuri me këto që lexon në këtë vend ku e vetmja gjë serioze janë zhvillimet atmosferike. Dolëm të fundit. Fare. Ka figurë dhe fakte për këtë. Presidenti nuk ka pse të bëjë marifete, por thjesht mund të flasë për këtë dështim që nuk paska qenë dështim. Si mundet të gajasësh miletin për çdo gjë dhe të mos dish të jesh njëherë të vetme i sinqertë?

Po nëse këta janë nderi i kombit, turpi kush është? Zonjushat kanë marrë marrë medalje olimpiade dhe janë mes më të mirëve në botë. I bëjnë nder kujtdo në botën e sportit. Të rrojmë dy ditë edhe ne pa vuajtur se nuk na begenis shumë, se jeton njeriu edhe duke menduar me veten. Kuptohet, kur merr vendimin e rëndësishëm se mendja duhet të mbyllë pushimet.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.