Atdheu Blu, strategjia e Turqisë në Mesdheun Lindor
Ndërsa ëndrrat e Turqisë për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian janë zbehur, Ankaraja e ka zhvendosur strategjinë e saj drejt Perëndimit. Kjo nuk është askund më e qartë se në Mesdheun Lindor. Lëvizjet e fundit të Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, një vizitë në Republikën Turke të Qipros Veriore dhe njoftimi për rifillimin e kërkimeve të energjisë turke në zone, kanë për qëllim të tregojnë se ai do të vazhdojë të ndjekë "Mavi Vatan"-in e tij neo-otoman, doktrina Atdheu Blu.
A do të ishte i zbatueshëm në klimën aktuale, zhvillimi i ndonjë gjetjeje të madhe në Mesdheun Lindor, kjo mbetet e diskutueshme, por Turqia duhet të frenojë kërcënimet konvencionale përgjatë vijës bregdetare të saj, dhe sipas rrethanave, eksplorimi për energji mund të jetë justifikimi më i mirë. Në të njëjtën kohë, Erdoğan mund ta përdorë potencialin për një krizë të re në Mesdheun Lindor, për ta zhvendosur vëmendjen e turqve nga problemet ekonomike në vend që kërcënojnë të destabilizojnë sundimin e tij.
Udhëtimi i Erdoganit në Qipron Veriore erdhi vetëm tre ditë pasi i dërguari i Turqisë në OKB foli me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së për "shkeljet flagrante të vazhdueshme" që Greqia i ka bërë të drejtës ndërkombëtare në Egje dhe Mesdhe. Në kundërshtim me Traktatin e Lozanës të vitit 1923, tha i dërguari, Athina ka militarizuar ishujt pranë Turqisë, që supozohet të mbeten të demilitarizuar.
Në fund të fundit, Turqia dëshiron të ndryshojë ose anulojë traktatin, i cili i dha Greqisë sovranitet mbi ishujt pranë bregdetit të Turqisë, duke përfshirë të drejtën për të eksploruar dhe nxjerrë burime natyrore nga deti, duke i mohuar kështu Turqisë një zonë të rëndësishme ekskluzive ekonomike.
Ndërsa hapja e Varoshës dhe deklaratat për një zgjidhje me dy shtete për Qipron u bënë titujt kryesorë, është e rëndësishme të theksohet se përpara vizitës, Erdoğan tha gjithashtu se Turqia do të vazhdojë eksplorimin në Mesdheun Lindor. Kjo deklaratë duket se nënvlerëson deklaratat paraprake që nuk premtojnë provokime të tjera.
Zbulimi i burimeve të energjisë ishte ajo që ringjalli mosmarrëveshjet e vjetra midis Turqisë dhe Greqisë. Në 2019 dhe 2020, tensionet midis Ankarasë dhe Athinës u ndezën ndërsa Turqia dërgoi anije kërkimore sizmike në ujërat e kontestuara nga Greqia dhe Republika e Qipros, ndërhyri në luftën civile të Libisë dhe nënshkroi një marrëveshje për përcaktimin e kufirit detar me Tripolin.
Në fakt, fillimi i shekullit XXI e gjen rajonin në një realitet krejtësisht tjetër nga ai i disa dekadave më parë. Rishfaqja e kërcënimit rus, Irani gjithnjë e më agresiv, dobësimi i BE-së për shkak të problemeve të tij socio-ekonomike dhe rritja e koalicionit anti-turk në Lindjen e Mesme e kanë detyruar Ankaranë të rimendojë pozicionin e saj në rajon. Për më tepër, problemet ekonomike të vendit - që i paraprinë pandemisë, por që rriten në kompleksitet që kur ajo u shfaq - i janë shtuar listës së problemeve të qeverisë.
Marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar ngadalë pasi Turqia kuptoi se pranimi në BE nuk ishte më i zbatueshëm. Një Qipro e ndarë u bashkua me BE në 2004, ndërsa Turqia ka arritur të mbyllë vetëm një kapitull negociues nga 35 të tillë. Turqia nuk ka hequr dorë zyrtarisht nga dëshira e saj për t'iu bashkuar Bllokut, por përpjekjet e saj janë zhvendosur drejt përditësimit të bashkimit doganor BE-Turqi dhe liberalizimit të vizave.
Kriza socio-ekonomike në Evropë, e shoqëruar me krizën e refugjatëve, bëri që Ankaraja të ndryshojë marrëdhënien e saj me Brukselin. Duke marrë parasysh faktin se një nga rrugët kryesore të migrimit nga Lindja e Mesme kalon përmes Egjeut, Turqisë dhe Bashkimit Evropian (dhe veçanërisht Greqisë, si vendi i parë pritës) u është dashur të bashkëpunojnë për menaxhimin e fluksit të emigrantëve. Kur Turqia thekson militarizimin e ishujve nga Greqia, pjesa më e madhe ka të bëjë me vendosjen e personelit të sigurisë për të siguruar që flukset e emigrantëve të menaxhohen mirë dhe vendasit të ekspozohen ndaj rreziqeve minimale.
Në të njëjtën kohë, Turqia është përpjekur të kthehet në një vend kyç tranzit brenda korridorit jugor të furnizimit me gaz të Evropës përmes përfshirjes së saj në tubacionet TANAP dhe TurkStream, të cilët sjellin gaz nga Kaukazi, respektivisht Rusia. Kur u bënë zbulime energjetike në Mesdheun Lindor, aspiratat turke për t'u bërë një qendër energjetike rajonale u rritën më tej - edhe pse shpresat për marrëdhënie më të mira midis Turqisë, Qipros dhe Greqisë u zbehën.
Pas dështimit të raundit të fundit të negociatave mbi fatin e Qipros në vitin 2017, Republika e Qipros njoftoi shfrytëzimin e depozitave të saj. Turqia e denoncoi vendimin si shkelje të të drejtave të qipriotëve turq dhe nisi "politikën e saj të anijeve me armë", duke dërguar anije luftarake për të parandaluar këtë nismë dhe për të kryer eksplorimin e saj në zonat e diskutueshme.
Turqia, Qiproja dhe Greqia nuk janë vetëm në lojën e re të energjisë që po shfaqet në Mesdheun Lindor. Përfituesi i parë i gazit nga rajoni ishte Izraeli, i cili është bërë eksportues i gazit që nga zbulimi në 2010. Egjipti iu bashkua këtij grupi në 2011. Të dy vendet kanë marrëdhënie komplekse me Turqinë, çka e ndërlikon më tej pozicionin turk në rajon, veçanërisht pasi Greqia, Qiproja dhe Izraeli janë afruar më shumë pas zbulimeve të para të gazit.
Në atë kohë, vendet krijuan zona ekskluzive ekonomike mbi zonat në të cilat u zbulua energjia. Kjo çoi në përvetësimin e zonave të caktuara dhe, rrjedhimisht, e bëri Turqinë të ndihej sikur të ishte futur sërish “në kuti” – gjë që vështirë se mund të quhet një rezultat i kënaqshëm për një vend që aspiron të bëhet fuqi rajonale. Kështu, Turqia zhvilloi strategjinë e saj "Atdheu Blu", sipas të cilës vendi do të zhvillonte marinën e vet dhe do të forconte aftësinë për të mbrojtur interesat turke jashtë shtetit.
Nën sundimin e Erdoğanit, që atëherë kjo është bërë sinonim me përcaktimin e zonave detare nga të cilat thuhet se Turqia ishte privuar padrejtësisht nga fqinjët. Atdheu Blu ishte, për shembull, justifikimi për ndërhyrjen e Turqisë në Libi, e cila në vitin 2019 rezultoi në nënshkrimin e një traktati dypalësh që përcaktonte një ZEE me Libinë në Mesdheun Lindor. Erdoğan shpreson të hapë një korridor midis pozicioneve greke në Detin Egje dhe fushat e gazit të Mesdheut Lindor dhe të kontrollojë hapësirën e përshkuar nga një tubacion potencial gazi nënujor, që pritet të ndërtohet dhe të menaxhohet nga një konsorcium greko-qiprioto-izraelit.
Qëllimi i strategjisë së Atdheut Blu nuk është vetëm zgjerimi i ndikimit turk jashtë vendit, por edhe ndjekja e shumë prej interesave të brendshme dhe financiare të Turqisë. E nënkuptuar në koncept është ideja se Turqia duhet të dominojë Mesdheun dhe të rimarrë fuqinë tregtare dhe detare që kishin dikur osmanët. Kjo strategji e sheh pozicionin gjeografik të Turqisë si një pasuri, jo si një dobësi.
Duke pasur një prani të fortë detare në Mesdhe, veçanërisht në Mesdheun Lindor, kjo do t'i lejonte Turqisë të pretendonte për rezervat e naftës dhe gazit në ujërat e kontestuara. Kjo nga ana tjetër, do ta ndihmonte Ankaranë të kthehej në një qendër energjetike dhe të arrinte pavarësinë energjetike. Për më tepër, reklamimi i rëndësisë është diçka që partia në pushtet mund ta përdorë për ta zhvendosur vëmendjen e votuesve nga gjendja e keqe e ekonomisë turke.
Shkrimi është botuar në Euractiv.com
Add new comment