Po lideri i Ballkanit kur do të flasë me emra?

Postuar në 25 Korrik, 2021 17:29

Raportimi i presidentit serb, Aleksander Vucic për situatën kriminale në Serbi përbën një model krahasimi për mënyrën sesi politika dhe drejtuesit e institucioneve sillen në vendin tonë për probleme të ngjashme. Vucic ka lënë të kuptohet se përballet me një problem serioz, në nivel shtetëror madje dhe personal, që ka të bëjë me krimin dhe depërtimin e tij në institucinet e sigurisë duke kultivuar madje ambicie politike.

Çështja është te raportimi publik i presidentit serb që shpesh akuzohet në media si autoritarist dhe si njeri që ka kapur të gjitha pushtet. Mesa duket ai një pushtet nuk e ka: Rrugën. Atë sipas tij e kontrollojnë të tjerë, armiq të tij politikë dhe jo vetëm që po ndërtojnë karriera me paratë e krimit. Në këtë kontekst, akuzat ndaj Vucic marrin tjetër përmasë po të kemi parasysh politikën shqiptare që rrugën e ka nën kontroll dhe madje e ka kapitalizuar atë si mjet për ushtrimin e pushtetit. Ne kemi një kryeministër që del në vetë të parë për makinat e shtrenjta, për shezlongët, për ndërtime pa leje, apo për ecjen me shpejtësinë në rrugë. Por nuk kemi parë asnjëherë që ky njeri të dalë i entuziazmuar e të flasë për kapjen e ndonjë bande të trafikut, për likujdimin e ndonjë grupi.

Për Kelment Balilin u desh “lutja” me presion e diplomatëve të huaj që të kapej, për Shullazin u desh sërish presioni i të huajve, ndërkohë që për miliarda euro hashash nuk u pa kush në pranga. U pa z. Rama me një tablo sinoptike për Saimir Tahirin të cilin e mbrojti duke e shitur. Siç edhe i ka shitur të tjerët. 

Z. Rama ka dalë edhe si avokat i vlerësimit kriminalistik të përgjiimit në cilësinë e provës. Ai mbrojti kështu Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknurin si subjekte përgjimi, ndërkohë që shiti pa asnjë mëdyshje Fatos Tushen. Z. Rama nisi operacionin Anti-KÇK, por nuk bëri asnjë emër, nuk zuri në gojë askënd. Si ta shpjegosh këtë gojë të mbyllur të këtij aktivisti të së vërtetës? Të këtij kryeministri që drejton një ndër vendet më të korruptuara në botë?

Le të mos i kërkojmë përgjigjet dhe as mos t’i parashtrojmë, por të shohim shembullin e Vucic që mund të jetë autokrat, mund të jetë gjithçka, por flet me emra, sjell evidence, duke provuar se të paktën nuk e ushtron politikën në bashkëpunim me rrugën, apo nëntokën e Beogradit. Hap një betejë, sado formale. Dhe kështu mund të kuptojmë më mirë se çfarë është politika në këtë vend dhe se çfarë quhet realisht shtet në Shqipëri. Për fatkeqësinë tonë kuptohet.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.