Pse tradhtia nuk ka arsye të shndërrohet në katastrofën e martesës
Për shumicën dërrmuese të njerëzve, mungesa e besnikërisë është shkatërruese emocionalisht dhe në aspektin shoqëror. 'Tradhtia' në marrëdhëniet romantike monogame shihet pothuajse botërisht si imorale dhe është pararendës i divorcit. Ajo është gjithashtu temë e librave, filmave dhe këngëve të panumërta. Nga romani “The Scarlet Letter” (1850) i Nathaniel Hawthorne, tek filmi i nominuar për Oskar “Closer” (2004), pabesia paraqitet njëkohësisht joshëse dhe tronditëse.
Megjithatë, është vështirë t’i japësh një përkufizim, pjesërisht sepse kufijtë e monogamisë ndryshojnë nga çifti në çift. Mund të përfshijë puthje, seks ose intimitet emocional me dikë që nuk është njeriu më i rëndësishëm për ju. Mund të përfshijë gjithashtu flirtime ose ‘sexting’ - dërgimin e fotove ose mesazheve seksualisht eksplicite dikujt tjetër. Ajo që i bashkon të gjitha është se, pavarësisht nga bashkëveprimet romantike ose seksuale, ato janë në shkelje të një marrëveshjeje ekskluziviteti brenda marrëdhënies primare. E thënë thjesht, brenda secilit çift, shumica e njerëzve e njohin tradhtinë kur e shohin atë.
Mungesa e besnikërisë është aq e dhimbshme, pjesërisht, sepse njerëzit e interpretojnë atë si një kërcënim për marrëdhënien e tyre. Kjo sepse njerëzit besojnë se tradhtia e partnerit të tyre është një shenjë se diçka nuk është në rregull, dhe kjo çon në trazira emocionale të refuzimit, xhelozisë dhe mosbesimit. Ka prova shkencore që e mbështesin: kur njerëzit ndihen të pakënaqur ose të paangazhuar në marrëdhëniet e tyre, ka më shumë të ngjarë të tradhtojnë. Disa studiues e kanë quajtur këtë model deficiti të pabesisë, i cili mund të përfshijë gjithashtu motive si neglizhenca, konflikti, zemërimi dhe dëshira për hakmarrje.
Por a është kjo gjithmonë e vërtetë? A rrjedhin të gjitha pabesitë nga marrëdhënie problematike? Hulumtimi që vlerëson pse njerëzit bëjnë seks me të tjerë përgjithësisht tregon se kjo mund të ndodhë për qindra arsye - 237 për të qenë të saktë. Arsyet e zakonshme përfshijnë kënaqësi dhe intimitet. Por ndonjëherë njerëzit janë të motivuar të bëjnë seks në mënyrë që t’i rrisin vetëvlerësimin vetes ose tjetrit, t’u bëjnë përshtypje të tjerëve, të lehtësojnë stresin, për t’u ngirtur në detyrë, për një bast apo sfidë, për të fituar më shumë përvojë seksuale, për të eksploruar orientimin seksual të dikujt, apo edhe për t’u ndier më afër Zotit. Duke pasur parasysh motivet e larmishme dhe komplekse të angazhimit në një marrëdhënie seksuale, ndoshta motivet për pabesi janë gjithashtu më të ndryshme sesa shfaqen në fillim.
Me kolegët e mi Justin Garcia dhe Irene Tsapelas në 2017, bëmë një studim për të zbuluar më shumë rreth kësaj. Ne rekrutuam 495 të rinj (mosha mesatare 20) të cilët kohët e fundit kishin tradhtuar partnerin/en e tyre dhe i pyetëm se çfarë i kishte motivuar ta bënin atë; në një anketë të mëvonshme i pyetëm se çfarë lloj gjërash bënin, thonin apo ndjenin për partnerët e rinj jashtë lidhjes. Pak më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në studim ishin gra, dhe shumica (88 përqind) ishin heteroseksuale dhe të pamartuara (96 për qind). Duke pasur parasysh vështirësitë me sigurimin e një përkufizimi universal të tradhtisë, ne i lamë pjesëmarrësit të përcaktonin vetë çfarë konsideronin tradhti; gati të gjithë (94 për qind) thanë që përvoja e tyre jashtë marrëdhënies përfshinte kontakte seksuale. Ne u thamë pjesëmarrësve se ata mund të jepnin edhe faktorë të tjerë që i shtynin drejt një partneri tjetër.
Shumë nga arsyet që ata dhanë ishin të bazuara në problemet e marrëdhënieve me partnerët e tyre të marrëdhënies, siç parashikohet nga modeli i deficitit. Për shembull, pjesëmarrësit raportuan mungesë dashurie ose përkushtimi ndaj partnerëve të tyre, pakënaqësi seksuale dhe ndjesinë e neglizhencës e zemërimin. Por, siç e kemi parashikuar, disa arsye që çonin drejt tradhtisë kishin të bënin më shumë me individin dhe kontekstin ku ndodhte. Kjo përfshinte faktorë të situatës (të tilla si të jesh me pushime, shumë i stresuar ose i dehur), rritjen e vlerësimit (përpjekje për të fituar status të ri social, për t’u ndier më tërheqës apo për t’i provuar vetes pavarësinë), dhe shumëllojshmëri seksuale (kërkimi për shumë përvoja dhe partnerë).
Më e rëndësishmja, ne u kërkuam pjesëmarrësve të vlerësonin se sa luante rol secili faktor dhe këta faktorë individualë ishin shpesh më të rëndësishëm sesa variablat marrëdhënie-problem. Më pak se gjysma e pjesëmarrësve thanë se ndiheshin të motivuar nga zemërimi dhe pakënaqësia seksuale ishte arsyeja më pak e cituar nga gratë, dhe e dyta më pak e cituar nga burrat. Ndërkohë, më shumë se gjysma e të gjithë të anketuarve thanë se kishin tradhtuar për të rritur vetëvlerësimin e tyre dhe shumica e pjesëmarrësve thanë se ndiheshin të motivuar nga faktorë të situatës ose një dëshirë personale për larmi seksuale. (Sigurisht, njerëzit mund të japin arsye të shumta për tradhtinë në të njëjtën kohë, kështu që disa pjesëmarrës mund të kenë ndier marrëdhënie dhe motivime individuale paralelisht.)
Me fjalë të tjera, kur një person tradhton, kjo mund të jetë e lidhur me atë si individ po aq sa me marrëdhënien që ka me partnerin e tij - ndoshta edhe më shumë për individin që tradhton. Kjo mbështetet më tej nga dëshmitë tona se njerëzit që raportojnë faktorë individualë/të situatës për tradhti priren të kenë marrëdhënie të ndryshme, më pak intime. Ata kishin afera që ishin më të shkurtra, përfshinin më pak takime publike (p.sh., të dilnin për darkë) dhe më pak intimitet (p.sh., të thënit ‘Të dua’); këto çështje përfshinin gjithashtu më pak kënaqësi emocionale dhe seksuale. Këta njerëz gjithashtu nuk donin që tradhtia e tyre të ndikonte në marrëdhëniet e tyre kryesore: ata kishin më shumë gjasa t'i mbanin sekret lidhjet e reja dhe të qëndronin me partnerët e tyre në planin afatgjatë.
Është e qartë, disa njerëz duket se tradhtojnë për arsye të tjera përveç të qenit të pakënaqur me marrëdhënien e tyre. Studimi ynë u përqendrua kryesisht tek të rriturit e rinj, të pamartuar, por ky zbulim është mbështetur nga hulumtimet me mostra të tjera. Një studim i mëparshëm nga Shirley Glass dhe Thomas Wright, për shembull, zbuloi se 56 për qind e burrave dhe 34 për qind e grave që kishin kryer marrëdhënie jashtëmartesore e vlerësuan martesën e tyre si 'të lumtur' ose 'shumë të lumtur'. Siç kemi thënë në studimin tonë të vitit 2020, ‘jo të gjitha tradhtitë krijohen njësoj’.
Ky zbulim përforcon mençurinë popullore për tradhtinë. Sigurisht, shumë marrëdhënie të tilla të fshehta ndodhin sepse ka probleme serioze në marrëdhënien kryesore dhe kjo shkakton shumë dhimbje sa sinjalizon një fund të pariparueshëm. Por në raste të tjera, nëse e dimë që njerëzit tradhtojnë për arsye që nuk kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre, atëherë ndoshta mungesa e besnikërisë nuk ka pse të jetë katastrofa e jashtëzakonshme që mund të na duket. Çdo rast tradhtie mund të jetë thellësisht i dhimbshëm, por mbase nuk ia vlen t’i japësh fund një martese 20-vjeçare ose të prishësh një familje, veçanërisht nëse pabesia nuk ishte e nxitur nga ndonjë problem themelor në marrëdhënien origjinale.
Ndoshta efektet negative që vijnë nga marrëdhëniet e fshehta janë, pjesërisht, një profeci që vetëpërmbushet. Nëse njerëzit besojnë se e gjithë tradhtia është jashtëzakonisht e pamoralshme, atëherë ata mendojnë që pasojat e saj duhet të jenë të tmerrshme. Por nëse rregullojmë mënyrën tonë të të menduarit t për ta parë tradhtinë si një problem më të moderuar, çifteve u mbetet shumë hapësirë për të mësuar dhe për t’u rritur pasi të ndodhë, edhe nëse kjo shkakton një periudhë të përkohshme trazimi (dhe ndonjëherë të konsiderueshme).
Një mënyrë për të zvogëluar dëmin e shkaktuar nga mungesa e besnikërisë dhe për të kuptuar më mirë pse ndodh, është që çiftet të kenë biseda më të sinqerta se çfarë do të thotë monogamia për ta, para se të ndodhë ndonjë tradhti. Kërkimet kanë vënë në dukje se se çiftet në pjesën më të madhe komunikojnë në mënyrë të gabuar në lidhje me monogaminë ose ekskluzivitetin, dhe disa çifte nuk bien dakord nëse ata kanë pasur një marrëveshje ekskluziviteti që në krye të herës. Bisedat më të qarta dhe të sinqerta rreth kufijve të marrëdhënieve mund të pengojnë që disa sjellje të shihen si pabesi, duke zvogëluar kështu ndikimin e tyre në marrëdhënie. Disa çifte, për shembull, bien dakord për 'mosmonogami konsensuale', në të cilën intimiteti seksual dhe/ose emocional me njerëz të tjerë nuk konsiderohet shkelje e marrëdhënies së tyre.
Të parit e tradhtisë më me shumë nuanca mund të jetë gjithashtu e rëndësishme për çiftet në pasojat që sjellin ato kur zbulohen. Njerëzit shpesh e përshkruajnë tradhtinë si traumatike, por ndoshta nuk duhet të jetë e tillë. Në vend të kësaj, çiftet mund të përfitojnë duke e parë atë si një stresues - një sfidë stresuese me të cilën përballesh - në vend që ta shohin si katastrofë. Në të vërtetë, disa terapistë dhe ekspertë të marrëdhënieve argumentojnë se, nëse ju dhe partneri juaj jeni të hapur dhe të sinqertë në lidhje me atë që i kalon kufijtë e monogamisë, nuk ka pse të jetë aspak stresues.
Mund t’ju ndihmojë të rikujtoni se, pavarësisht nëse ju dhe partneri juaj mbani një marrëdhënie monogame të përjetshme, ka të ngjarë që të dy të keni kohë pas kohe fantazi romantike ose seksuale për njerëzit e tjerë. Kur bëhet fjalë për partnerin tuaj, kjo mund të jetë shqetësuese kur e mendon. Por mos harroni se ato ndjenja mund të mos tregojnë asgjë në lidhje me cilësinë e marrëdhënies tuaj. Sigurisht, njerëzit mund të kontrollojnë atë që bëjnë në përgjigje të atyre ndjenjave dhe, në shumë marrëdhënie, veprimi sipas tyre do të ketë pasoja negative, afatgjata. Por në raste të tjera, mund të jetë më e dobishme të kujtojmë se shumë njerëz do të kenë dëshira periodike për të tjerët dhe, në të njëjtën kohë, akoma e duan thellësisht partnerin e tyre. Dhe kjo është ngushëlluese kur e mendon.
*Dylan Selterman është lektor në psikologji në Universitetin e Merlilendit, SHBA. Në Psychology Today, ai ka blogun The Resistance Hypothesis
Shkrimi është botuar në Psyche.co
Add new comment