Fraza "Jashtë shtetit"
Gjatë një bisede sot në zonën e Kasharit me disa njerëz të sipërmarrjes, kryeministri Edi Rama ndër të tjera u shpreh se:
Këto janë fabrika të një gjeneratë tjetër sepse krijon premisa për të pasur kampionë këtu. Ne duhet t’ju vazhdojmë t’ju mbështesim dhe ju mbështesim. Është e rëndësishme që përmes këtyre jepen shembuj që kush ka vizion, ambicie nuk ka nevojë të ikë jashtë shtetit sepse këtu fiton më shumë se jashtë shtetit
Ta lëmë qoften e ditës për Shqipërinë që përparon. Ta lëmë ta hanë ata që kanë nevojë të gromësijnë si progresistë para televizorit dhe të merremi pak me përmbajtjen e shprehjes. Z. Rama përdor një frazë si “jashtë shtetit”, e cila me gjasë ka zënë vend në të folurën shqip gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës. Ikja jashtë në atë kohë ndalohej dhe kalimi i paligjshëm i kufirit konsiderohej si arratisje dhe dënohej nga Kodi Penal. Arratisja madje ishte stigmë e madhe sociale.
Më herët, shqiptarët përdornin fjalën Kurbet, apo mërgim, por jo “iku jashtë shtetit”. Italishtja ka formën “al estero” që do të thotë jashtë, por Jashtë Shtetit është një refleks tipik i një shqiptari të rritur në kohën e atij që quhet komunizëm.
Fraza nuk tradhëton vetëm një varfëri shprehëse të z. Rama, por edhe një pakujdesi për të folurën në një kohë që lëvizja është e drejtë. Është vetë ky njeri që ka mbrojtur veten pak vite më parë duke u shprehur se ikja është progres. Është pakujdesi sepse “jashtë shtetit” nënvizon një barrierë psikologjike që nuk po na shqitet, duke na dëshmuar se Shqipëria me pozicionin e vet si një qoshe e harruar, pa ndërlidhje infrastrukturore dhe shpirtërore me vende të tjera, është në fakt një lloj burgu prej nga ku dikush sa herë që ikën, në fakt Del.
Fraza mandej tingëllon boshe përderisa fjala shtet në Shqipërinë e sotme përshkruan në aspektin funksional një karnevale ku edhe represioni është tinzar. Me letra dhe me vjedhje.
Shtet quhet me përkufizim një komb apo territor i konsideruar si një komunitet poitik i organizuar nën një qeveri.
Jemi ne në kushte të tilla social-politike sa të përligjemi si shtet? E vështirë ta thuash përderisa ky lloj organizimi vetëm tani po mendon të bëjë një statistikë të njerëzve që ka brenda dhe ata që i ka të ikur. Sa për një shembull. Dhe ende u mohon votën 1/3-ës së popullsisë së vet me lloj - lloj marifetesh. Sa për një shembull të dytë.
A mund të quhet shtet kjo lloj gjëje? Të ikësh jashtë shtetit do të thotë që shteti barazvlerësohet me Vendin, pra ushtron kontroll total mbi të. I shkreti shtet që zgjat vetëm 1 orë se për çdo situatë mandej në dorë pushtetin e kanë bandat. Ne jemi prej kohësh jashtë shtetit, atij që quhet i tillë, përderisa ai nuk na përfaqëson në asgjë. Vetëm në shumëfishimin e halleve. Këtë e ka pranuar edhe z. Rama që po njofton prej dy vitesh revolucionin digjital dhe mbarimin e halleve që u nxinë jetën shqiptarëve.
Të cilët po ikin nga Shqipëria dhe jo jashtë shtetit.
s.zaimi
Add new comment