Variant i ri, zhurmë e vjetër
Në pjesën më të madhe të mediave kryesore në Perëndim ka nisur të flitet përditë për të ashtuquajturin variant Delta i CoVid-19. Dhe po flitet me të njëjtën gjuhë probabiliste si në fillimet e pandemisë. Studime që flasin për cilësitë e variantit, infektivitetin e tij, përhapjen dhe me dyshime hidhet edhe ideja se ai ka vdekshmëri më të lartë. Aktualisht kjo valë e re pandemie që po parashikohet sjell me vete edhe valën e re të pandemisë informative. P.sh qysh tani flitet se me dy doza të njërës prej vaksinave të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave je i mbrojtur nga varianti në fjalë.
Mirëpo çështja këtu është sërish e nivelit logjik: nëse për variantin në fjalë vijon të flitet me probabilitet, si është e mundur të jepen garanci të plota për vlerën e vaksinës?
Nga ana tjetër në media po rishfaqen ekspertët që dinë vetëm të sugjerojnë karantinim dhe maskë, distancim social. Patjetër që këto janë masa që duhen aplikuar, por po bëhen dy vjet që dëgjojmë të njëjtat këshilla pa patur në dorë një bilanc serioz për efektivitetin e masave që u aplikuan dhe mundësitë reale të zbatimit të tyre. P.sh ne dëshmuam sesi valët e goditjes epidemike kalonin nga njëri vend në tjetrin, pavarësisht masave të ndjekura. Po kështu e gjithë kjo u vu në diskutim nga përvoja suedeze për të vijuar tashmë me faktin se varianti Delta mund të vërë në diskutim edhe vlerën e vaksinave të miratuara me nxitim dhe më e rëndësishmja, të blera me po kaq nxitim.
Në këtë kuptim, propozimet dhe parashikimet për një valë të vjeshtës janë të dyshimta përderisa ato nuk konsiderojnë asgjë ndryshe nga përvoja e deritanishme dhe në ballë të tyre janë sërish ekspertët. Po ata ekspertë që në të vërtetë nuk ditën të propozojnë gjë tjetër veçse mbyllje, kujdes dhe higjenë. Në fund neve na lind e drejta të pyesim se ku qëndron atëherë suksesi i të gjithë politikës shëndetësore që u ndoq deri më tani? Çfarë korrigjoi ajo qoftë edhe me improvizimin e vet dhe kufizimin e të drejtave duke marrë parasysh se u cenua edhe një mënyrë jetese?
Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk mund të vijë nga ekspertët, sado të përgatitur të jenë ata, por nga politika. Pasi përndryshe do të kemi një politikë të re që i përgjigjet një situate që nuk mund të menaxhohet më thjesht si situatë sanitare.
s.zaimi
Add new comment