Franco Nero rikthen në ekran Kevin Spacey-n
Kevin Spacey rikthehet në ekran. Aktori është pjesë e kastit të filmit të ardhshëm të Franco Neros. Filmi do të jetë shfaqja e parë e aktorit që prej vitit 2017, kur karriera e tij “ngriu” pas akuzave për sjellje të keqe seksuale.
"Jam shumë i lumtur që Kevin pranoi të merrte pjesë në filmin tim", tha Nero për ABC News. "Unë e konsideroj atë një aktor të shkëlqyeshëm dhe mezi pres të filloj filmin," tha ai.
Filmi, i titulluar ‘L’uomo Che Disegno Dio’ (‘Njeriu që vizatoi Zotin’), do të xhirohet në Itali dhe pjesë e kastit do të jetë edhe bashkëshortja e Neros, Vanessa Redgrave.
“Telegraph” shkruan se Spacey do të luajë rolin e një detektivi që heton mbi dyshimet për pedofili të ngritura kundër një artisti të verbër.
Spacey, një nga emrat e mëdhenj të Hollivudit, u tërhoq nga kinemaja në fund të vitit 2017 pasi disa meshkuj e akuzuan për sulm seksual dhe sjellje të papërshtatshme. Pretendimet që kishin të bënin me ngjarje që supozohej se kishin ndodhur në vitet 1980, u ngritën gjatë kohës kur lëvizja #MeToo ishte në kulmin e saj.
Aktori pranoi se në ndonjë rast mund të ketë vepruar në mënyrë të papërshtatshme, por ai mohoi akuzat më të rënda si sulmi seksual. Në të njëjtën kohë, ai pranoi edhe se është homoseksual.
Spacey nuk është shfaqur në ekranin e madh ose në televizione që nga viti 2018. Ai u largua nga seriali ‘House of Cards’, ku luante personazhin ikonik, Frank Underwood.
Filmi i fundit i Spacey, ‘Billionaire Boys Club’, i cili doli në 2018, fitoi vetëm 618 dollarë nga 11 kinema në të cilat u shfaq, sipas Hollywood Reporter.
Add new comment