Historia nuk kthehet më në Afganistan. Femrat nuk do të heqin më dorë nga të drejtat e tyre
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, deklaron në një intervistë për revistën gjermane “Spiegel” se ajo që ka ndodhur në Afganistan është e pakthyeshme. Sipas tij talebanët nuk do të mund të kthejnë historinë, sepse shoqëria afgane tanimë është krejt ndryshe nga ajo e viteve më parë. Sa i përket procesit të paqes, ai pranon se paqja në vendin e tij është më shumë në duart e Pakistanit sesa të SHBA dhe se synimi për ta ruajtur atë është neutraliteti i Afganistanit.
Z. President, SHBA ka bërë paqe me Talebanin pa përfshirë qeverinë tuaj dhe tani po tërhiqet nga Afganistani. Ndiheni i tradhëtuar?
Ku është tradhëtia? Administrata Biden ka marrë një vendim strategjik. Ata kanë vlerësuar dhe përkufizuar interesat e tyre. E respektoj një gjë të tillë. Çdo shprehje e inatit, keqardhjes apo zhgënjimit nuk do të ishte productive. Unë vetë nuk i jam kundërvënë kurrë tërheqjes së SHBA – as nuk e humbas kohën me keqardhje. Çështja tani është se ku qëndron interesi ynë i përbashkët në të ardhmen dhe sesi do të riformësojmë partrneritetin me SHBA.
Sa gjatë mundet që qeveria juaj t’i rezistojë sulmeve të Talebanit pa mbështetjen e SHBA?
Përgjithnjë. Nëse kam bërë diçka, ishte përgatitja e forcave për këtë situatë. Ne i kemi rezistuar efektivisht valës së parë të sulmeve në maj. Por a po shkruani ju për këto gjithashtu? Ne mund të mbrohemi. Çështja themelore ishte ambigiteti nëse amerikanët do të qëndronin apo jo. Kjo vazhdoi kështu për 2 vjet. Tani ka qartësi, tani hapet një kapitull i ri dhe aplikohen rregulla të reja loje.
A është ky fillimi i një lufte të re civile e ngjashme me atë të vitit 1990, kur sovjetikët tërhoqën ushtrinë e tyre?
Mundësia e luftës civile ekziston. Por nuk ka pse të ndodhë. Ju e dini, kur misioni ushtarak përfundoi zyrtarisht në vitin 2014 dhe u shndërrua në mision stërvitor, çdokush pa rënien e republikës të afronte. Por ne bëmë punën tonë. Ju lutem merrni në konsideratë se e gjitha kjo është po ashtu çështje narrative: sa më shumë që skenari i destabilizimit përhapet, aq më shumë ne përballemi me dhunë këtu.
Në Kabul, elita e vendit po përpiqet të formojë një këshill shteti që përfshin të gjitha partitë – që jo vetëm të organizojë procesin e paqes, por edhe rezistencën kundër Talebanit. Do të funksionojë?
Këshilli po formohet aktualisht. Unë po nxis për krijimin e tij me të gjithë fuqinë time. Një process paqeje është një skenar themelor. Në momentin kur Talebani do të kuptojë se nuk mund të përmbysë qeverinë, ata do të kenë nevojë të vijnë në skenarin e paqes, që do të bëhet dominues.
A besoni vetë në një proces paqeje?
Paqja do të vendoset së pari në plan rajonal dhe unë besoj se jemi në një moment kyç rimendimi. Përfshirja e Pakistanit është një çështje e pashmangshme. SHBA luan vetëm një rol minor. Çështja e paqes apo veprimeve ushtarake tashmë është në duart e Pakistanit.
Çfarë ndikimi ka qeveria e Pakistanit në luftën e Talebanit?
Pakistani operon një sistem të organizuar mbështetjeje. Talebani merr mbështetje logjisitike aty, financimet dhe rekrutimin. Emerat e disa prej trupave të ndryshëm vendimmarrës të Talebanit janë Quetta Shura, Miramshah Shura dhe Peshawar Shura – emërtuar sipas qyteteve të Pakistanit ku janë lokalizuar. Ka një marrëdhënie të thellë me shtetin.
Pse nuk ndërhynë më shpejt amerikanët në Pakistan që të dobësonin ndikimin e Talebanit?
Duhet të pyesni amerikanët për këtë. Në vështrim empirik mund të them se ata krijuan varësi shumë të madhe duke marrë logjistikë dhe furnizime të Pakistan.
Pse duhet të ndryshojë strategji Pakistani tani kur është kaq pranë vijës së finishit dhe kur vendi së shpejti do të jetë në gjendje të përcaktojë kursin e Kabulit përmes Talebanit?
Vizitori im dje nga Pakistani, Shefi i Shtabit të Ushtrisë, gjenerali Qamar Bajwa, më siguroi qartësisht se restaurimi i Emiratit apo diktaturës së Talebanit nuk është në interesin e askujt në rajon, sidomos Pakistanit. Megjithatë tha ai, disa përfaqësues të nivelit të ulët në ushtri vazhdojnë të kundërshtojnë në disa raste. Është së pari çështje e vullnetit politik.
Shefi i Shtabit të ushtrisë pakistaneze shoqërohej nga shefi i Shtabit të ushtrisë britanike, gjenerali Nick Carter. Çfarë roli po luan Londra në përpjekjet për kufizimin e Talebanit?
Jemi miq me Gjeneralin Carter. Jemi njohur para më shumë se 10 vjetësh, qëkurse ai komandonte forcat e ISAF në Kandahar. Ai është një njeri i mrekullueshëm. Ndonjëherë në histori duhen njerëz të veçantë për t’u bërë bashkë në një krizë.
A është një marrëveshje sigurie mes Afganistanit dhe Pakistanit, kyçi për paqen në të ardhmen?
Më shumë se e rëndësishme. Por qëllimi im është neutraliteti i Afganistanit. Ne nuk duam një fuqi të re proteksioniste dhe nuk duam të jemi pjesë e rivaliteteve ndërkombëtare apo rajonale.
Si do të duket shoqëria nëse do të duhet të ndani pushtetin me Talebanin në të ardhmen? A do të detyrohen meshkujt të mbajnë mjekër të gjatë dhe femrat të mbahen mbyllur në shtëpi?
Pyesni Talebanin! Ne nuk do t’i lejojmë ata ta bëjnë një gjë të tillë. Talebani nuk do ta mundë rininën e Afganistanit dhe nënshtrojë atë.
Gjithçka është ndërtuar përgjatë 20 vjetëve mundet shumë shpejt të shpërbëhet. Në një natë të vetme p.sh, Talebani plaçkitën gjithçka mundën nga institucionet, shkollat dhe universitetet gjatë një sulmi në Kunduz. Mos ka shkuar kot e gjitha punë e bërë nga Perëndimi, përfshirë forcat e armatosura të Bundeswehr?
Ju siguroj se femrat nuk do të heqin dorë nga të drejtat e tyre këtu, as kanë nevojë për këshilltarë të huaj që t’i përfaqësojnë. 30% e administratës përbëhet nga femra, 58% e zyrtarëve të qeverisë janë të rinj, të mirë arsimuar dhe nën 40 vjeç. Ushtria jonë është një ushtri vullnetare. Shoqëria afgane mban një diskutim të gjallë brenda vetes dhe merr vendime sovrane. Mendoj se kjo vetëdije në shoqëri është e pakthyeshme.
…
Çfarë mund ta bindë Talebanin për t’iu nënshtruar një procesi paqeje?
Në çdo rast, diplomacia perëndimore duhet të ndalë së përkëdheluri ata. Talebanët janë kriminelë. Ata vrasin njerëz të pafajshëm – siç bënë pak ditë më parë në një sulm mbi një autobus të një shkolle vajzash në Kabul, në Dasht-e-Barchi, që mori jetën e 85 njerëzve. Mos u jepni vlerë këtyre kriminelëve sikur të jenë qeveria hije.
…
Sa besim keni ju personalisht për të ardhmen e vendit tuaj? Keni frikë se nëse çdo gjë shkon keq do të përfundoni duke ikur nga Kabuli me avionin e fundit, siç bënë amerikanër në Vietnam?
E di që jam një plumb larg nga vdekja. Ka patur shumë tentativa vrasjeje ndaj meje. Por Afganistani nuk është Vietnami i Jugut dhe unë nuk jamë në këtë detyrë përmes grushtit të shtetit. Unë jam zgjedhur nga populli. Nuk kam patur ndonjë truprojë amerikane apo një tank amerikan të më mbrojë. Përpara se të bëhesha presidenti, kam jetuar jashtë për 28 vjet dhe kam patur një karrierë të suksesshme. Por nuk isha i lumtur. Asnjë fuqi në botë nuk mund të bindë mua që tani të marr një avion dhe të braktis vendin tim. Është vendi që dua dhe do të vdes së mbrojturi të.
Përkthimi me shkurtime dhe titulli shqip: ResPublica
Add new comment