Raketa kineze shpërbëhet mbi Oqeanin Indian
Një segment i raketës kineze pas hyrjes në atmosferën e Tokës u shpërbë mbi Oqeanin Indian. Lajmin e bëri të ditur agjencia kineze e hapësirës, vetëm pak orë pas spekulimeve se objekti me peshë 18 tonë mund të binte në ndonjë zonë të banuar.
Zyrtarët në Pekin kishin thënë se rreziku nga raketa ishte i vogël. Segmenti që u dogj mbi Oqeanin Indian i përket raketës Long March-5B, e cila më 29 prill dërgoi në orbitën e Tokës modulin e parë kinez të një stacioni hapësinor.
Megjithatë, agjencia amerikane e hapësirës NASA dhe disa ekspertë thanë se Kina ishte sjellë në mënyrë të papërgjegjshme, pasi një hyrje e pakontrolluar e një objekti kaq të madh rrezikonte dëme dhe viktima.
Akuzat për neglizhencë
Objektet gjenerojnë sasi të mëdha nxehtësie dhe fërkimesh kur hyjnë në atmosferë, gjë që mund të shkaktojë djegien dhe shpërbërjen e tyre. Por objekte të mëdha si raketa në fjalë mund të mos shkatërrohen plotësisht. Mbetjet e tyre mund të bien në sipërfaqen e planetit dhe mund të shkaktojnë dëme dhe viktima, megjithëse rreziku është i ulët.
Vitin e kaluar, mbeturinat nga një raketë tjetër kineze March Long ranë në fshatrat e Bregut të Fildishtë, duke shkaktuar dëme strukturore, por viktima.
Dy raketat në fjalë renditen në vendin e katërt për nga madhësia e një objekti të pakontrolluar që rikthehet në Tokë.
Pasiguria dhe rreziqet e një rikthimi të tillë u shoqëruan me akuzat për papërgjegjshmëri nga ana e Pekinit.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Lloyd Austin, tha javën e kaluar se Kina kishte qenë neglizhente, ndërsa administratori i NASA-s, Bill Nelson, bëri të njëjtën gjë pas rënies së raketës.
"Vendet që kanë dalë në hapësirë duhet të minimizojnë rreziqet nga rikthimi në Tokë i objekteve hapësinore dhe të maksimizojnë transparencën në lidhje me ato operacione. Është e qartë se Kina nuk po arrin të përmbushë standardet e përgjegjshmërisë në lidhje me mbeturinat e saj hapësinore", citohet ai nga France 24.
Ambiciet hapësinore të Kinës
Për të shmangur skenarë të tillë, disa ekspertë kanë rekomanduar një ridizajnim të raketës Long March-5B - e cila nuk është e pajisur për zbritje të kontrolluar.
Pekini ka investuar miliarda dollarë në eksplorimin e hapësirës, në funksion të ambicies së saj hapsinore dhe teknologjike.
Nisja e modulit të parë të stacionit të tij hapësinor - nga raketa Long March që u u kthye në Tokë në mënyrë të pakontrolluar - ishte një moment historik në planin e tij ambicioz për të krijuar një prani të përhershme njerëzore në hapësirë.
Add new comment