Inteligjenca artificiale në gjurmët e autorëve të dorëshkrimeve të Detit të Vdekur
Një nga pyetjet që nuk kanë gjetur përgjigje është se kush është autori i shkrimeve në ato që njihen si Rrotullat e Detit të Vdekur. Për t’i dhënë përgjigje këaj pyetjeje lidhur me dorëshkrimet 2 000-vjeçare, studiuesit holandezë kanë përdorur inteligjencën artificiale.
Ekipi i studiuesve biblikë dhe shkencëtarëve të informatikës nga Universiteti i Groningenit e testoi këtë në të ashtuquajturën Rrotulla e Madhe e Isaia-s. Studimi i botuar në fillim të kësaj jave në revistën PLOS ONE, konfirmoi se rrotulla, e cila përmban tekstin e Librit biblik të Isaisë, ishte shkruar nga dy duar të ndryshme.
Kjo gjetje hap derën për një qasje krejtësisht të ndryshme për të studiuar Rrotullat e Detit të Vdekur. Ndërsa analiza e përmbajtjes do të mbetet e rëndësishme, metoda e re e mbështetur nga inteligjenca artificiale do t'u japë studiuesve prova fizike për të lidhur dorëshkrime të ndryshme të shkruara nga e njëjta dorë.
Metoda në fjalë përfshinte algoritme të dizajnuara nga kandidati i PhD, Maruf Dhali dhe Lambert Schomaker, profesor i Shkencave Kompjuterike dhe Inteligjencës Artificiale në Groningen. Rrjetet e tyre nervore artificiale u mësuan që së pari të dallonin gjurmët e bojës nga pergamena dhe më pas të gjenin modele statistikisht të rëndësishme në stilimin e karaktereve, duke përfshirë lakimin e ndryshuar dhe format e elementeve të ndryshëm brenda shkronjave.
Avantazhi i përdorimit të kompjuterëve për këtë lloj analize është se, ndryshe nga syri i njeriut, një makinë mund të krahasojë qindra ose mijëra karakteristika të ndryshme të një karakterit në të njëjtën kohë.
Dorëshkrimet e Detit të Vdekur u gjetën në vitin 1947 nga barinjtë beduinë në një shpellë pranë vendbanimit antik të Qumran. Mijëra tekste të tjera fragmentare u shfaqën në dekadat vijuese pranë Qumran dhe në vendet e tjera nëpër shkretëtirën përreth Judesë – ndërsa zbulimi i fundit u njoftua nga arkeologët izraelitë në mars.
Add new comment