BE: Moska ka përgjegjësi për gjendjen e Navalnit
BE bën përgjegjëse Moskën për gjendjen e liderit të opozitës, Aleksei Navalni. Shefi i diplomacisë europiane, Joseph Borrell, në një videokonferencë me ministrat e Jashtëm të BE-së ka kërkuar që Navalni të asistohet nga mjekët e tij.
“Gjendja e Navalnit është kritike. Mësuam se ai u transferua në spitalin e burgut. Ne kërkojmë që të ketë qasje të menjëhershme tek mjekët e tuaj të besuar. Ne e konsiderojmë Rusinë përgjegjëse për shëndetin e Navalni-t”, citohet Borrell nga ANSA.
Megjithatë, Borrell shpjegoi se nuk ka sanksione të reja kundër Moskës, megjithëse situata mund të ndryshojë.
Mbajtja në burg e Navalnit do të jetë në qendër të punës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, këtë javë në seancë plenare. Organi i Strasburgut po përgatit një rezolutë mbi arrestimin dhe ndalimin në janar të këtij viti të kundërshtarit politik të Vladimir Putinit. Rezoluta do të diskutohet dhe votohet të enjten në mëngjes.
Futjen në seancë të çështjes Navalni e kanë kërkuar 5 grupet politike të asamblesë, të cilat kërkuan edhe një debat dhe votim "mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Turqi".
Add new comment