Pandemia pa fund e pacientëve me CoVid të gjatë

Postuar në 15 Prill, 2021 16:57
Intervistoi: Alvin Powell

 

Ndërsa vijon gara e vaksinimit, mjekët dhe shkencëtarët po kthejnë vëmendjen te një numër gjithnjë e më i madh njerëzish, që njihen si pacientët e Covid-it të gjatë. Janë ajo kategori e njerëzve që vazhdojnë të ndiejnë simptoma shumë kohë pas ditëve ose javëve që konsiderohen normale për sëmundjen. Çuditërisht, këta pacientë janë në moshë të re në disa raste thjesht kanë vuajtur një formë të lehtë të sëmundjes.

Muajin e kaluar, Qendra Mjekësore Beth Israel Deaconess nisi një program të ri për të ofruar kujdes klinik për këtë kategori dhe për të hetuar arsyet pse ajo gjendje zgjat. “The Harvard Gazzette” ka intervistuar në lidhje me këtë çështje Jason Maley, instruktor i Shkollës Mjekësore të Harvardit në mjekësi dhe drejtor i Programit të Sëmundjeve Kritike të BIDMC dhe Programit të Mbijetesës COVID-19. Ai ka trajtuar rreth 300 pacientë me një gjendje të tillë.

Çfarë është COVID-i i gjatë dhe si ndryshon nga gjendja e zakonshme COVID-19 me të cilën jemi njohur gjatë vitit të fundit?

COVID-i i gjatë ose ajo që tani - përmes Instituteve Kombëtare të Shëndetit – po i referohemi si "pasojat akute të COVID-19", janë simptoma të vazhdueshme ose simptoma të reja që zhvillohen, në përgjithësi, të paktën katër deri në tetë javë pas infeksionit fillestar me COVID-19. Ato mund të përfshijë vazhdimin e simptomave fillestare si gulçim ose lodhje, ose mund të jenë simptoma të reja ku një pacient ndihet sikur është përmirësuar dhe po shërohet dhe një muaj pasi është infektuar, ndiejnë përkeqësim në zonën e gjoksit dhe atë që mjekët e kanë cilësuar “mjegullim i trurit” dhe të gjitha llojet e simptomave që mund të vazhdojnë nga koka te këmbët .

Disa njerëz, për dy javët e para të infektimit, kanë shfaqur simptoma të ngjashme me të ftohurën, që zgjatën për tre ditë. Ata ndiheshin sikur ishin mirë dhe më pas gjatë katër muajve që pasonin ndiheshin shumë të lodhur. Ata mezi mbusheshin me frymë edhe gjatë një ecjeje të thjeshtë dhe i kishin këto simptoma të tjera të rënda.

A e dimë sa zgjat kjo?

Grupe pacientësh kanë ecuri të ndryshme. Disa njerëz, jo rrallë, rikuperohen ngadalë dhe u duhen tre deri në gjashtë muaj që të kthehen në ndjesinë se kanë nivelin normal të energjisë dhe se frymëmarrja e tyre po përmirësohet. Të tjerët, edhe pse kishin kaluar nëntë ose 12 muaj nga infeksioni, ende nuk kishin vërejtur ndonjë përmirësim. Ata ndiheshin të rraskapitur gjatë gjithë ditës dhe kishin vështirësi të mëdha për të bërë punën e tyre për shkak të problemeve të kujtesës dhe të menduarit, problemeve të frymëmarrjes dhe simptomave të tjera.

A kanë ata potencialin për të infektuar?

Ata nuk janë infektivë. Shumica e pacientëve që e kanë këtë përmirësim fillestar dhe më pas kanë përkeqësim të simptomave, shpesh kthehen dhe testohen për së dyti sepse janë të shqetësuar se mund të jenë infektuar përsëri, ose mund të jenë akoma infektivë. Po ne për pjesën më të madhe nuk kemi zbuluar kalimin e infeksionit.

Çfarë është kjo formë? A po futet virusi në vende që nuk futet në rastet tipike COVID, në tru, për shembull? Apo kjo vjen nga diçka tjetër, p.sh. trupi që reagon tepër?

Ka disa teori aktuale në lidhje me sistemin imunitar dhe manifestimet e COVID-it të gjatë që po shohim. Të gjitha janë të paprovuara në këtë pikë, dhe mendoj se në fund të fundit mund të ketë disa shpjegime për llojet e ndryshme të simptomave. Ne po shohim raste të COVID-it të gjatë më shpesh tek njerëzit që nuk kishin COVID të rëndë fillimisht, dhe mund të ketë të dhëna se qëndrueshmëria e përgjigjes imune dhe aktivizimi i vazhdueshëm imunitar i mëvonshëm mund të nxisin simptomat. Ka pasur hipoteza se mund të ketë virus në nivele të ulëta ende, edhe pse nuk ka prova për ta provuar këtë. Pastaj ekziston mundësia që të ketë pasur dëme fillestare nga virusi - siç është dëmtimi i rrugëve nervore që shërohen shumë ngadalë. Kjo mund të shpjegojë disa nga simptomat e forta neurologjike dhe dhimbjet që përjetojnë pacientët edhe pasi e kanë kaluar lehtë COVID-in dhe mund të duhen shumë muaj për t'u përmirësuar.

Ju thatë se ka tendencë të gjendet tek të rinjtë. A ka ndonjë grupmoshë specifike apo demografike që duket se është më e rrezikuar?

Ne po e shohim këtë fenomen nga adoleshentët, tek njerëzit në të 50-at. Kjo mund të vijë për shkak se të rinjtë e shëndetshëm shqetësohen më shumë nga simptomat dhe janë më të angazhuar në gjetjen e përgjigjeve, ose mund të ketë diçka unike për mekanizmat e COVID të gjatë që prek më shumë këta pacientë. Në klinikën tone janë kryesisht njerëz nga 20 deri në 50 vjeç. Është e pazakontë për ne të shohim dikë me këto lloj simptomash, që është i moshuar ose që kishte COVID të rëndë fillimisht, megjithëse kjo mund të jetë thjesht sepse ata pacientë kanë probleme të tjera të rënda shëndetësore për të cilat shkojnë te mjeku dhe nuk do të thotë domosdoshmërisht që këta pacientë nuk po përjetojnë COVID të gjatë. Në përgjithësi, COVID-i i gjatë u referohet simptomave të pashpjegueshme që janë zakonisht tek të rinjtë.

A mund t’i ndihmojë vaksina këta njerëz?

Nuk mund ta them këtë, por mund të tregoj përvojat e njerëzve. Dy anketa kanë treguar se rreth 1/3 e pacientëve me Covid të gjatë kanë raportuar përmirësim të simptomave disa javë pas vakisnimit. Nuk mund të thuhet me siguri nëse ka efekt vaksina, përmes mekanizmave të saj të imunitetit, apo thjesht njerëzit pas disa muajsh ndiejnë ndryshim pozitiv.

Pra, për shkak se COVID i gjatë nuk është shumë problematik sa të kërkojë shtrim në spital, këta njerëz priren të vuajnë në shtëpi?

Shumica e tyre janë në shtëpi, por ka pacientë të cilëve u është dashur të shkojnë në spital për simptoma të rënda - disa kanë probleme të tretjes, nuk arrijnë të hanë siç duhet, për shembull. Simptoma të ndryshme kanë sjellë pacientë në spital dhe njerëzit shpesh shkojnë në urgjencë kur fillimisht zhvillojnë COVID të gjatë sepse ndiejnë shqetësim në gjoks dhe kanë vështirësi në frymëmarrje.

A keni ndonjë dyshim se problemi i tyre do të zgjidhet apo mund të ketë njerëz që vazhdojnë të luftojnë me të për një kohë të gjatë?

Kjo është një pyetje e vështirë. Pacientët kanë tendencë të përmirësohen me kalimin e kohës dhe t’i kthehen jetës së tyre, megjithëse disa e bëjnë këtë brenda katër muajve, dhe të tjerë kanë 9-12 muaj që e kanë kaluar virusin dhe ende kanë simptoma të rënda. Unë dyshoj se do të vijojmë të shohim pacientë me një gjendje të tillë edhe për disa vite. Shpresojmë të mësojmë më shumë dhe të jemi në gjendje t’i ndihmojmë ata të përmirësohen. Shumë nga ato që ne po bëjmë tani janë përqendruar në rehabilitimin: aktivitetet fizike, aktivitetet konjitive që ndihmojnë në rikthimin në normalitet.

Përkthyer me shkurtime nga: "The Harvard Gazzette"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.