Marrëveshja sekrete e Biden: Të jap vaksinën, ndalo emigrantët
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur t’i japin Meksikës 2.5 milionë doza të vaksinës AstraZeneca. Ajo që duket si përgjigjja e dhënë kërkesës për ndihmë nga presidenti meksikan në fakt rezulton një marrëveshje e tipit “më jep të të jap”. Donacioni përkon me një seri kërkesash që administrata e Bidenit i ka dërguar vendit fqinj për të kufizuar krizën e migrantëve përgjatë kufirit.
Të dy palët e mohojnë kategorikisht se çështjet në fjalë kanë lidhje. Por sipas “New York Times”, gjithçka është vendosur gjatë një takimi online në fillim të marsit. Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador dhe homologu amerikan, Joe Biden, siç konfirmojnë ekspertët, kanë diskutuar si për problemin e emigrantëve në kufi, edhe për nevojën e madhe për vaksinë në Meksikë. Dhe Amerika e ka një të tillë që pret në frigoriferë konfirmimin nga agjencia e barnave. Ndërkohë, me rreth 196 mijë viktima, Meksika është vendi i tretë në botë për vdekshmërinë nga Covid-19.
E gjithë kjo ndodh në një moment kur numri i emigrantëve amerikano-latinë që mbërrijnë në kufirin jugor të SHBA është rritur në mënyrë eksponenciale. Gjatë shkurtit atje janë ndaluar 100 mijë emigrantë, ndërsa në mars mbërrijnë mesatarisht 4 mijë vetë vetëm brenda një dite.
Shifrat në fjalë mund të kthehen në rekordin e 20 viteve të fundit. Kjo rritje vjen për shkak të ekonomisë së dobët, e goditur edhe nga pandemia dhe vendimi i Biden për të mos ndjekur politikat anti-migratore të Trump-it.
Ajo që duket si prova përfundimtare e marrëveshjes Biden-Lopez Obrador është fakti se qeveria e këtij të fundit ka njoftuar mbylljen e kufirit me Guatemalën dhe Belizen, ndërsa xhandarmëria meksikane është sërish në zbatim të plotë të detyrës.
Add new comment