Gjenden në Izrael fragmente të një Bible të shekullit II
Fragmente të Biblës janë gjetur në një shpellë në shkretëtirën e Judës në Izrael. Zbulimi i parë që nga vitet 1950, ato i përkasin rreth 2000 viteve më parë. Një ekip nga Autoriteti Izraelit i Antikiteteve (IAA), i cili që nga viti 2017 ka gërmuar në disa shpella në këtë zonë, thatësia proverbiale e së cilave e favorizon ruajtjen, ka gjetur fragmente në greqisht nga periudha e Bar Kokhba, njeriu që në shekullin e dytë pas Krishtit udhëhoqi revoltën e tretë hebraike kundër Perandorisë Romake. Fragmentet, të fshehura dhe të mbrojtura nga sedimentet e shekujve, përmbajnë tekste të profetëve Zekaria dhe Nahum, raporton Avvenire.
Zbulime të tjera të jashtëzakonshme dolën në dritë në një zonë tjetër të gërmimit: trupi i mumifikuar i një vajze që ka jetuar para 6 000 vjetësh, monedha nga e njëjta periudhë, fragmente biblike dhe një shportë e paprekur 10 000 vjeçare, më e vjetra e këtij lloji. Zona ku u gjetën fragmentet nuk është larg nga Qumran, vendi ku u gjetën shumica e rrotullave të famshme të Detit të Vdekur midis 1947 dhe 1956, rreth 900 dokumente mes të cilave libra të Biblës hebraike dhe tekste të bashkësisë lokale. Rrotullat e Detit të Vdekur përfaqësojnë dëshminë më të vjetër të një teksti biblik, që daton midis 150 p.e.s. dhe 70 pas Krishtit.
Fragmentet u gjetën në një shpellë në rezervatin Naval Herver. Shpella ndodhet 80 metra poshtë majës së kodrës dhe në të zbresësh me litar. Sipas arkeologëve, ajo u përdor gati 2 000 vjet më parë nga hebrenjtë që iu arratisën trazirave anti-romake pas shkatërrimit të tempullit në Jeruzalem. Në fragmente, të shkruara në greqisht, ekspertët izraelitë kanë gjetur dhe rindërtuar 11 rreshta teksti nga libri i profetit Zekaria dhe një varg nga ai i Naumit.
Add new comment