Ish-presidentja e Bolivisë arrestohet për grusht shteti
Presidentja e përkohshme që mori detyrën në Bolivi pas rrëzimit të Evo Morales është arrestuar me dyshimin e organizimit të një kryengritjeje.
Jeanine Anez u vu në pranga pasi gjykata lëshoi të premten urdhrin e arrestimit të saj, njoftoi ministri Carlos del Castillo në Twitter. Ai e cilësoi arrestimin si një hap përpara për t'i dhënë popullit bolivian drejtësinë e merituar.
Mediat boliviane publikuan pamje të ish-presidentes teksa shkonte në paraburgim.
Anez dhe anëtarët e tjerë të qeverisë së saj janë akuzuar për kryengritje, terrorizëm dhe komplot për mënyrën se si ata e morën dhe e mbajtën pushtetin.
Vetë Anez e ka cilësuar arrestimin "abuzim dhe finalizim të një përndjekjeje politike", duke mohuar që në vend të jetë bërë ndonjëherë grusht shteti.
Anez shërbeu si presidente e përkohshme e Bolivisë pasi protestat e dhunshme masive në vitin 2019 e detyruan Morales të jepte dorëheqjen dhe të largohej nga vendi.
Trazirat nisën pas akuzave për mashtrim zgjedhor, të cilat më vonë u zbulua se ishin të pabazuara në pjesën më të madhe të tyre.
Qeveria e Anez e vuri ushtrinë kundër mbështetësve të Morales, të cilët organizuan kundër-protesta dhe ajo përkohësisht u dha trupave imunitet nga ndjekja penale për veprimet e tyre ndërsa ata vunë nën kontroll kundërshtarët.
Morales u detyrua të lërë vendin pasi forcat e sigurisë boliviane dolën në krah të kundërshtarëve të tij, ndërsa qeveria e përkohshme e Anez më vonë mori pushtetin.
Sidoqoftë, ajo u tërhoq nga kandidimi në zgjedhjet e vitit 2020, një ditë pasi sondazhet treguan se kryesonte kandidati pro-Morales.
Lëvizja për Socializmin (MAS), partia e Morales, u rikthye pasi fitoi zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit 2020 dhe i dha presidencën Luis Arce.
Add new comment