Salla e koncerteve, 2 mln € i paguan qeveria
Për implementimin e projektit të sallës së madhe të koncerteve në Universitetin e Arteve, sipas marrëveshjes së nënshkruar këtë të hënë mes Ministrisë së Kulturës dhe TAP, qeverisë shqiptare do t’i duhet të paguajë 2 milionë euro. Kësaj marrëveshjeje 7 muaj më parë i parapriu një tjetër që përfshinte edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë Italiane të Bashkëpunimit për zhvillim, ku nënshkruhej se vetëm studimi i fizibilitetit të sallës, kërkonte 150 mijë euro. E njëjta kosto siç bën me dije përfaqësuesi i TAP është dashur edhe për hartimin e projektit.
“Përveç studimit të fizibilitetit nga gushti 2020 është kryer edhe faza projektuese dhe projekti i detajuar i zbatimit, i financuar nga TAP, është kryer nga studio Atelier-4 në bashkëpunim me universitetin e Firences. Është një financim 150 mijë euro të tjera. Pasi ka mbaruar projekti i detajuar, sot po nënshkruajmë vetëm për zbatimin. TAP do të financojë 1.7 milionë euro”, thotë Malfor Nuri, përfaqësues i TAP.
“Rreth 3.7 milionë, 1.7 prej të cilave mbulohen nga TAP. Pjesa tjetër janë nga qeveria shqiptare. Do të nisin menjëherë në përfundim të shpalljes së garës, dhe periudha e implementimit të projektit mendohet 14 muaj”, tha ministrja Elva Margariti.
Sa i përket mungesës së konkursit për restaurimin e sallës dhe zgjedhjes që ta kryejë “Atelier 4”, e njëjta studio që ka mori përsipër “ArTurbinën” dhe “Operan”, përfaqësuesi i TAP shprehet se ajo është përzgjedhur në bazë të standardeve të tyre.
Ministrja e Kulturës nuk thotë me saktësi, nëse implemetimi i projektit do të nisë para apo pas zgjedhjeve, mirëpo dikton për mediat afatet.
Margariti gjatë kësaj konference iu përgjigj interesit të mediave edhe lidhur me Komisionin e Posaçëm që u njoftua se do të ngrihej për atë atë që u etiketua si plagjiaturë e logos së “Operas”.
Pavarësisht këmbënguljes së gazetarëve, Margariti refuzoi të shpjegonte shkakun pse nuk është hapur një garë, për postin e drejtorit të TKOB, ndërkohë që drejtueses aktuale Zana Celës, prej më shumë se 5 muajsh i ka përfunduar mandati.
KOSTOT
150 MIJË EURO STUDIMI I FIZIBILITETIT
150 MIJË EURO HARTIMI I PROJEKTIT
3,7 MILIONË ZBATIMI I PROJEKTIT
MCN Tv
Add new comment