Me Trump ra autoriteti i elitave dhe iluzioni se sistemi demokratik i SHBA është i pacenueshëm
Çfarë ndodhi në SHBA? Çfarë përfaqëson Donald Trump dhe cila është gjurma e ushtrimit të pushtetit prej tij? Këto janë pyetje që kanë kohë që bëhen, por ato sapo kanë nisur të përshfaqin përgjigjet e para. 6 janari ishte padyshim një ndër përgjigjet bruto të një realiteti politik, social e ekonomik që është injoruar gjatë nga të dyja partitë kryesore në SHBA.
Për të kuptuar diçka më shumë për atë që po ndodh në SHBA, ne biseduam me z. Ernest Nasto, analist dhe studiues i politikës amerikane me banim në Chicago. Si një qytetar amerikan, por sërish i huaj pse i lindur dhe formuar jashtë saj, z. Nasto ka kështu edhe statusin e një vëzhguesi objektiv, cilësi kjo që kaq shumë mungon edhe në Shqipëri, ku flitet shumë për Amerikën, më saktë brohoritet për të, por pak debatohet për të.
***
Z. Nasto, aktualisht në SHBA sapo mbaroi një proces kundër ish-presidentit Donald Trump që siç është shkruar synonte më tepër të ndalonte pjesëmarrjen e tij në politikë dhe në gara elektorale në të ardhmen. Mendoni se kjo përpjekje ishte e përshtatshme për të adresuar një zhvillim si ai që pamë nga 6 janari 2021 e më pas?
Ky është një proces që në zhargonin juridik njihet si impeachment, d.m.th. shkarkim nga detyra i një zyrtari të zgjedhur, duke përfshirë edhe presidentin. Shumë vende me sisteme demokratike të tipit perëndimor parashikojnë në kushtetutat e tyre procedura të tilla, të cilave u nënshtrohen herë pas here presidentë apo kryeministra të akuzuar për shpërdorim detyre. Në Shtetet e Bashkuara kjo rregullohet nga Neni 1 i Kushtetutës dhe është vënë në veprim vetëm kundër 3 presidentëve: Andrew Johnson më 1868, Bill Clinton më 1998 dhe Donald Trump, pavarësisht se në asnjerin rast procesi s’ka mundur të kalojë në Senat dhe presidenti ka mbetur në detyrë. Por procesi ndaj Trump pati dy veçori në krahasim me të mëparshmit: Trump u bë i pari president që iu nënshtrua procesit dy herë me radhë, më 2020 dhe 2021, e po ashtu i pari ndaj të cilit procesi vazhdoi edhe pas mbarimit të mandatit presidencial.
Për mendimin tim ky proces i dytë ishte tërësisht i panevojshëm duke pasur parasysh situatën e rënduar të vendit dhe pasojat politike të mundshme. Kjo sepse Amerika është sot tepër e polarizuar dhe e përçarë dhe synimi më kryesor i drejtuesve të rinj duhej të ishte qetësimi i situatës me anë kompromisesh; për fat të keq procesi në fjalë vetëm sa e ashpërsoi më tej polarizimin. Këtë e them vetëm nga ana praktike, sepse ngjarja e 6 janarit ishte vërtet e rëndë dhe presidenti Trump meritonte të ndëshkohej për rolin e tij në nxitjen e saj me tërë veprimtarinë e tij publike sidomos pas zgjedhjeve të 3 nëntorit. Por siç e përmenda, nga ana praktike procesi s’mund të arrinte asgjë të mirë, e theksoj në situatën aktuale, aq më tepër që s’ekzistonte shumica e mjaftueshme e votave në Senat për të votuar kundër tij.
Meqë Trump s’është më president, pasoja e një vote të tillë do të ishte, siç e thatë edhe ju, ndalimi i pjesëmarrjes së tij në garën presidenciale më 2024. Ndërkaq një rrugë e ndërmjetme që u diskutua, por s’pati sukses, ishte ajo që quhet qortim, apo vërejtje publike (censure) me të cilën ishin dakort shumica e republikanëve dhe do të tregonte një shenjë uniteti për të cilin vendi ka aq shumë nevojë. Për fat të keq demokratët, megjithëse kanë edhe ata përgjegjësinë e tyre në krijimin e atmosferës së acaruar gjatë gjithë mandatit Trump, e sidomos gjatë vitit 2020, e hodhën poshtë këtë mundësi kompromisi.
Për Donald Trump është shkruar dhe folur shumë në SHBA dhe jashtë saj. Ju jetoni prej kohësh në Amerikë dhe ndiqni e analizoni nga afër evolucionin e shoqërisë amerikane, mbase formimi juaj në një kulturë tjetër ju ndihmon të jeni më objektiv. Në këtë kuadër, mendoni se Donald Trump është një dukuri e kohës sonë, një shfaqje tipike amerikane, e kulturës dhe shoqërisë së SHBA, apo një aksident në historinë e demokracisë së atij vendi?
Besoj se ardhja nga një kulturë tjetër më ndihmon vërtet të jem objektiv dhe do të thosha se dukuria Trump s’mund të konsiderohet aspak aksidentale. Ajo është shprehje e disa prirjeve të konstatuara, e gjithmonë e më të dukshme që prej viteve ‘70, siç janë globalizimi i vrullshëm, ndryshimet demografike si pasojë e drejtpërdrejtë e tij si edhe lindja dhe zhvillimi me hapa marramendëse i mediave sociale. Këto prirje janë pak a shumë të pranishme në të gjitha vendet perëndimore, pra mund të konsiderohen objektive, por në rastin e Shteteve të Bashkuara pasojat e padëshiruara të globalizimit janë përforcuar nga vetë tiparet e sistemit ekonomik amerikan. Me fjalë të tjera, humbja e vendeve të punës në industritë prodhuese për shkak të transferimit drejt Kinës, Indisë apo në përgjithësi drejt vendeve në zhvillim, ka prekur në një shkallë apo një tjetër të gjitha vendet e zhvilluara.
Mirëpo kjo pasojë e drejtpërdrejtë e globalizimit është përjetuar shumë më negativisht në Amerikë në krahasim me vendet e Europës, Kanadanë etj., pikërisht për shkak të dobësisë apo mungesës së strukturave sociale që merren me probleme të tilla, pra për shkak të individualizmit të njohur të sistemit amerikan. Kështu përgjigja direkte ndaj pyetjes suaj është se Trump dhe trumpizmi, është edhe shprehje e këtyre zhvillimeve të përgjithshme që përmenda, por njëkohësisht edhe i karakteristikave të veçanta të shoqërisë amerikane.
Cili është sipas jush çelësi i suksesit të Trump në politikën amerikane dhe sa mund të themi se ai bën pjesë në atë radhë politikanësh ngjitja e të cilëve i dedikohet kryesisht mediave të reja?
Suksesi më spektakolar i Trump në politikën amerikane, veçanërisht në aspektin elektoral, ishte se ai diti t’i kapë e t’i shfrytëzojë me mjeshtëri prirjet dhe pakënaqësitë anti-elitare dhe anti-intitucionale të lartpërmendura, t’u japë atyre legjitimitet të plotë në diskursin politik dhe të mundësojë që edhe politikanë të tjerë të sotëm ose të ardhshëm të shprehin pikëpamje të tilla. Në këtë mënyrë mesazhi i tij u fryu të gjithë thëngjijve të ndezur të antagonizmave ekzistuese të shoqërisë amerikane. E po ashtu ai e mbizotëroi plotësisht Partinë Republikane, duke e personalizuar atë në një masë tejet më të madhe se presidentët e kaluar.
Sa për mënyrat e reja të komunikimit nëpërmjet mediave sociale, mendoj se ato janë faktori më i rëndësishëm teknologjik për të kuptuar situatën ku ndodhen sot Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera perëndimore. Duhet të mbajmë këtu parasysh se pasoja më negative e globalizimit, që përbën si të thuash arsyen parësore të pakënaqësisë, është se elitat kanë marrë pjesën dërrmuese të përfitimeve prej tij, pra pabarazia ndërmjet elitave në fjalë dhe publikut, njerëzve të thjeshtë, ka ardhur duke u thelluar në përmasa galopante.
Mirëpo janë mediat sociale ato që kanë mundësuar mobilizimin e publikut dhe revoltën e tij kundër elitave dhe institucioneve, revoltë që solli në fuqi politikanë të tillë si Renzi në Itali më 2014 apo Tsipras në Greqi më 2015, e që çoi në fitoren e Brexit-it më 2016 (pa harruar këtu as të ashtuquajturën “pranverë arabe” më 2011). Pikërisht në këtë proces doli edhe Donald Trump më 2016: ai iu drejtua publikut kryesisht në Twitter, duke anashkaluar dhe injoruar hapur mediat tradicionale dhe duke u bërë kësisoj flamurtari i revoltës së amerikanëve ndaj institucioneve të përfaqësuara nga një politikane e karrierës si Hillary Clinton e cila ngërthente të gjitha të metat e elitave.
Në një shkrim të fundit për këtë temë, ju ndër të tjera shkruani se Donald Trump ka ditur të adresojë një ankth të thellë që lidhet me ndryshimin e balancave demografike në SHBA gërshetuar me ndarjen e teper te madhe mes dy partive kryesore dhe elektoratit të tyre. Nëse kjo është e vërtetë, a nuk kemi në këtë rast një moment realizimi në politikë të një kërkese që kundërvepron ndaj demagogjisë së “ëndrrës amerikane” dhe mënyrës se si demokracia ka funksionuar atje?
Kjo është vërtet një nga arsyet e revoltës trumpiane sepse punëtorët e bardhë janë tepër të pakënaqur nga rritja e vazhdueshme e numrit të imigrantëve me ngjyrë të cilët duket sikur po u marrin të bardhëve vendet e punës. Por nga ana tjetër karakteri demagogjik i mesazhit të Trump, që ka qenë deri diku edhe mesazhi i deritanishëm republikan, konsiston në atë që pakënaqësia drejtohet ndaj imigrantëve e jo ndaj kompanive prodhuese të cilat janë ato që mbyllin në fund të fundit fabrikat për t’i dërguar në vende të tjera.
Punëtorët e bardhë të mbetur kësisoj pa punë e shikojnë se “ëndrra amerikane” d.m.th. liria dhe shanset e barabarta për të gjithë, po u largohet gjithnjë e më tepër dhe s’kanë asnjë siguri se fëmijët e tyre do të kenë një jetë më të mirë sado të punojnë me përkushtim e ndershmëri. Duke shtuar këtu rolin e mediave sociale arriti të formohet revolta që thamë ndaj sistemit, që nxorri Trump si topuzin shkatërrimtar, e që rezulton tek e fundit të jetë më tepër nihiliste, pra kundër sistemit në vetvete, pa pasur asnjë ide se me çfarë mund të zëvendësohet.
Idetë në këtë lloj revolte duket se kanë fort pak rëndësi, dhe kjo u duk më së miri me vetë presidentin Trump: ai qeverisi si një republikan klasik, me shkurtime taksash e programesh sociale, me rritje të shpenzimeve ushtarake e me përkrahje për Izraelin, të cilat do t’i zbatonte padyshim çdonjeri prej rivalëve të tij republikanë më 2016. Ndërkaq entuziazmi dhe mbështetja pasionante për të s’kishin lidhje me politikat e tij, por me qendrimin haptazi përbuzës dhe armiqësor ndaj autoritetit të institucioneve, mediave dhe elitave, me fjalë të tjera ndaj vetë sistemit. Kjo ishte pra shprehje e negativitetit të përgjithshëm të amerikanëve ndaj politikës, e të votuarit jo për politika të caktuara që ti mendon se janë më të mira për ty e për vendin, por thjesht për inat të palës tjetër.
Ju theksoni se zhvillimi më dramatik në SHBA në këto kohë është demografia dhe se Trump kondensoi pikërisht këto kontraste të shoqërisë. Pra ne mund të themi se ai është befas përfaqësues i një shtrese të margjinalizuarish nga sistemi politik, globalizmi, por edhe e ardhmja. Si kanë bashkëjetuar me demokracinë këto ndjesi sipas përvojës dhe analizave tuaja meqë edhe banoni atje prej shumë vitesh?
Ndryshimet demografike janë pasoja më e drejtpërdrejtë dhe më e dukshme e globalizimit në lidhje me temën, sepse tranzicioni që po përjetojnë Shtetet e Bashkuara s’është provuar kurrë më parë nga një demokraci e pasur e tipit perëndimor. Zvogëlimi i shpejtë i numrit të të bardhëve me prejardhje anglo-saksone dhe besim protestant (të njohur me siglën WASP), që kanë qenë grupi historikisht mbizotërues i popullsisë, po shkakton edhe humbjen e ndikimit politik. Pakicat e deritanishme po kërkojnë intensivisht të drejta dhe barazi praktike në të gjitha fushat, në një kohë që popullsia e bardhë pritet të kalojë në pakicë brenda 25-30 viteve të ardhshme. Kjo sjell detyrimisht tensione të shumta, një ilustrim është p.sh. fakti se 2/3 e punëtorëve të bardhë shpreheshin më 2016 se zgjedhjet e atij viti ishin “shansi i fundit për të ndaluar rënien e Amerikës”, apo se ata ndjeheshin “të diskriminuar në vendin e tyre” për shkak të ideve politike apo besimit fetar.
Pikërisht këta janë ajo shtresa e margjinalizuarve, shqetësimet e të cilëve u shfrytëzuan sa mjeshtërisht aq edhe mjerisht nga Donald Trump tek i cili këto shtresa panë mbrojtësin e tyre, heroin e tyre kordhëtar. Dhe fakti që ai mundi ta bëjë këtë, t’i mobilizojë masivisht përkrahësit e tij, tregon rëndësinë e humbjes së besimit të publikut tek burimet e lartpërmendura tradicionale të informacionit, e cila u përçua pikërisht nëpërmjet mediave sociale. Por kjo tregon po ashtu edhe të metat serioze të sistemit demokratik amerikan, të drejtuar në fund të fundit nga elitat e shumëpërfolura, e që dëshmoi se s’ishte aspak në gjendje të kujdesej për problemet e kësaj shtrese.
Çfarë vendi zënë dhe çfarë sinjalizojnë në këtë kuadër lëvizje të tilla si BLM, Antifa dhe grupimet e ekstremit të djathtë, tek të cilat nuk mungojnë edhe manifestime paramilitare? A po ndryshon peizazhi politik në SHBA dhe gjykoni se janë këto embrione që do t’i japin më shumë formë të ardhmes përderisa siç shpreheni edhe ju se “konservatorët, pavarësisht nga kontrolli mbi Shtëpinë e Bardhë dhe Senatin për 4 vjet, mbi Dhomën e Përfaqësuesve në gjysmën e parë të presidencës Trump, si dhe mbi mjaft legjislatura të shteteve, po humbasin besimin në aftësinë e tyre për të fituar zgjedhje në të ardhmen”?
Lëvizjet si BLM, Antifa e të tjera të ekstremit të majtë, ashtu si edhe ato pro-Trump e të ekstremit të djathtë janë shprehje e polarizimit të tejskajshëm të shoqërisë amerikane, dhe këtu dua të shtoj se përveç faktorëve të përgjithshëm sistemikë, si globalizimi, demografia apo dobësia e strukturave sociale mbrojtëse, përgjegjësia për të bie edhe mbi dy partitë kryesore. Kjo sepse strategjitë konkrete që ato kanë përqafuar prej viteve ‘70 kanë qenë krejt të ndryshme nga simotrat e tyre në vendet e tjera të zhvilluara. Kështu në anën e majtë Partia Demokrate braktisi traditat e mbrojtjes së interesave të punëtorëve të të gjitha racave në aleancë të ngushtë me unionet dhe preferoi të angazhohej me të madhe në politikat identitare, pra të përkrahjes së çdo pakice racore, seksuale, gjinore, etj.
Ndërsa në anën e kundërt u formua aleanca ndërmjet Partisë Republikane dhe grupimit politiko-religjioz të së Djathtës Fetare, e cila i shtyu republikanët tepër djathtas në fushën sociale. Kjo pati rëndësi të veçantë sepse përkrahja ekskluzive e njërës parti nga ana e liderëve kristianë u dha automatikisht një veshje morale politikave të saj, duke bërë që partia tjetër, demokratët, të perceptohet rrjedhimisht si imorale e bile armiqësore për Amerikën. Mendoj pra se ka një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet kësaj aleance dhe faktit që votuesit kristianë evangjelikë ishin dhe vazhdojnë të mbeten grupi më besnik ndaj Donald Trump, në një shtrembërim e përçudnim tërësor të mësimeve e parimeve më themelore të besimit kristian.
Ndërkaq demokratët vazhdojnë t’i shtyjnë në ekstremin tjetër politikat e tyre identitare dhe përkrahjen e dukurisë së njohur si political correctness dhe shprehjes së saj më të fundit, kulturës së fshirjes (cancel culture). Kjo dukuri synon të censurojë jo vetëm gjuhën dhe mënyrat e komunikimit publik, por edhe të rishkruajë tërë historinë e Amerikës e bile të të gjithë qytetërimit perëndimor, për ta pastruar me gjasë nga çdo gjurmë racizmi, shtypjeje e gjithfarëlloj sajesash të tjera. Ndikimi i këtyre prirjeve në polarizimin e vendit u pa edhe në zgjedhjet e fundit kur frika e konservatorëve prej tyre rezultoi të ishte një arsye kryesore e paraqitjes së dobët të kandidatëve demokratë në garat për Senatin e për Dhomën e Përfaqësuesve, pavarësisht nga fitorja në atë presidenciale. Me demokratët në fuqi ato grupe e lëvizje do të jenë akoma më të pranishme në peizazhin politik dhe mendoj se do t’i çojnë më tej idete e tyre që duken sikur kanë dalë drejtpërsëdrejti nga faqet orwelliane të 1984.
Ata që mund t’u rezistojnë këtyre prirjeve, konservatorët, janë nën presionin demografik që analizuam më lart, prandaj Partia Republikane gjendet para imperativit të zgjerimit të bazës së saj. Përndryshe, nëse ajo humbet besimin se mund të fitojë pushtetin me zgjedhje të rregullta dhe vazhdon të identifikohet me popullsinë e bardhë në rënie, ajo do të mbetet në kthetrat e trumpizmit, gjë që nuk paralajmëron asgjë të mirë për të ardhmen e demokracisë amerikane në mes të dy ekstremeve të tilla.
Donald Trump është ndoshta presidenti që më shumë se të tjerët të paktën ka folur për ato që ai i quan dëme në ekonominë amerikane nga globalizmi. Mendoni se disa vendime të tij si tërheqja nga Marrëveshja e Vendeve të Paqësorit, qëndrimet kundër Nord Stream 2, raportet me Kinën, do të mbeten të pandryshuara për politikën e jashtme amerikane?
E thamë se globalizmi si strategji në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe globalizimi si rrjedhojë praktike po akuzohen prej kohësh si burimi i të gjitha problemeve të vendeve të zhvilluara dhe sidomos të Shteteve të Bashkuara, prej ku edhe prirjet e kundërta nacionaliste, d.m.th. për një botë “secili për vete”. Po s’duhet të harrojmë se roli i amerikanëve si garantues të rendit të ri liberal që doli nga Lufta e Dytë u mbështet pikërisht në përvojat e hidhura të të dy konflikteve botërore. Fakti është se edhe “rendet” e kaluara, pra periudhat e paqes dhe bashkëpunimit janë garantuar gjithmonë nga një apo disa fuqi dominuese, si Roma, flota mbretërore angleze në shekujt XVIII-XIX apo Koncerti Europian në shekullin XIX pas konflikteve napoleoniane.
E kështu ka qenë edhe rendi i deritanishëm amerikan. Nuk ka asnjë kuptim të pretendosh, siç bëri me të madhe Donald Trump, që Amerikës deri tani vetëm ja kanë hedhur, e të synosh të kthehesh në një botë të dominuar nga të fortët e zonave të ndryshme si rusët, kinezët, apo ajatollahët e Iranit. E kam fjalën që Trump e çoi në ekstrem sulmin ndaj sistemit ekzistues, mirëpo një pasojë shumë pozitive ishte se ai vuri në dukje anë tepër negative të sistemit në fjalë, të cilat administrata e re duhet të gjejë mënyra për t’i riparuar. Dhe hapi i parë është rikthimi në forumet ndërkombëtare, sepse vetëm ashtu Amerika mund t’i ndikojë ato, jo duke u tërhequr e duke ua lënë dominimin të tjerëve.
Konkretisht mendoj se administrata do t’i bashkohet Marrëveshjes së Paqësorit meqë dhe presidenti Biden e ka përkrahur edhe duke pasur parasysh synimin për të kufizuar sadopak rolin e Kinës. Ndërsa për marrëdhëniet dypalëshe me këtë të fundit qendrimi duket se do të jetë njëkohësisht edhe më i prirur ndaj dialogut, edhe më i vendosur, krahasimisht me administratën Obama, në mbrojtjen e interesave amerikane e në kërkimin e llogarisë për shkeljet e rregullave nga superfuqia aziatike.
Sa për Nord Stream 2 sekretari i shtetit Blinken është shprehur se do të vazhdojë ta kundërshtojë, por Shtëpia e Bardhë ndodhet përpara detyrës së vështirë të rregullimit të dëmeve të shkaktuara në marrëdhëniet trans-atlantike në përgjithësi nga politikat e mëparshme. Amerikanëve do t’u duhet kësisoj të kombinojnë edhe trajtimin e pasojave të dëmshme të mundshme të projektit, edhe nevojën e kundërshtimit të ekspansionit rus. Një mënyrë kompromisi mund të jetë rikthimi tek respekti dhe bashkëpunimi i shtuar me Gjermaninë, duke i larguar mosmarrëveshjet për këtë pikë nga qendra e vëmendjes në marrëdhëniet me aleatin e madh europian e duke u përqendruar më tepër tek synimet e përbashkëta.
Çfarë ka ndryshuar më shumë dhe ndoshta në mënyrë të pakthyeshme në SHBA gjatë këtij 4 vjeçari historik?
Ajo që ka ndryshuar më fort për mendimin tim është ideja, ose më mirë iluzioni, se gjërat në Amerikë shkojnë mirë, se sistemi demokratik i saj është i pacenueshëm. Këtë po e jap me një krahasim që e kam përdorur edhe më parë: vitet trumpiane, sidomos periudha pas zgjedhjeve deri në 6 janarin e kaluar ishin si ato momentet në filmat historikë kur rrethuesit godasin me bridash portën e kështjellës, sepse i tillë ishte sulmi i presidentit Trump kundër demokracisë. Në këtë rast kështjella rezistoi, por jo sepse porta e saj, d.m.th. ligjet, ishte e fortë dhe e patundshme. Ajo rezistoi sepse me mijëra mbrojtës vunë duart e tyre të bashkuara prapa saj për ta mbajtur që të mos binte.
Më e rëndësishmja këtu, siç shpjegohet në një artikull të detajuar të Time Magazine, është se ata ishin nga të dy partitë, që lanë mënjanë diferencat partiake dhe u angazhuan në një përpjekje më së njëvjeçare me synimin e vetëm që zgjedhjet të ishin të rregullta dhe të gjitha votat të numëroheshin. Dhe këta s’ishin zyrtarë të lartë të partive, por veprimtarë të zakonshëm, gjë që tregon se demokracia nuk mbrohet kryesisht apo vetëm nëpërmjet ligjeve, por nga qendrimet dhe veprimet e njerëzve të thjeshtë kudo ku janë. Por nga ana tjetër pasoja më e madhe negative ishte vetë fakti që sulmi mundi të përgatitej e të ndodhte dhe që porta shkoi deri në prag të rënies, gjë që tregon se ajo demokraci është vërtet e brishtë dhe nuk mund të merret asnjëherë si e mirëqenë.
Forca e madhe e lëvizjes trumpiane dëshmoi gjithashtu për humbjen totale të autoritetit të elitave dhe ky është një tjetër ndryshim i pakthyeshëm. Ajo ishte e vazhdon të jetë shprehje e kundërshtimit të vendosur të masave të mëdha të votuesve amerikanë ndaj ideve të çmendura të së majtës, ndaj indoktrinimit deri edhe të fëmijëve në shkolla fillore me lloj-lloj konceptesh “të reja” për racën, gjininë, seksualitetin, “privilegjet”, “shtypjen” e lajthime të ngjashme. Nëse e majta vazhdon me kokëfortësi në rrugën e political correctness trumpizmi dhe populizmi i djathtë do të vazhdojnë të jenë gjallë e shëndoshë.
Dhe këtu hyn edhe një ndryshim i fundit që dua të theksoj, që është dalja në pah e korrupsionit të të dy partive të mëdha amerikane, që janë bërë krejt të paafta të zgjidhin problemet e votuesve të tyre, të përfshira siç janë nga prirjet skajore në të dy krahët. Për këtë arsye po fiton popullaritet ideja e një partie të tretë centriste, megjithëse kjo ka shumë pengesa për t’u realizuar (më kryesorja mungesa e një figure karizmatike), siç tregohet edhe nga numri madh i përpjekjeve të tilla të dështuara në historinë politike të vendit. Por një gjë është e sigurt, që as demokratët e as republikanët s’mund të vazhdojnë më si më parë.
Për ta mbyllur me atë që thashë në fillim, fakti është se trumpizmi ishte rrjedhim i natyrshëm zhvillimesh të thella dhe jo aksident i politikës amerikane. Ato zhvillime do të vazhdojnë të jenë të pranishme dhe mund të përqafohen fare lehtë nga politikanë të ardhshëm të cilët mund të mos synojnë thjesht shembjen e sistemit egzistues, por edhe transformimin apo zëvendësimin e tij me një të ri, pa asnjë garanci se ky i fundit do te jetë më i mirë. Prandaj janë të nevojshme reforma të vërteta nëse aktorët e skenës politike amerikane dëshirojnë të shmangin të papritura të tilla të pakëndshme.
Add new comment