Kuba lejon zgjerimin e bizneseve private
Në Kubë, për herë të parë shteti do të zgjerojë hapësirat për hapjen e biznesve private në shumicën e sektorëve. Ky hap që shënon një kthesë të madhe në vendin komunist u njoftua nga ministrja e Punës, Marta Elena Feito, sipas të cilës, lista e aktiviteteve të autorizuara zgjerohet nga 127, në më shumë se 2 000.
"Puna private vazhdon të zhvillohet dhe është objektivi i kësaj reforme", citon Feiton agjencia e lajmeve, AFP. Ajo tha se masa do të "ndihmojë në çlirimin e forcave prodhuese" të sektorit privat.
Vetëm disa sektorë mbeten ekskluzivitet i shtetit. Ekonomia e vendit komunist është goditur rëndë nga pandemia dhe sanksionet amerikane të administratës Trump. Vitin e kaluar, ekonomia kubane u tkurr me 11% - rënia e saj më e madhe në pothuajse tre dekada - dhe kubanët u mungojnë edhe produktet bazë.
Kjo kthesë në politikat ekonomike të Kubës mund të jetë një “injeksion” shpëtues për ato familje dhe individë që ushqejnë shpresat për të kaluar nga bizneset shumë të vogla në ndërmarrje të mesme. Përveç qindra mijëra fermave të vogla, sektori jo-shtetëror i Kubës përbëhet kryesisht nga biznese të vogla private të drejtuara nga artizanë, shoferë taksish dhe tregtarë. Rreth 600 000 njerëz, rreth 13% e fuqisë punëtore, u bashkuan me sektorin privat kur u krijua mundësia. Sidoqoftë, një numër i madh biznesesh private janë të përfshirë në industrinë turistike të ishullit, e cila është goditur rëndë nga pandemia dhe sanksionet. Duke pasur parasysh se sa ngadalë ecin reformat në Kubë, mund të duhet ende kohë para se shihet ndryshimi në ekonomi.
Add new comment