OBSH lëshon udhëzime të reja për trajtimin e pacientëve me Covid-19
Beteja me virusin SARS-Cov-2 është një përvojë e re edhe për komunitetin shkencor. Më shumë se një vit pas rastit të parë në Kinë, virusi ruan ende të panjohura. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) lëshoi sot këshilla të reja klinike për trajtimin e pacientëve me COVID-19, përfshirë ata që shfaqin simptoma të vazhdueshme pas shërimit. OBSH këshilloi përdorimin e dozave të ulëta antikoaguluesish për të parandaluar mpiksjen e gjakut.
“Ne rekomandojmë përdorimin e antikoagulantëve në doza të ulëta, sepse doza më të larta mund të çojnë në probleme të tjera”, tha zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris, në një konferencë të OKB që u mbajt në Gjenevë. Ndër udhëzimet për pacientët që po përballen me virusin në kushtet e shtëpisë, OBSH këshillon edhe mbajtjen e një oksimetri, që mund të shërbejë si indikator i nevojës për trajtim spitalor.
"Pacientët COVID-19 në shtëpi duhet të përdorin oksimetrin, që mat nivelet e oksigjenit, në mënyrë që të identifikojnë vetë nëse po përkeqësohen dhe ka ardhur koha për kujdes spitalor”, tha Harris. OBSH u këshillon mjekëve që t'i vendosnin pacientët në gjendje të zgjuar, në pozicion përmbys, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i oksigjenit.
Ndërkohë, ekipi i ekspertëve të OBSH-së, që janë aktualisht në Vuhan, ku u zbuluan rastet e para në fund të 2019-s, do të dalë nga karantina pas dy ditësh për të nisur punën së bashku me studiuesit kinezë aty ku nisi gjithçka.
Add new comment