Ministrja që nuk bëhet dot Lajm
Mediat u morën gjerë e gjatë me 21 janarin sot. Kryeministri shpalli dëshmorë, bëri apologjinë, vajtoi padrejtësinë, vuri ca lule dhe iku në punë të vet. Fundja është njeri i zënë, nuk ka kohë të harxhojë me të tilla lajle- lule. Megjthatë pyetja që sot vazhdon është se si ka mundësi që ky njeri të gënjejë kaq hapur? Si ka mundësi që ky individ të deklarojë se nuk bën dot drejtësi se nuk është gjykatës dhe prokuror, kur qeverisi për 4 vjet me Ilir Metën?
Gënjeshtra është e trashë, pafytyrësia është lëkurë origjinale tanimë. Për këtë arsye z. Rama bëri atë që di të bëjë më mirë: ndërroi muhabetin. Vuri ministren e Jashtme Olta Xhaçka të përzinte nga Shqipëria një diplomat rus me akuzën se nuk zbaton rregullat e kufizimeve në kushtet e pandemisë.
Groteskja me këtë shtet nuk njeh kufij kur në vend se të zbatojë masat administrative që ka miratuar vetë për pandeminë, shkon më tej dhe interpreton konventat ndërkombëtare në funksion të një mideje të ditës për probleme të tjera.
Por dëbimi nuk ngjiti edhe aq si lajm, çka mesa duket ilustron faktin se Olta Xhaçka nuk është lajm në asnjë rrethanë. Nuk është lajm edhe pse u akuzua në SPAK nga PD-ja për tenderat sekretë gjatë kohës që ishte në Ministrinë e Mbrojtjes, e që mandej u katapultua drejt Ministrisë së Jashtme, për të marrë një ditë më pas bekimin e ambasadores amerikane.
Këto gjëra kanë kaluar pa rënë në sy, me gjasë sepse ky është edhe talenti i zonjës në fjalë: të mos duket. Siç nuk u duk lajmi i dëbimit të diplomatit rus që në fakt provon se budallallëku shpesh është i dobishëm.
Add new comment