BREXIT vë në lëvizje ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar
Akti i dytë i shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian do të vendosë në tavolinë rishikimin e marrëdhënieve brenda vetë ishullit. Në një opinion publikuar në “Financial Times”, Philip Stephens, shkruan se shkëputja e Skocisë nuk është e pashmangshme, por marrëdhniet brenda Mbretërisë nuk mund të jenë më të njëjtat.
Në arkitekturën kushtetuese të Mbretërisë së Bashkuar janë shfaqur krisje. Brexit ka ndryshuar përgjithnjë balancën mes pjesëve konstituente të unionit në Mbretërinë e Bashkuar. Vendimi për të lënë BE-në ishte në thelbin e vet një shprehje e nacionalizmit anglez. Një rirregullim i marrëdhënieve brenda Mbretërisë së Bashkuar është i pashmangshëm dhe një ndarje e rrugëve një rrezik i pranishëm dhe real
shkruan autori.
Sipas tij problemi është Skocia dhe dallimi i qartë mes të dyja vendeve sidomos gjatë pandemisë, e cila ekspozoi dy modele. Kryeministrja skoceze arriti të fitojë besimin e njerëzve në dallim nga Boris Johnson- i vetëdeklaruar më shumë anglez sesa britanik- që vuri në diskutim kredibilitetin e vet.
Sfida imediate e vjen nga Skocia. Brexit ka zhvlerësuar votën e referendumit për pavarësi të mbajtur më 2014-ën në Skoci…që u shkëput nga BE kundër dëshirës së 62% të skocezëve që votuan për të qëndruar në BE. Kështu Brexit ka imponuar një zgjedhje të padëshiruar mes unionit me Anglinë dhe integrimit në Europë
vijon autori.
Formula e rirregullimit mbetet për t’u parë dhe ndarja e Skocisë nuk përjashtohet. E sigurtë duket se Johnson është problemi, një figurë që nuk bashkon, por ndan. Duhet një tjetër drejtues që “shpërndan pushtetin brenda Mbretërisë”, ndërkohë që opsioni i dytë është një ofertë për Skocinë, e cila së bashki me Uellsin dhe Irlandën e Veriut do të mund të krijojnë një bashkim federal.
Status quoja nuk është më një opsion
përfundon Stephens.
Add new comment