Metformina ul rrezikun e vdekjes së grave nga Covid-19
Një studim i kryer nga Universiteti i Minesotës dhe United Health Group konkludoi se rreziku i vdekjes është më i ulët te gratë. Metformina është një mjekim gjenerik për mbajtjen në nivelin e duhur të presionit të gjakut te pacientët me diabet të tipit 2. Gjithashtu, ajo redukton proteinat e inflamacionit si TNF-alfa që e përkeqësojnë COVID-19.
Studimi është ndër vëzhgimet më të mëdha që janë kryer deri tani me pacientë të infektuar me SARS-Cov-2. Rezultatet janë botuar në revistën shkencore “Lancet Healthy Longevity”.
Në funksion të këtij studimi, mjekët kanë analizuar rreth 6 000 individë me diabet të tipit 2 ose mbipeshë, që u shtruan në spital me COVID-19.
Ata zbuluan se gratë me diabet ose mbipeshë, të cilat ishin shtruar në spital për sëmundjen COVID-19 dhe u ishte dhënë metformina 90 ditë para shtrimit në spital, kishin një probabilitet të reduktuar prej 21% në 24% të vdekshmërisë në krahasim me gratë e tjera që nuk e kishin marrë këtë mjekim. Ndërsa te burrat nuk u vu re ndonjë ulje e ndjeshme e vdekshmërisë.
Rezultatet hapin një rrugë të re për kërkime kundër COVID-19. Ekipi i studiuesve ka paraqitur një aplikim në Administratën e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për përdorimin e metforminës për trajtimin dhe parandalimin e COVID-19, e cila e ka miratuar kërkesën.
Add new comment