Kur do bëhen premtime që mund të mbahen?

Postuar në 30 Nëntor, 2020 17:27

Sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim disi të veçantë. Sipas njoftimeve ai ka takuar nënat që kanë fëmijët në emigracion. Siç mund të pritet, z. Basha e ka shpallur prioritet rikthimin e rinisë në Shqipëri.

Cila është arsyeja e largimit të të rinjve? Cili është shkaku i largimit të tyre? Mungesa e shpresës, mungesa e perspektivës, mungesa e vendeve të punës. Kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur në krye të prioriteteve tona për qeverisjen e nesërme kthimin e shpresës te Shqipëria, me prioritet absolut të vendeve të punës, dhe në veçanti punësimin e rinisë. Dhe ky është një  tjetër prioritet për sa i përket rinisë në veçanti dhe mbylljes së  kësaj plage të emigracionit.

Qeveria e ardhshme do të ketë të njëjtën përgjegjësi siç silleni ju ndaj familjes. Qeveria e ardhshme do të sillet ndaj Shqipërisë me të njëjtën përgjegjësi siç sillen prindërit shqiptarë ndaj fëmijëve të tyre. Kjo duhet. Ju garantoj që do bëj gjithçka që jo vetëm të mos ju zhgënjej, por të përmbush pritshmëritë tuaja, nënave, grave, motrave dhe baballarëve, prindërve tanë dhe ta fusim Shqipërinë shumë shpejt në një rrugë të shpresës së zhvillimit, në një rrugë punësimi për të gjithë, e në radhë të parë për rininë

citohet të jetë shprehur z. Basha.

Shpallja e prioriteteve është e thjeshtë. Ajo është një apo disa fjali që mund të thuhet rëndom nëpër takime. Realizimi dhe madje materializimi i tyre si të tilla është tjetër gjë.

Ikja nga Shqipëria trajtohet nga politika opozitare si plagë, ndërkohë që një pjesë e madhe e prindërve projektojnë dhe punojnë për një të ardhme jashtë vendit për fëmijët e tyre. Rikthimi në vend nuk realizohet dot me politika qeverisëse afatshkurtra, por do të kryhet si pjesë e një procesi përmbyllësh gjeneratash që vendosin të kalojnë fundin e jetës në vendin e origjinës, sapo të kenë siguruar të ardhurat e mjaftueshme nga puna jashtë.

Kjo ka ndodhur me vende që kanë valë të mëdha emigrimi si Italia, apo Greqia. Shqipëria e sotme dhe edhe ajo e Lulzim Bashës nëse ky vjen në pushtet, është dhe do të mbetet jë vend i padrejtësive, ku qytetari i zakonshëm ka më pak të drejta se do të kishte si emigrant në Europë apo SHBA, që ka shumë më pak garanci ekonomike, shërbime të këqija, shkolla dhe spitale poshtë nivelit europian.

Pse atëherë dikush do të mendojë që fëmija i tij është mirë këtu? Për këtë Lulzim Basha mund të ketë përgjigje gati; ai akuzon qeverinë dhe ja, i lau duart. Por ajo që ai përfaqëson bashkë me njerëzit që ka pranë rikonfirmon atë që ne e kemi: Shqipëria është vendi i tij, i Edi Ramës, i Ilir Metës, Shefqet Kastratit, Samir Manes dhe Salillarit, Carapulit e të tjerëve që mbeten pronarët realë. Dhe po e bëjnë të trashëgueshme atë.

Vetë z. Basha nuk di, ose nuk do të shpjegojë sesi befas një ditë u gdhi me një vilë, se pse kunati I tij përflitet lart e poshtë për lloj lloj binzesesh që mbajnë era klientelizëm. Kështu që ndonëse edhe për sot ai e rregulloi një dalje në media, pra e bëri një lajm, e vërteta është se e mira e fëmijëve tanë është që të largohen për këtyre tipave, prej Edi Ramës, Ilir Metës. Sepse asgjë e mirë nuk vjen prej kësaj klase që po punon vetëm për të akaparuar pasurinë publike. Dhe sado që të marrin vota, sado të manipulojnë, këtë nuk e fsheshin dot. Tjetër punë nëse ka një kategori shqiptarësh që ka rënë dakord me veten që këta duhet të jenë pronarët e Shqipërisë. Në këtë kuptim, edhe për të mos fyer shumëkënd, z. Basha është e udhës të premtojë gjëra që kanë mundësi objektive për t’u përmbushur.

se.za

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.