Një Jo narrativës së rreme "kombëtare" të Tiranës

Postuar në 01 Shtator, 2020 13:50

Dritan Abazoviç, një politikan i ri shqiptar në Mal të Zi ka zënë titujt e parë të mediave shqip në rajon. 35 vjeçari i shkolluar në Sarajevë flet për Malin e Zi dhe jo për pakicat, duke zëvendësuar paradigmën e zakonshme, shqiptar për shqiptarët, sllav për sllavët. Ai duket se ka një rol për të luajtur pas procesit zgjedhor që sapo përfundoi në Malin e Zi dhe gjasat janë që të qëndrojë i patundur në qëndrimin e vet kundër presidentit aktual Milo Gjukanoviç.

Abazoviç, nëse shohim edhe shkollimin, por edhe referimin intelektual, nuk bën pjesë në ata politikanë që i nënshtrohen dhe mandej adoptojnë narrativën që vjen nga Shqipëria e cila di të flasë vetëm me gjuhën e drunjtë të bashkimit pa sens. P.sh z. Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë e quajti strategjike aleancën e shqiptarëve me Gjukanoviçin. Dhe në fakt, për aq sa intereson, Gjukanoviçi ka ditur të respektojë vendin tonë dhe të zhvillojë marrëdhënie të mira me të. Po ashtu ai ka ditur të orientohet në politikën e jashtme dhe të marrë vendimet e duhura.

Mirëpo ndoshta ky apel i z. Rama, ngjan si thirrja e dikurshme për krijimin e Aleancës së Qelbësirave, meqenëse korrupsoni është çështje e rëndësishme, madje tanimë strategjike për stabilitetin e një vendi si fqinji ynë. Këtë më mirë se kushdo e kuptojmë ne në Shqipëri, një vend që ka ezauruar çdo perspektivë dhe ka mbyllur veten në lojën pa kuptim të 4-5 vetëve.

Ndaj qëndrimi autonom i Abazoviç po kontekstualizohet në Tiranë apo edhe deri diku në Prishtinë brenda kornizës së politikës së xhonturqve që flasin publikisht vetëm për patriotizëm dhe nacionalizëm, por nga ana tjetër qëndrojnë në majë të piramidës së korrupsionit.

Sulmet për një lojë serbo-ruse kanë nisur dhe ato si zakonisht injorojnë faktin themelor se njeriu ka të drejtë, madje detyrim ndaj evolucionit që të MENDOJË. Me kokën e tij. Dhe ka shqiptarë që mesa duket refuzojnë bashkëjetesën me të ngjashmit e tyre etnikë, pse mendojnë se korrupsioni është një e keqe e madhe që ndan njerëzit në dy kategori. Duhet kuptuar njëherë e mirë se çdokush ka të drejtën të zgjedhë kontratën dhe konsesnsuin e vet social, mbi vlerat që beson dhe të mos dorëzohet verbërisht tek i ashtuquajturi unitet kombëtar, në emër të të cilit janë luajtur të gjitha skenat politike me këtë popull.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.