Pakti Molotov-Ribbentrop: preludi apo nisja e Luftës së Dytë Botërore?

Postuar në 26 Gusht, 2020 21:26

 

Rendi i prodhuar nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore nuk po pranohet më si legjitim. Dhe kontestimi ndonëse ka kohë që ka nisur (Ernst Nolte me librin e tij për totalitarizmat) tanimë ka zënë vend si pikëpamje dominuese për revizionimin e historisë. Problemi me historinë është se ai është përherë politik dhe nuk mbetet ngushtësisht një rrëfim i ftohtë i së vërtetës. 

Deri më sot kronologjia e ngjarjeve renditet kështu: 1 shtatori shënon shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore në vitin 1939 dhe 17 shtator i 1939-s është momenti kur Bashkimi Sovjetik pushtoi pjesë të Poloninë, një pasojë e drejtpërdrejtë e Paktit Ribbentrop-Molotov. 

Rikthimi te këto tri data të rëndësishme(përfshirë paktin Ribentrop-Molotov) u bë përmes optikës së katër historianëve nga katër vende të ndryshme të angazhuara direkt në zhvillimet e kohës në një diskutim të organizuar nga Rrjeti Europian për Kujtesën dhe Solidaritetin (European Network Remembrance and Solidarity - ENRS), Qendra për Kërkime Historike të Akademisë së Shkencave Polake në Berlin dhe dega me qendër në Berlin e Institutit Pilecki.

Marrëveshja Molotov-Ribbentrop ishte një pakt jo agresioni midis Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik që parashikonte ndër të tjera në ankesin sekret ndarjen e Polonisë midis tyre. Pakti u nënshkrua në Moskë më 23 gusht 1939 nga ministri i Jashtëm gjerman, Joachim von Ribbentrop dhe homologu i tij sovjetik, Vyacheslav Molotov. Diskutimi në fjalë parashtroi disa pikëpamje “të reja” që në thelb i mëshojnë idesë se LIIB ka dy përgjegjës: Gjermaninë Naziste dhe Bashkimin Sovjetik. 

Andrzej Nowak, historian dhe profesor në Universitetin Jagiellonian dhe në Institutin e Historisë së Akademisë Polake të Shkencave në Varshavë, ku drejton Seksionin për Historinë e Evropës Lindore dhe Perandorive të Shekullit XIX dhe XX, thotë se mbi paktin Molotov-Ribbentrop, pikëpamjet janë të ndryshme. Sipas tij, dënimi i këtij pakti nisi menjëherë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kur presidenti i atëhershëm, Boris Jelcin, u vu në kërkim të një ideje kombëtare.

Ka disa pikëpamje në Rusi për këtë pakt. Kjo duket edhe në historiografi. Ka akademikë që e kanë deformuar historinë dhe përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme. BS u nda dhe Boris Jelcin u vu në kërkim të një ideje kombëtare. Në këtë aspekt u dënua pakti. Jelcin dështoi në kërkimin e tij për idenë kombëtare

thotë ai.

Sipas Nowak, deformimi i historisë vijoi nga Putin, edhe përmes shkrimeve të tij të fundit në media prestigjioze perëndimore.   

Në 2005 nga Putin u propozua koncepti i Rusisë për kujtesën publike. Ky vit përkoi me lançimin e televizionit RT, që përfaqëson një pikëpamje ushtarake mbi Rusinë. Pikëpamja është koherente, “ne jemi fituesit”. Ishte triumfi i rusëve në vitin 1945 mbi fashistët. Putin, media dhe historianët nën urdhrat e tij zhvilluan një koncept të ngjashëm me atë të Stalinit në librin “Falsifikatorët e historisë”.
Ai nuk përmend 4 milionë polakë nën sundimin rus, ata nuk ekzistojnë në këtë panoramë. Stalini justifikohet në sensin e “duarve të pastra”. Në një gazetë prestigjioze, Russia Global Affairs, sugjerohet diçka: Ne duhet t’u drejtohemi aleatëve, Izraelit dhe Europës Jugore, që do të mbrojnë emrin tonë të mirë që është njollosur nga rezoluta e PE në 2019

thotë ai.

Për Nowak, ndërsa u largohemi gjithnjë e më shumë këtyre eventeve historike, ajo që bëhet e domosdoshme është puna e historianëve për të vërtetën. Në këtë pikë, ai kritikon edhe Hollivudin si mjegullues të saj në produksionet e tij.

Kujtimet menjëherë pas luftës ishin të gjalla. Tani ka shumë pak njerëz që e mbajnë mend si ishte lufta. Kjo është përgjegjësia e historianëve. Ata duhet të kërkojnë të vërtetën. Asgjë nuk duhet t’i ndalë ata në këtë rrugë. Marrim p.sh. filmin“Inglorious bastards”. Kultura e ndërtuar në Hollivud po krijon kujtime që janë larg të vërtetës. Ka një përplasje mes kujtimeve negative dhe kujtesës publike. Ne përkujtojmë viktimat… duhet ta bëjmë këtë por të theksojmë aspektet pozitive të luftës dhe ndërtimit të qyteteve si Vilniusi apo Krakovi. Ka kujtime të krenarisë dhe lavdisë përballë atyre të fajit dhe turpit. Pra duhet të rikthejmë kulturën e krenarisë

tha ai.

Sipas Nowak, edhe media ka rolin e saj të rëndësishëm në këtë aspekt.

Është më e lehtë tani të flasim për pasojat e këtij pakti. Shumë lexues gjermanë janë kritikë. Ata e shohin Rusinë si aleat të natyrshëm të Gjermanisë së mirë, pra asaj pa Hitlerin. Data simbolike e caktuar nga PE. Mediat nuk janë gjithnjë në duart e shtetit. Ata kanë politikat e tyre të kujtesës, shpesh më të rëndësishme se ato qeveritare. Këto kanë vendosur njëfarë qasjeje politikisht korrekte, jo gjithmonë të saktë

tha ai.

Claudia Weber, historiane gjermane, autore e librit “Pakti Stalin-Hitler dhe historia e një aleance kriminale”, tha se mes vetë historianëve ka qasje të ndryshme dhe komplekse në raport me këtë pakt. Sipas saj, ai nuk ishte preludi i luftës, por vetë lufta.

Unë vetë jam nga Gjermania Lindore. Kohët e fundit ka njëfarë sfide për kujtesën nga historianët. Disa historianë po përqendrohen më shumë te Lindja. Ata vënë në pikëpyetje fillmin e Luftës së Dytë Botërore, por jo invazionin gjerman. Lufta e Dytë Botërore nisi me 31 gusht, 1 shtator dhe 17 shtator, me pushtimin e Ushtrisë së Kuqe. Ka gjithnjë e më shumë njerëz që dinë për kombinimin e këtyre datave. Kjo është një panoramë komplekse për fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Ka qasje komplekse. 

Shumica e lidhin paktin me Europën Lindore. Mendoj se është e drejtë deri në njëfarë pike. Detajet dhe praktikat e paktit Hitler-Stalin nuk njihen mirë. Ata dinë kur ndodhi por nuk dinë detajet. Ka pasur spekulime. Nga qasja perëndimore e shohim si diçka që i parapriu Luftës së Dytë Botërore. Mendoj se është një nocion i nënvlerësuar. Nuk është preludi i luftës, është vetë lufta. Nuk jam dakord me faktin se pakti ndikoi vetëm në Europën Lindore. Ky pakt ndikoi në Europë dhe e vuri palën komuniste në dilemë

thotë ajo, duke shtuar se “Në histori nuk ka heronj të mirëfilltë. Ka bashkëpunëtorë, ka kontradikta”. 

Aline Sierp, Asistent Profesore në degën Studime Evropiane në Universitetin e Maastricht-it, pavarësisht qasjeve të ndryshme që kanë kombe të ndryshme, pakti përcjell një mesazh simbolik.

Rezonon pak. Kjo për fakti se ka mosdakordësi mes historianëve. Nëse sheh bekgraundin, kjo është unike sa i takon kujtesës. Mendoj se ka një problem kur flasim për narrativën europiane, pasi shihet ndryshe nga kombe të ndryshme. Ajo që është e rëndësishme kur vjen puna te kujtesa është efektiviteti i saj. Ne duhet të mbajmë parasysh elementin simbolik. Ka apo jo pranim popullor, ka një mesazh simbolik. Nuk duhet të harrojmë

thotë ajo.

Alvydas Nikzentaitis, profesor në Institutin Lituanez të Historisë, rëndësia e këtij pakti shtrihet përtej shteteve baltike. Por për ta kuptuar të plotë, sipas tij, ka ende rrugë për të bërë.

Pakti Hitler-Stalin është një ngjarje e rëndësishme që shënon fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Pakti ka rëndësi për shtetet baltike dhe më gjerë. Nëse shohim vendet që kishin të bënin me të, nuk duhet të harrojmë BS, Bjellorusinë dhe Gjermaninë. Për Bjellorusinë, pakti sot shihet nën dritë pozitive. Sot nuk ka një vlerësim të unifikuar për këtë pakt. Në Ukrainë shihet si era sovjetike. Nëse ky pakt shihet si pozitiv, ne duhet të kthejmë sytë edhe nga Rusia. Për shtetet baltike, pakti është baza për shtete të pavarura. Nëse flasim për rëndësinë e këtij pakti, duhet ta shohim në një kontekst të gjerë të politikës dhe kujtesës. Ne mund të shohim elementë të ndryshëm. Ky pakt kërkon vëmendje nga ana jonë. Pakti është njohur si një event i rëndësishëm për historinë e Europës Lindore. Por mendoj se kemi rrugë për të bërë

thotë ai.

Trajtesa vë në pah mungesën e një narrative të përbashkët për Luftën, sidomos në planin moral ku të mund të shquhen të këqinjtë dhe të mirët. Sikundër siç rezulton nga diskutimet nuk ka një unifikim edhe për përgjegjësitë sa kohë që rrjedhojat e paktit janë shumë të ndryshme nga njëri vend në tjetrin. Sado tragjike të jetë, duhet pranuar se pakti nuk mund të shihet në perspektivën polake, por më gjerë, edhe pse Polonia ishte viktima e tij. 

Rrjeti Europian për Kujtesën dhe Solidaritetin (European Network Remembrance and Solidarity - ENRS) është krijuar në vitin 2005 si një iniciativë e përbashkët e ministrave të Kulturës gjermane, hungareze, polake dhe sllovake. Në vitin 2014,a tij iu bashkua edhe Rumania. Shqipëria është pranuar në Rrjetin Evropian për Kujtesën dhe Solidaritetin si vend vëzhgues në janar të vitit 2016.

ResPublica 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.