Dossier/Politika pasive e Perëndimit ndaj Shqipërisë pas ndarjes me Moskën
Si ndikoi dalja e Shqipërisë nga orbita sovjetike dhe si shpjegohet ai izolim i gjatë i një neutraliteti që i konvenoi vetëm Enver Hoxhës? Kjo është një çështje që meriton studime të mëtejshme jo vetëm për të hedhur dritë mbi historinë tonë të afërt, por edhe për të çmitizuar figurën e Enver Hoxhës sipas rolit që historiografia politike shqiptare, por edhe letërsia i ka dhënë në duelin me të mëdhenjtë.
Në përgjithësi trajtesave shqiptare për çështjen i mungon optika perëndimore, ndërkohë që konflikti ideologjik me Hrushovin është trajtuar gjerësisht dhe deri diku është shteruar. Së fundmi, në një punim të shkurtër publikuar në Wilson Center, historiani i historisë moderne të Azisë Juglindore, Balazs Szalontai, sjell një material deri diku interesant që prek Shqipërinë dhe perspektivën britanike mbi të, menjëherë pas ndarjes së saj me Bashkimin Sovjetik.
Autori e ka përfshirë dokumentin që është një raport i shkurtër, cilësuar Sekret, i përgatitur nga Ministria e Jashtme britanike me rastin e vizitës së kryeministrit të Italisë, Amintore Fanfani më 19 janar 1962, në kuadrin e një vështrimi më të gjerë që trajton qasjen e NATO-s dhe Perëndimit mbi ndarjen sovjeto-kineze.
Shqipëria është aty pikë e nxehtë për shkaqe të njohura dhe raporti në fjalë është një përshkrim për kryeministrin MacMillan që i sqarohet se cila mund të jetë politika britanike ndaj Shqipërisë në kushtet e reja të krijuar. Në përgjithësi Perëndimi po kërkonte të unifikonte qëndrimet në raport me ndarjen sovjeto-kineze dhe Shqipëria ishte patjetër një aspekt i pashmangshëm i saj. Në momentin që flasim, pra më janar 1962, Ministria e Jashtme e Mbretësisë së Bashkuar deklaronte se “ishte duke e formuluar politikën e saj ndaj Shqipërisë” dhe i sugjeronte kryeministrit si vizion strategjik “mbajtjen jashtë kontrollit të Moskës të Shqipërisë”. Materiali nis me një përcaktim mbi akuzat e Hrushovit ndaj Shqipërisë në kongresin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që sipas ekspertëve britanike synonte:
ndryshim në politikën apo lidershipin shqiptar
Ky lloj përcaktim që figuron në dokumentin sekret duhet marrë me rezervë, pasi siç thotë autori në dallim nga dokumentet kineze dhe sovjetike, dokumentet e deklasifikuara britanike duken të tejkaluara, për shkak se autorët dilnin në konkluzione duke analizuar tekstet e deklaratave zyrtare të palës tjetër.
Në këtë kuptim konstatime të tilla për kohën ishin prezupozime analitike, por ato ruajnë rëndësinë e vet, sepse mbi to u përpunuan qëndrimet në politikën e jashtme.
Është me interes të shihet se pala britanike sugjeron që të ruhet distancë e barabartë dhe të mos merret iniciativë ndaj Shqipërisë në kushtet e reja. Teksa vihet re se në atë moment Tirana zyrtare kërkonte zgjerimin e marrëdhëniene diplomatike dhe tregëtare me Perëndimin, në planin politik politika e Londrës do të mbante parasysh këto drejtime:
- Është në interesin e Perëndimit që Shqipëria të qëndrojë tërësisht jashtë kontrollit të Moskës. Pozita e saj si një pikë kritike e mosmarrëveshjeve në blllokun lindor na përshtatet shumë mirë.
- Marrja e çdo iniciative të hapur me synim ndihmën ndaj Shqipërisë do të ishte pa përfitim dhe ndoshta kundërproduktive.
- Kjo pasohet nga fakti se ne nuk duhet të ndërmarrim ndonjë veprim që mund të interpretohet se po shkojmë pas Shqipërisë, por duhet të kemi përgjigje të arsyeshme ndaj ndonjë hapjeje prej tyre.
- Për aq sa i intereson, për Mbretërinë e Bashkuar kjo do të thotë se nuk mund të diskutohet ndihma ekonomike, por ne duhet të mirëpresim një rritje të tregëtisë anglo-shqiptare nëse një gjë e tillë mund të arrihet.
- Marrëdhëniet diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar duhet të presin derisa Shqipëria të bëjë ndonjë lëvizje për pagesën e 843 947 stërlinave që iu caktuan Mbretërisë së Bashkuar nga Gjykata Ndërkombëtare si pasojë e Incidentit të Kanalit të Korfuzit më 1946.
Këto janë pikat kryesore të të ashtuquajturës politikë britanike ndaj Shqipërisë në kuadrin e ndarjes kino-sovjetike, ndërkohë që parashikohet saktë se ndihma kineze ishte jetike për vendin tonë. Në material bashkëngjitet një notë për arin shqiptar që I referohet kryeministrit britanik.
Nuk është e qartë nëse këto rekomandime u shndërruan në politikë nga Londra, po të heqim mënjanë çështjen e pagesës për incidentin e vitit 1946. Materiali nuk hedh dritë se çfarë do të bënte Perëndimi, apo Britania për ta mbajtur Shqipërinë jashtë orbitës sovjetike, ndërkohë që vendi më shumë i interesuar për këtë ngjante Italia që kishte nënshkruar një marrëveshje tregëtare me vendin tonë.
Shqipëria e Enver Hoxhës zgjodhi kursin e miqësisë me Kinën dhe të armiqësimit retorik me Bashkimin Sovjetik, duke i dhënë kështu zgjidhjen më të mirë të mundshme konsideratave të Perëndimit. Përtej kësaj nuk mund të mos vihet re fare mirë se shkëputja e regjimit të Tiranës nga Moska, dobësia e tij e qartë dhe e vënë në dukje në dokument, nuk shërbejnë për asnjë moment si shkëndija për një politikë ndryshimi në Tiranë, çka na jep të kuptojmë tërthorazi se Perëndimi u pajtua me qenient Hoxhës në krye të Shqipërisë, duke e braktisur këtë të fundit për sa kohë nuk rrezikonte ndonjë gjë.
s.zaimi
Add new comment