2012-2020, të njëjtat denoncime. Asgjë nuk ndryshon
Në tetor të vitit 2012, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla denonconte ato që i quante afera të ministri të Mbrojtjes së kohës, Arben Imami.
Në një errësirë të plotë ministri Imami ka kryer dhe po kryen proces zhvatjeje të pronave. Janë plot 70 milionë objekte dhe troje, prona të ushtrisë që Arben Imami po i shpronëson nga ushtria në drejtim të privatëve. Bisht Palla, Kalaja e Ali Pashës, Shkolla e Marinës që po ju jepen privatëve, Rana e Hedhun në Shëngjin, Durrës, Kavajë, Fier dhe Vlorë... Në këtë proces jo transparent dhe të paligjshëm nuk janë marrë në konsideratë nevojat e Forcat e Armatosura. Pronat shumë mirë mund të përdoreshin për të pastrehët si nuk u morën parasysh nevojat e tyre apo të ish- të përndjekurve. Prej nesër do u tregojmë qytetarëve shqiptarë këto prona të tjetërsuara, nga ky proces antikombëtar i drejtuar nga Arben Imami që do e kishte zili dhe ushtria më e egër
shprehej asokohe Balla.
Duhet të imagjinojmë se me aferën e 70 milionë pronave, Imami së paku do kishte blerë dashamirësinë e Bashës sa për ta lënë deputet. Nuk ndodhi.
Sot është Lulzim Basha që denoncon një vjedhje të pronave të ushtrisë, për të cilën mesa duket ka njohuri se ekziston.
Në sekret të plotë, është marrë një pjesë e territorit e bazës ushtarake navale të marinës së flotës luftarake detare në Sarandë dhe është bërë gati t’u jepet klientëve të qeverisë.
Mbetet të verifikohet se kujt do i jepet, por emrat e përmendur janë të dyshuarit e zakonshëm, pjesë e 5 apo 6 oligarkëve që marrin çdo gjë në këtë vend. Shpresoj që të jetë një lajm i rremë, në radhë të parë sepse largimi i territoreve nga forcat e armatosura, nuk mund të bëhet në mënyrë sekrete, por transparente se cenon sigurinë kombëtare.
U bëj apel të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, nga ato ekzekutive deri te komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të investigojnë nëse është e vërtetë që në ditët e tyre të fundit po falin bazat detare oligarkëve për zhvillime klienteliste pa garë.
Ne nuk jemi kundër zhvillimit, zhvillimi ekonomik që sjell mirëqenie është objektivi i qeverisjes sonë, por kjo nuk mund të jetë fitimprurëse deri nuk bëhet transparente
tha Basha.
Vitet ikin dhe vjedhjet vazhdojnë në të njëjtat vende. Ish-baza detare e Sarandës tashmë është një sipërfaqe e rrethuar ku mbahen ca depozita karburanti dhe nuk meriton më të quhet bazë detare. Brezi i fundit i ushtarakëve që ka punuar në të thuajse kanë vdekur të gjithë, kështu që ta gëzojnë oligarkët, të cilët janë miq edhe të Lulzim Bashës.
Add new comment