Erdha në Kosovë si reporter
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama raportohet se ka përfunduar vizitën e tij në Kosovë me disa takime me drejtuesit politikë të këtij shteti. Duke folur sot para mediave, z. Rama ndër të tjera tha:
Dua ta bëj shumë të qartë që më vjen keq kur shoh në reagime, dhe flas për reagime qytetare se si helmi i jetës politike ka penetruar në bazën e politikës kombëtare dhe ndikon që të mos kuptohet por përkundrazi, të deformohet thelbi i shqetësimit që sot duhet të kemi si komb.
Nuk lidhet as me dy persona, as me karrierën e tyre politike dhe me të mirat apo të metat e tyre në kohë paqe, as me simpatitë e bindjet, por me një prej vlerave më të rëndësishme të kombit shqiptar, vlerat e luftës për liri e Kosovës, pjesë e së cilës është UÇK.
Mendoj që ky është moment ku kemi një krizë disaplanëshe të shkaktuar por edhe një mundësi të vëmë në pah jo vetëm vlerat e luftës, por të gjithë vlerën e krijuar në këtë proces shtet-ndërtimi si shprehje e gatishmërisë për drejtësi. Unë nuk erdha këtu për të realizuar bashkimin mes forcave politike si personi që kam detyrën dhe kapacitetin për ta bërë këtë, por për të dëgjuar nga të gjithë, dhe këtë smund ta bësh në një tryezë ku mund të ulen të gjithë, hapur opinionet e tyre. Pas 24 orësh di më shumë sesa para 24 orësh për situatën
Zoti Rama mundet edhe të bëjë një dokumentar për ERTV-në, por ai aty nuk mund të deklarojë se në Kosvë ka qenë i zhveshur nga detyra e kryeministrit të Shqipërisë. Sikundër përgjatë gjithë kësaj lëvizjeje të kryeministrit kemi një interpretim të caktuar që në emër të përfaqësimit të Shqipërisë mëton ta përcaktojë atë si të vërtetë. Aktakuza lidhet me disa persona dhe jo me luftën e UÇK-së dhe kjo është e vërteta e vetme, pasi kjo është e vërteta e çdo lufte.
Në fund të fundit, amerikanët dhe britanikët miratuan raporte zyrtare për gënjeshtrën e luftës në Irak, kanë hetuar krime të kryera nga trupat e tyre në terren në teatre të ndryshime përballjeje, por askund nuk ka rezultuar se vetë lufta e tyre është kriminalizuar si e tillë. Po flasim për intervecione që janë bërë zyrtarisht në emër të një morali, apo një kauze joekonomike. Ndërhyrja në Irak ishte për demokracinë, ajo në Kuvajt për lirinë e një vendi, në Kosovë kundër krimeve. E megjithatë akti i luftës si i tillë nuk implikon imunitet për krime, vrasje apo gabime. Për këto është akuza, hetimi që sot paragjykohen në bllok nga politika më e korruptuar në kontinent. E nën këtë propagandë bajate po synohet si efekt anësor mbrojtja e një establishmenti që pretendon një vend në histori, pavarësisht plaçkitjes që I ka bërë mbarë botës shqiptare.
Modestia false e z. Rama që është shprehur se nuk ka qenë në Kosovë për të bashkuar politikën nuk vlen sot veçse për një gjë: për të vërtetën që na thotë “pa dashur” se ai është aty për hallin e Hashim Thaçit. Pasi nuk ka askush një hall tjetër. Lufta e Kosovës është një narrativë europiane përveçse shqiptare dhe serbe, ajo është një narrativë perëndimore dhe nuk ka asnjë lloj krimi eventual që mund të ketë bërë dikush që ta njollosë atë qoftë edhe për faktin se ajo prodhoi një Rezolutë të OKB-së. Të tjerat janë qofte ke daja.
Add new comment