Rritet kurba epidemike/44 raste të reja me CoVid-19 brenda 24 orëve
Vijon rritja e kurbës së të prekurve me koronavirus. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 44 raste të reja.
Rastet e reja janë konfirmuar pas 291 testimeve të kryera në 24 orë. Nga 44 rastet pozitive, 22 raste janë në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz, Shkodër, 2 raste në Lushnje dhe nga 1 rast në Vlorë, Elbasan.
Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Shkodër, Elbasan, Vlorë. Rritje ka pësuar edhe numri i rasteve të reja në radhët e personelit shëndetësor. Nga 40 testime kanë rezultuar pozitivë 9 prej tyre, të gjitha kontakte.
Ndërkohë, janë shëruar 21 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve mbi 1 mijë që nga fillimi i epidemisë.
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 59 vjeçar nga Lushnja, i shtruar prej 6 ditësh në terapi intensive, i konfirmuar me Covid19. 59-vjeçari vuante nga Kardiomiopati e dilatuar, sëmundje renale kronike, diabet mellitus, anemi. Pas asistencës së madhe të stafit mjekësor në terapi intensive, 59 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit.
Vijon të ketë shtrime në Spitalin Infektiv kryesisht nga Tirana. Aktualisht janë 52 pacientë të shtruar, ndërsa 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive. Në vendin tonë janë aktualisht 349 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.
Add new comment