ShBA rrëzon studimin e Kinës: Remdesivir, efektiv në shkurtimin e kohës së rikuperimit nga CoVid-19
Kreu i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Alergjike dhe Infektive në ShBA, Anthony Fauci ka njoftuar në një takim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump se testimet e medikamentit Remdesivir kanë dhënë rezultate pozitive në shkurtimin e kohës së rikuperimit te pacientët e prekur nga CoVid-19. Kompania Gilead që është prodhuesi lëshoi një deklaratë sot përmes së cilë deklaronte se ishte në dijeni të rezultateve pozitive.
Në këtë kuptim, ndoshta bota ka tanimë një trajtim efektiv, ndonëse jo një kurë definitive apo një vaksinë.
Por edhe si e këtillë nga pikëpamja e kontrollit epidemik, menaxhimit spitalor dhe uljes së ndjeshme të numrit të viktimave, remdesivir, nëse miratohet përfundimisht dhe ka ato rezultate që thuhen, mund të përcaktojë ndryshimin në të gjithë situatën ku ndodhemi. Ndonëse ende nuk dihet nëse ilaçi është efektiv te të gjithë apo në mosha të ndryshme, rezultatet paraprake japin shpresë reale se bota nuk do të ketë nevojë për distancimin social si masë preventive. Testimi në fjalë rrëzon njoftimet e para disa ditëve të OBSh-së – hequr menjëherë nga publikimi- sipas të cilave testimet në Kinë treguan se remdesivir nuk ishte efektiv. Një arsye për këtë thuhet se ka qenë numri i vogël i testimeve në Kinë edhe pse në këtë betejë nuk mungojnë konsideratat politike.
Pala amerikane deklaron se remdesivir e shkurton kohën e rikuperimit nga 15 ditë në 11 ditë dhe këtu flasim për pacientë të shtruar në spital, apo në terapi intensive. Sipas njoftimeve zyrtare, u testuan 1000 pacientë nga disa vende. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave është duke negociuar me Gilead për ta vënë në dispozicion shpejt medikamentin dhe sipas mediave amerikane, enti në fjalë mund ta lëshojë autorizimin në çast.
Por lajmi në vetvete ka provokuar edhe reagimin pozitiv të tregjeve, që është temë strategjike në ShBA. Aksionet e Gilead u rritën me 8.1%
Ky është një rezultat në vetvete i papritur pasi remdesivir, një medikament që në origjinë u krijua për të luftuar Ebolan, nuk është miratuar për përdorim në asnjë vend të botës. Në këtë kuptim, Gilead po hyn në kategorinë e kompanive kryesore ndërkohë që Instituti Kombëtar i Shëndetit synon të testojë medikamentin në 800 pacientë të tjerë për të dhënë një konkluzion përfundimtar.
Sipas disa vlerësimeve trajtimi më i përshtatshëm për CoVid-19 konsiston në antiviralë në fazën e parë dhe përforcues imuniteti në një fazë të dytë. Çka shpjegon se mjekët intuitivisht kanë përdorur antiviralë si ritonavir, apo avigan për të kaluar në një fazë të dytë në antibiotikë si azitromicinë dhe antimalarikë si klorokinë. E njëjta logjikë kundërveprimi, me ndryshimin se mesa duket ShBA ka vendosur të vërë në veprim një medikament që e prodhon vetë.
Deri në daljen e vaksinës, që në rastin më të mirë shpresohet në vjeshtë, nëse funksionon, remdesivir mund të jetë ilaçi numër një dhe këtu do të kemi rast të provojmë mënyrën sesi do të shpërndahet ai.
Add new comment