Drejtoresha e Tatimeve: Kemi 60 mijë të larguar nga puna
“Parregullsia kryesore lidhet me çështjen e kodifikimit të veprimtarisë ekonomike".
Kjo sipas drejtoreshës së Tatimeve, Delina Ibrahimaj, është arsyeja që në sportelet e Qendrës Kombëtare të Biznesit ka një dyndje të personave që ushtrojnë veprimtari biznesi. Teksa foli për rreth 60 mijë të larguar nga puna në këtë periudhë, Ibrahimaj sqaroi se verifikimet e qytetarëve që aplikuan janë bërë rast pas rasti në rastin e paketës së parë dhe me sistem automatik në paketën e dytë.
Për paketën e parë, të gjitha rastet janë verifikuar nga administrata tatimore. Përsa i përket paketës së dytë, është e ndarë në katër masa. Në dy prej tyre procesi është automatik. Është masa e dytë që u jep të drejtën e pagës së luftës të gjithë të larguarve nga puna, ne i kemi identifikuar në sistem të gjithë të dalët nga skema e sigurimeve brenda afateve të VKM dhe për ta procesi është automatik. Pra mjafton të aplikojnë.
Pa ndihmë kanë mbetur të punësuarit në të zezë. Sipas drejtoreshës së Tatimeve, kanë qenë të paktë ata që kanë denoncuar punëdhënësit për mbajtjen në informalitet.
Numri i denoncimeve ka qenë i ulët. Është e deytrueshme që denoncuesi të ketë një mjet verifikimi: ose dokumentacion që vërteton një marrëdhënie kontraktuale ose ne duhet të hapim një proces hetimor, gjë që do ta bëjmë për ato subjekte që kanë punësuar në të zezë.
Tatimet presin që bllokimi i aktivitetit për shkak të pandemisë të sjellë më pak të ardhura në arkën e shtetit, por sipas zonjës Ibrahimaj është ende herët për të dhënë shifra.
Kemi bërë një projeksion mbi efektin që do të ketë situata e krijuar deri në fund të vitit. Ne presim nga shifrat e të ardhura, nëse i referohemi treguesit të TVSH-së, ne kemi një nivel arkëtimi 25 % më të ulët se vitin e kaluar.
Fiskalizimi shihet nga qeveria si një instrument që do të ulë informalitetin. Këto muaj ishin parashikuar si periudhë testimi, por megjithë fokusimin të pandemia, Drejtoria e Tatimeve është optimiste se procesi do të zbatohet sipas afateve.
Kemi përgatitur aktet nënligjore që janë miratuar në zbatim të ligjit. Me 1 prill kemi pasur një afat për lancimin e platformës së fiskalizimit që është lançuar dhe është aty. Situata e ka zhvendosur vëmendjen, por ne jemi duke ndjekur të gjithë hapat.
TvT
Comments
Lerini keto numra biblike qe
Lerini keto numra biblike qe ua servirin perpara dhe ju i lexoni pa ditur numrin e sakte te te panunve te rinj, por hidhuni ne terren e pyesni! Ka mjaft mundesi qe ky numer te jete 2-3 here me i madh!
Add new comment