A kanë fuqi juridike urdhërat e Ministres së Shëndetësisë, nxjerrë gjatë epidemisë?

Postuar në 14 Prill, 2020 17:15

Në fillim të marsit me deklarimin e rasteve të para të personave të infektuar me COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndërmorrën një sërë masash për kufizimin e lëvizjes së shtetasve, për mbylljen e apo kufizimin e disa aktiviteteve tregtare, si edhe për çështje të tjera.
Baza juridike mbi të cilën ka vepruar kjo ministri është ligji nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, ku neni 7 i jep të drejtë këtij organi publik që të marrë një sërë masash me qëllim ndalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive.
 
Bazuar nga sa më sipër, më datë 8 mars 2020 kanë dalë tre urdhëra (nr.132, nr.133, nr.134) dhe që kanë të bëjnë me mbylljen e aktiviteteve publike dhe jopublike dhe anulimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura, me kufizimin e lëvizjes së shoqëruesve dhe/ose familjarëve të pacientëve nëpër spitale dhe me vetëkarantinimin e personave që hyjnë në territorin e Shqipërisë nga zona e izoluar në Itali. 

Më datë 9 mars 2020 kanë dalë tre urdhëra (nr.135, nr.135/1 dhe nr.147) dhe që kanë të bëjnë me mbylljen e institucioneve arsimore për parandalimin e përhapjes, së COVID-19, me mbylljen e veprimtarisë së çerdheve për kufizimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 dhe me nderprerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”
 
Më datë 10 mars 2020 kanë dalë tre urdhëra (nr.156, nr.156/1 dhe nr.157) dhe që kanë të bëjnë me marrjen e masave të veçanta në parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, ndalimin e të gjitha lëvizjeve të udhëtarëve drejt Italisë dhe me marrjen e masave për parandalimin e infektimit nga COVID-19 të përfituesve të Shërbimeve të Përkujdesit Shoqëror.
 
Më datë 11 mars 2020 kanë dalë katër urdhëra (nr.156/2, nr.158, nr.159 dhe nr.160) dhe që kanë të bëjnë me shpalljen e gjendjes së epidemisë nga infeksioni COVID-19, me pezullimin e funksionimit të komisioneve të vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar dhe invaliditetit të punës, me kufizimin e lëvizjes së pacientëve, shoqëruesve dhe/ose familjarëve dhe organizimin e shërbimeve në institucionet e kujdesit shëndetësor ku kryhen vizita dhe konsulta ambulatore dhe me nderprerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara në të gjithë strukturat spitalore publike dhe jopublike.
 
Më datë 12 mars 2020 kanë dalë tre urdhëra (nr.164, nr.165 dhe nr.168) dhe që kanë të bëjnë me mbylljen e bareve, restoranteve, lokaleve, fast food dhe kufizimin e shërbimeve që ofrohen nga strukturat akomoduese që ofrojnë shërbim për klientët, me mbylljen e kabineteve/klinikave dentare dhe me ndalimin/kufizimin e lëvizjeve me mjetet e transportit.
 
Më datë 14 mars 2020 ka dalë një urdhër (nr.173/1) dhe që ka të bëjë me ndalimin e lëvizjes përmes rrugëve ajrore me Greqinë.

Më datë 15 mars 2020 ka dalë një urdhër (nr.168/1) dhe që ka të bëjë me kufizimin e lëvizjeve brenda vendit.
 
Më datë 16 mars 2020 ka dalë një urdhër (nr.177/1) dhe që ka të bëjë me kufizimin e lëvizjes në zonat urbane.

Më datë 18 mars 2020 kanë dalë dy urdhëra (nr.168/2 dhe nr.177/2) dhe që kanë të bëjë me kufizimin e lëvizjes me automjetet private ose shtetërore të administratës publike dhe me disa shtesa dhe ndryshime në urdhrin nr. 177/1 datë 16.3.2020 “Për kufizimin e lëvizjes në zonat urbane”.
 
Më datë 19 mars 2020 ka dalë një urdhër (nr.190) dhe që ka të bëjë me mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore publike dhe jopublike dhe çerdheve për kufizimin e përhapjes së infeksionit COVID-2019.
 
Më datë 20 mars 2020 ka dalë një urdhër (nr.193) dhe që ka të bëjë me mbylljen apo kufizimin e lëvizjeve në Republikën e Shqipërisë.
 
Më datë 30 mars 2020 ka dalë një urdhër (nr.208) dhe që ka të bëjë me një ndryshim në urdhërin nr 193 datë 20.3.2020 “Për mbylljen apo kufizimin e lëvizjeve në Republikën e Shqipërisë”.
 
Më datë 1 prill 2020 kanë dalë tetë urdhëra (nr.216, nr.217, nr.218, nr.219, nr.220, nr.211, nr.222 dhe nr.223), të cilat kanë sjelle ndryshime në një pjesë të urdhërave të sipërcituara (respektivisht sipas rradhës në urdhërat nr.190, nr.164, nr.160, nr.147, nr.158, nr.165, nr.132 dhe nr.156).
 
Pra në total nga data 8 mars 2020 deri me datë 1 prill 2020 janë miratuar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 32 urdhëra dhe që kanë pasur në fokus menaxhimin e situatës për ndalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19. Për garantimin e zbatimit të tyre u sanksionuan me akt normativ me fuqinë e ligjit disa penalitete tepër të larta që kanë të bëjnë me gjoba,  sekuestrim mjetesh, bllokim aktiviteti, bllokim lejedrejtimi etj (akti normativ me fuqinë e ligjit të Këshillit të Ministrave, nr.3, date 15.3.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”)
 
Të gjitha këto urdhëra kanë në fund të tyre shprehjen standarde “Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, dhe si të tillë ato u vunë menjëherë në zbatim, duke u ndaluar levizja e njerëzve, duke u mbylluar aktivitete tregtare etj, ndërsa strukturat policore dhe institucione të tjera, aplikuan “për shkelësit” penalitetet përkatëse.
 
Pavarësisht kësaj situate, rezulton se në këtë rast këto urdhëra nuk u botuan menjëherë në Fletoren Zyrtare. Mund të spekullojmë për arsyet e këtij mosveprimi si ndoshta nga shpejtësia, ndoshta nga harresa ose ndoshta nga padituria profesionale, megjithëse mbetet një çështje për t’u sqaruar nga vetë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Por kjo situatë ka edhe një pasojë juridike, të cilën qartësisht e përcakton neni 117 i Kushtetutës, sipas së cilës:

Ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave, të ministrave, të institucioneve të tjera qendrore marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare. 

Mbi këtë normë kemi edhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese e cila në vendimin e saj nr.47, datë 7.7.1999 është shprehur se:

Gjatë shqyrtimit të çështjes Gjykata Kushtetuese konstatoi para së gjithash, se Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.127, datë 28.3.1999 nuk është i botuar në Fletoren Zyrtare. Sipas nenit 117, pika 1 të Kushtetutës “Ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave, të ministrave, të institucioneve të tjera qendrore marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare”. Në referim të kësaj dispozite kushtetuese, Gjykata arrin në përfundim se akti objekt kërkese nuk ka marrë fuqi juridike;

Gjithashtu me vendimin tjetër nr.206, datë 24.12.2001 Gjykata Kushtetuese përsëri mbajti të njëjtin qendrim duke u shprehur se:

Përsa i përket udhëzimit nr.1, datë 23.2.1999, Gjykata Kushtetuese konstaton se ai nuk është botuar në Fletoren Zyrtare, prandaj në zbatim të nenit 117/1 të Kushtetutës nuk ka marrë fuqi juridike. Për rrjedhim, kërkesës së paraqitur i mungon objekti dhe si e tillë ajo duhet të rrëzohet. Gjykata Kushtetuese, ka mbajtur një qëndrim të tillë edhe në vendimin e saj nr. 47, datë 7.7.1999 lidhur me kërkesën për shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.127, datë 28.3.1999, i cili nuk ishte botuar në Fletoren Zyrtare.

Nga sa më sipër, nga norma kushtetuese, si edhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, del se urdhërat e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të cilat i shtrijnë efektet e tyre mbi të gjthë shtetasit dhe aktivitetet tregtare në republikën e Shqipërisë, mund të hyjnë në fuqi vetëm me botimin e tyre në Fletoren Zyrtare.
 
Ky detyrim kushtetues, ka detyruar më pas organet publike që të përpiqen për botimin e tyre në Fletoren Zyrtare, por kjo është bërë më shumë vonesë dhe në mënyrën më konfuze të mundshme.
Kështu në Fletoron Zyrtare nr.49, datë 25 mars 2020, janë botuar:

•    Dy urdhërat e datës 8 mars 2020 (nr.133 dhe nr.134)
•    Tre urdhërat e datës 9 mars 2020 (nr.135, nr.135/1 dhe nr.147)
•    Dy urdhërat e datës 10 mars 2020 (nr.156 dhe nr.157)
•    Tre urdhërat e datës 11 mars 2020 (nr.158, nr.159 dhe nr.160)

Në total pra deri me datë 25 mars 2020 rezultojnë të botuar 10 urdhëra. Duke qenë se deri me 20 mars 2020, nga ana e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale  ishin miratuar 22 urdhëra, del që 12 urdhëra të tjerë ende nuk ishin botuar.
Duke llogaritur datën e miratimit me datën e botimt në Fletoren Zyrtare rezultojnë se ata janë botuar respektivisht që nga data 8 mars. me 17 ditë, 16 ditë, 15 ditë dhe 14 ditë vonesë.
Pjesa tjetër e urdhërave dhe atyre të miratuar mbas datës 25 mars 2020, u botuan në Fletoren Zyrtare nr.64, datë 10 prill 2020. Në këtë Fletore Zyrtare gjejmë të botuar:

•    Një urdhër të datës 8 mars 2020 (nr.132)
•    Një urdhër të datës 10 mars 2020 (nr.156/1)
•    Një urdhër të datës 11 mars 2020 (nr.156/2)
•    Tre urdhëra të datës 12 mars 2020 (nr.164, nr.165 dhe nr.168)
•    Një urdhër të datës 14 mars 2020 (nr.173/1)
•    Një urdhër të datës 15 mars 2020 (nr.168/1)
•    Një urdhër të datës 16 mars 2020 (nr.177/1)
•    Dy urdhëra të datës 18 mars 2020 (nr.168/2 dhe nr.177/2)
•    Një urdhër të datës 19 mars 2020 (nr.190)
•    Një urdhër të datës 20 mars 2020 (nr.193)
•    Një urdhër të datës 30 mars 2020 (nr.208)
•    Tetë urdhërat e datës 1 prill 2020  (nr.216, nr.217, nr.218, nr.219, nr.220, nr.211, nr.222 dhe nr.223)

Pra, në total, deri me datë 10 mars 2020 rezultojnë të botuar edhe 22 urdhëra të tjerë.
Duke llogaritur datën e miratimit me datën e botimt në Fletoren Zyrtare rezultojnë se ata janë botuar respektivisht që nga data 8 mars, me 33 ditë, 31 ditë, 30 ditë, 29 ditë. 27 ditë, 26 ditë,  25 ditë, 23 ditë, 22 ditë, 21 ditë, 11 ditë dhe 9 ditë vonesë.

Fakti që këto akte janë botuar me vonesa të tilla tregon se që nga data e miratimit deri datën që ato janë botuar në Fletoren Zyrtare këto urdhëra nuk kanë pasur asnjë fuqi juridike. Kjo do të thotë që të gjithë personat dhe subjektet e penalizuara në këto fasha, midis ditës së miratimit dhe ditës së botimit, janë penalizuar pa një bazë ligjore, Po kështu edhe mbyllja e disa aktiviteteve tregtare për këtë fashë, përbën bllokim të paligjshëm të tyre.
Për rrjedhojë këto subjekte përveçse kanë të drejtë që të kërkojnë heqjen e penaliteteve, kanë gjithashtu të drejtë që të kërkojnë edhe e pagesën e dëmit, pasi autoritetet shtetërore kanë vepruar pa asnjë bazë ligjore. Ky pretendim mbështetet në parashikimin e Ligjit nr.8510, datë 15.7.1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore”, ku neni 3, gërma “a” parashikon qartazi se:
 
Organet e administratës shtetërore përgjigjen për demet qe u shkaktojnë personave fizike a juridike private ne rastet qe vijojnë: a) kur kryejnë veprime a mosveprime te kundërligjshme;

Bazuar në normën e mësipërme si edhe në nenet 6 (shpërblimi) si edhe nenin 12 (fitimi i munguar) të po të njëjtit ligj, rezulton se këto subjekte kanë të drejtë që të kërkojnë shpërblimin e plotë të dëmit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si edhe nga Policia e Shtetit, e cilat gjendet në këtë rast në kushtet e debitorit solidar.

Nuk po flasim për një spekullim teorik, apo nuk po japim një nga interpretimet e mundshme. Është I vetmi interpretim I normave në fuqi që rregullojnë vlefshmërinë dhe pasojën juridike të akteve. Sigurisht që palë më e interresuar në këtë kuadër është biznsesi, pasi në Shqipëri nuk para verifikohet ndonjë kulturë e qenësishme juridike sa për të nisur një ankesë me iniciativë ndaj pushtetit. Dhe kjo provon se mosnjohja e legjislacionit është një ndër arsyet kryesore të abuzimit në këtë vend, sikundër edhe mungesa p.sh e padive kolektive. Le të imagjinojmë se çfarë mund të ndodhë nëse dikush padit qeverinë shqiptare për sanksionet e marra në shkelje të ligjit, pikërisht për “banalitetin” e anashklaimit të Fletores Zyrtare. Por jurisprudenca këtë forcë ka ndër të tjera.

Është e  qartë se nga ana e shtetit(qeverisë) nuk është treguar kujdesi i duhur në respektimin e normave kushtetuese dhe ligjore, vecanërisht kur kemi të bëjmë me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore të individëve si liria ekonomike (neni 11 i Kushtetutës) apo liria për të levizur (neni 38 i Kushtetutës). Nuk është shkelje e vogël…
Këtu ndoshta duhet të shërbejë si model edhe Kosova, ku Gjykata Kushtetuese e këtij vendi u tregua e rreptë në ruatjen e standardeve kushtetuese që duhet të përdoren për kufizimin e të drejtave dhe lirive të individëve (rasti KO 54/20, datë 6.4.2020).

 

P.S. Ky opinion është realizuar për ResPublica nga studio ligjore MLC

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.