Mësime dhe përvojë që mesa duket u injoruan*

Postuar në 23 Mars, 2020 23:32
John M. Barry

 

Pandemia e gripit të vitit 1918 vrau më shumë njerëz në shifra absolute sesa çdo epidemi tjetër në histori. Një vlerësim bashkëkohor na thotë se vdiqën 21 milionë njerëz, një e dhënë që shfaqet vazhdimisht në media, por anashkalon numrin real. Epidemiologët dhe shkencëtarët kanë riparë këtë të dhënë disa herë. Çdo rishikim ka patur prirjen për ta rritur shifrën. Frank Macfarlane Burnet që fitoi çmimin Nobel për imunologji dhe që harxhoi pjesën më të madhe të jetës në studimin e gripit, vlerësonte se numri i vdekjeve ishte ndoshta 50 milionë dhe mbase edhe 100 milionë. Një studim epidemiologjik i vitit 2002 vlerëson po ashtu se vdekjet ishin mes 50-100 milionë.

Popullsia e botës në vitin 1918 ishte vetëm 28% e popullsisë së sotme. Duke indeksuar rritjen e popullsisë, sot numri i vdekjeve nga pandemia e gripit të 1918-ës do të vriste diku mes 170-350 milionë njerëz. Për krahasim, AIDS ka vrarë rreth 24 milionë dhe vlerësohet se rreth 40 milionë të tjerë janë të infektuar. Një letër nga një mjek në një nga kampet e ushtrisë amerikane drejtuar një kolegu na jep një pamje më njerëzore të këtyre numrave:

Këta njerëz duket se preken nga një LaGrippe apo Influenza e zakonshme dhe kur çohen në spital ata zhvillojnë shumë shpejt tipin më të rëndë të pneumonisë që është parë ndonjëherë...pra pak orë më vonë ti mund të shohësh Cianozën(çngjyrosja) që zgjatet nga veshët në fytyrë, derisa është e vështirë të dallosh njeriun me ngjyrë nga i bardhi. Është vetëm çështje pak orësh derisa vdekja të vijë...Është e tmerrshme. Mund të shohësh dikë që vdes, dy  apo njëzet, por të shohësh këta të shkretë të bien si mizat...

Kemi numëruar mesatarisht 100 vdekje në ditë...Penumonia do të thotë vdekje e sigurtë thuajse në të gjitha rastet...Kemi humbur një numër të frikshëm infermieresh dhe mjekësh. Duhen trena të veçantë për të transportuar të vdekurit. Për ditë me radhë nuk ka arkivole dhe trupat grumbull janë një pamje e frikshme...Ia kalon gjithçkaje ata kanë parë në Francë pas një beteje. Një barakë shumë e gjatë u boshtais për ta përdorur si morg dhe dkujt do t’i duhej të ulej e të mbante shënim radhët e gjata të ushtarëve të vdekur, të gjithë veshur dhe të shtrirë në rreshta dyshe...Mirupafshim mik i vjetër! Zoti qoftë me ty derisa të shihemi sërish!

Kjo letër pasqyron një përvojë tipike në kazermat e ushtrisë amerikane. Përvoja e civilëve nuk ishte më e mirë. Në përgatitjen për një pandemi tjetër është e dobishme të ekzaminohen ngjarjet e 1918-ës për të nxjerrë mësime, kuptuar paralajmërimet dhe fushat e kërkimeve të mëtejshme.

Virusi si i tillë

Pandemia e vitit 1918 vështirë se mund të quhet pandemia e parë gripale, as e vetmja vdekjeprurëse. Përgjatë historisë, ka patur pandemi gripale disa prej të cilave mund të konkurojnë vdekshmërinë e asaj të 1918-ës. Një listë e pjesshme e epidemive me pasoja fatale që mund të kenë qenë grip përfshijnë një në vitin 1510, kur një pandemi mendohet se erdhi nga Afrika dhe “sulmoi menjëherë dhe në mënyrë të pakontrolluar në të gjithë Europën pa kursyer asnjë familje dhe rrallë ndonjë person”. Në vitin 1580 një tjetër pandemi nisi në Azi, u përhap mandej në Afrikë, Europë dhe madje edhe në Amerikë(pavarësisht se iu deshën 6 javë për të kaluar oqeanin). Ishte kaq e fortë “saqë në hapësirën e gjashtë javëve preku thuajse të gjitha kombet e Europës, mes të cilëve një në 20 persona ndoshta nuk u prek” dhe disa qytete spanjolle “thuajse u shpopulluan tërësisht nga sëmundja”.

Në vitin 1688 gripi goditi Anglinë, Irlandën dhe Virxhinian; në të gjitha këto vende “njerëzit vdisnin...si nga murtaja”. Një virus i modifikuar apo i ri mbërtheu Europën dhe Amerikën sërish në vitin 1693 dhe Masaçuset në vitin 1699. “Sëmundja preku thuajse të gjitha famijet. Pak ose asksush shpëtoi dhe shumë vdiqën sidomos në Boston, disa vdiqën në mënyrë të çuditshme dhe të pazakonshme. Në disa familje u sëmurën të gjithë, në dia qytete thuajse të gjithë banorët u sëmurën, ishte kohë sëmundjeje”. Në Londër në vitet 1847, 1848 më shumë njerëz vdiqën nga gripi sesa nga kolera e tmerrshme epidemike e vitit 1832. Në vitet 1889 - 1890 një pandemi e fortë globale goditi sërish.

Por 1918 duket se ishte veçanërisht virulente. Nisi lehtë, me një valë pranverore. Në fakt, ishte kaq e lehtë saqë disa mjekë nisën të pyesin nëse ishte me të vërtetë grip. Tipike e kohës, disa doktorë italianë argumentonin në artikuj të ndryshëm se “kjo sëmundje febrile, tashmë dominuese në Itali nuk është grip”. Doktorët britanikë e miratuan këtë përfundim; një artikull në Lancet në korrik të vitit 1918 argumentonte se epidemia e pranverës nuk ishte grip sepse simptomat, ndonëse të ngjashme me gripin, zgjasnin “shumë pak, nuk kishte përsëritje, përkeqësim apo komplikime”.

Brenda pak javësh nga artikulli i Lancet, një valë e dytë pandemike u përhap në mbarë botën. Sërish i vuri në dyshim mjekët nëse ishte grip apo jo – por kësaj radhe sepse ishte shumë virulent. U pasua nga një valë e tretë në vitin 1919 dhe sëmundja e rëndë goditi po ashtu në vitin 1920(Viktimat e valës së parë gëzuan imunitet të madh në dy valët pasuese, duke ofruar kështu të dhëna të forta se ishte i njëjti virus). Vlen të nënvizohet se edhe pandemia e 1889-1890 erdhi me valë, por vala e tretë duket të ketë qenë më vdekjeprurëse).

Virusi i 1918-ës, sidomos ai i valës së dytë, nuk ishte vetëm virulent dhe vdekjeprurës, por jashtëzakonisht i dhunshëm. Krijoi një varg simptomash që rrallë shiheshin me këtë sëmundje. Pas shfaqjes për herë të parë të H5N1 në vitin 1997, patologët kanë raportuar disa gjetje “të papërshkruara më parë me gripin”. Në fakt hulumtuesit përshkruan në vitin 1918 çdo ndryshim patologjik të parë me H5N1 dhe më shumë.

Simptomat në vitin 1918 ishin kaq të pazakonshme saqë në fillim gripi u keqdiagnostikua si ethe tropikale, kolera apo tifo. Një vëzhgues shkroi: “Një nga komplikacionet më befasuese ishte hemoragjia nga membranat e mukozave, sidomos nga hundët, stomaku dhe zorra. Gjaderdhja nga veshët dhe njollat hemoragjike në lëkurë u shfaqën po ashtu". Një hetues gjerman regjistronte: “hemoragjia ndodhte në pjesë të ndryshme të brendësisë së syve”. Një patolog amerikan vinte re: “U numëruan 50 raste gjakderdhjeje në pjesën e syve(subkonxhunktive). 12 kishin një hemotipsi të vërtetë(kollë me gjak), gjak të kuq të qartë pa përzierje mukoze...Tre raste kishin hemoragji intestinale”.

Kryepatologu i Departamentit të Shëndetit në New York deklaronte: “Rastet me dhimbje të mëdha duken dhe reagojnë si në ethet tropikale...hemoragji nga hundët dhe bronket...paraliza të plota apo të pjesshme me origjinë spinale apo cerebrale...dëmtimi i lëvizjes mund të jetë i rëndë, apo i lehtë, i përhershëm apo i përkohshëm...depresion fizik dhe mendor. Përpëlitje të zgjatura që çojnë në histeri, melankoli dhe çmenduri me synim vetëvrasjen”.

Virusi i 1918-ës shënjestronte të rinjtë gjithashtu. Në qytetet e Afrikës së Jugut, ata mes moshës 20-40 përbënin 60% të vdekjeve. Në Çikago vdekjet në moshën 20-40 thuajse u pesëfishua në krahasim me ato të moshës 41-60. Një mjek zviceran “nuk pa asnjë rast të rëndë në asnjë person mbi 50 vjeç”. Në “zonën e regjistrimit” të SHBA – ato shtete dhe qytete që mbanin statistika të besueshme – numri më i madh i vdekjeve ndodhi mes njerëzve me moshë 25-29 vjeç, në radhë të dytë erdhën ata të moshave 30-34 dhe të tretët ata mes moshave 20-24 vjeç. Më shumë njerëz në secilën nga këto grupmoshat me pesë vjet diferencë ishin në total më shumë sesa të gjitha vdekjet e moshës mbi 60 vjeç dhe të gjitha vdekjet e marra bashkë të moshës 20-34 vjeç ishin më shumë se dyfishi i vdekjeve të atyre mbi 50 vjeç. Grupi që ishte më i predispozuar të vdiste nëse infektohej ishin gratë shtatzanë. Në 13 studime të grave shtatzanë të hospitalizuara gjatë pandemisë së vitit 1918, vdekjet varionin nga 23-71%. Nga gratë shtatzanë që mbijetuan, 26% humbën fëmijën e tyre.(Që nga kohët e shkuara, diku nga 1557, njerëzit e lidhnin gripin me abortin dhe vdekjen e gruas shtatzanë).

Mortaliteti varionte. Një e dhënë e përgjithshme është e pamundur, apo të përllogaritet në mënyrë të besueshme, sepse nuk ka informacion solid për numrin total të rasteve. Në kampet e ushtrisë amerikane, ku mbaheshin statistika të besueshme, shpesh mortaliteti kaloi 5% dhe në disa rrethana 10%. Në ushtrinë britanike në Indi, mortaliteti për trupat e bardha ishte 9.6%, për trupat indiane 21.9%.

Në popullsi të izoluara virusi vriste edhe më shumë. Në ishujt Fixhi, vrau 14% të të gjithë popullsisë në 16 ditë. Në Labrador në Alaska, vrau të paktën 1/3-ën e të gjithë popullsisë vendase. Por ndoshta më shqetësues dhe më i rëndësishëm për ne sot është fakti se një pakicë domethënëse – në disa nëngrupe të popullsisë ishte shumicë – e vdekjeve erdhi direkt nga virusi, jo nga pneumonitë batkeriale sekondare.

Në vitin 1918, patologët ishin shumë mirë të familjarizuar me gjendjen e mushkërive të viktimave të pneumonisë bakteriale gjatë autopsive të shumta. Por pneumonia virale e shkaktuar nga pandemia gripale ishte kaq e dhunshme saqë shumë hetues u shprehën se vetëm mushkëritë e viktimave të gazit helmues u ngjanin atyre. Ndaj ushtria e quajti këtë “pneumonia atipike”. Sot ne do ta quanim këtë pneumoni atipike si Sindroma e Ankthit Akut Respirator. Bordi i ushtrisë për pneumoninë gjykoi se "më shumë sesa gjysma” e të gjitha vdekjeve mes ushtarëve erdhi nga kjo pneumoni atipike.

Nuk mund të ekstrapolosh diçka nga kjo e dhënë për popullsinë civile. Të dhënat e ushtrisë përfaqësojnë një rast të veçantë si në termat demografikë, ahtu edhe mjedisorë, përfshirë barakat e mbipopulluara. Por edhe si të tilla, fakti se Sindroma shkaktoi më shumë se gjysmën e vdekjeve mes të rinjve të rritur dërgon një paralajmërim. Mortaliteti nga kjo sindromë akute sot varion mes 40-60%, megjithë mbështetjen e njësive të kujdesit special. Një pandemi, këto njësi do të mbipopullohen shumë shpejt, duke krijuar një sfidë të madhe për planifikuesit e shëndetit publik.

Trajtimi dhe parandalimi në 1918-ën

Mjekët provuan gjithçka që dinin, çdo gjë që kishin dëgjuar, nga arti antik i gjakosjes së pacientëve te administrimi i oksigjenit, në zhvillimin e vaksinave dhe serumeve(kryesisht kundër atij që sot e quajmë Grip Hemofilik – një emër i derivuar nga fakti se në fillim mendohej si një agjent etiologjik – dhe disa llojeve pneumokokësh). Vetëm një masë terapeutike, tranfuzioni i gjakut të pacientëve të shëruar te viktimat e reja, pati një farë suksesi.

George Whipple, më vonë laureat i Nobelit, studioi disa vaksina dhe serume dhe gjeti se ishin “pa përfitim terapeutik”. Por për disa vaksina ai tha se “të dhënat statistikore, për aq sa janë, tregojnë një mundësi...për disa vlera profilaktike”.  Disa vaksina bakteriale mund të kenë parandaluar pneumoni të caktuara bakeriale sekondare. Ndërkohë, publiku përdori receta shtëpie të çdo lloji. Asnjë nuk dha ndonjë efekt. Disa ndërhyrje jomjekësore ia dolën. Izolimi total, shkëputja e komunitetit nga bota e jashtme funksionoi nëse bëhej në kohë. Gunnison, një qytet hekurudhor në Kolorado, i madh mjaftueshëm sa për të patur një kolegj, ia doli të vetëizolohej. Kështu ndodhi në Fairbanks, Alaska. Samoa amerikane ia hodhi pa asnjë rast të vetëm, ndërkohë që disa milje më tutje, në Samoan Perëndimore, 22% e të gjithë popullsisë vdiq.

Edhe më interesante – dhe ndoshta më e rëndësishme – një studim i ushtrisë gjeti se izolimi si i viktimave të caktuara dhe komandave të tëra që ishin brenda tyre ushtarë të infektuar “dështoi kur dhe aty ku masat nuk u zbatuan me kujdes”, por “pati disa efekte...kur dhe ku u ndoqën në mënyrë rigoroze”.

Ndonëse izolimi vetëm sa e ngadalësoi virusin, ai kishte disa vlera. Një nga gjetjet më interesante epidemiologjike në vitin 1918, ishte se më vonë, gjatë valës së dytë kur dikush u sëmur, kishte më pak gjasa të vdiste dhe se sëmundja kishte më shumë gjasa të kalonte lehtë.

Kjo ishte e vërtetë në termat kohorë, pra sa vonë e goditi një zonë të caktuar vala e dytë dhe më kurioze, kjo gjë ishte e vërtetë edhe brenda një zone. Pra, qytetet e goditura më vonë prireshin të vuanin më pak dhe individët në një qytet të caktuar që u goditën vonë, prireshin po ashtu të vuanin më pak. Kështu qytetet e bregut perëndimor në Amerikë, të godituar më vonë, kishin shkallë vdekshmërie më të ulët sesa qytetet e bregur lindor dhe Australia që nuk u godit nga vala e dytë deri para vitet 1919, kishte shkallën më të ulët të vdekshmërisë mes vendeve të zhvilluara.

Sërish, ishte kurioz fakti se kur dikush sëmurej 4 ditë pas shpërthimit të epidemisë në një vend të caktuar kishte më shumë gjasa të zhvillonte një pneumoni virale që përparonte drejt Sindromës së Ankthit Akut Repirator sesa dikush që sëmurej 4 javë pas shpërthimit epidemik në po atë vend. Këta të fundit kishin po ashtu më pak rrezik të zhvillonin një pneumoni bakteriale sekondare apo të vdisnin prej saj.

Të dhënat më të sakta për këtë vijnë nga ushtria amerikane. Nga të 20 kazermat më të mëdha të ushtrisë, në pesë të prekurat fillimisht, thuajse 20% e të gjithë ushtarëve me grip zhvilluan pneumoni. Nga këta 37.3% vdiqën. Në pesë kazermat që u prekën të fundit – mesatarisht 3 javë më vonë – vetëm 7.1% të viktimave të gripit zhvilluan pneumoni. Vetëm 17.8% e ushtarëve që zhvilluan pneumoni vdiqën. Brenda secilit kamp u vu re e njëjta prirje. Ushtarët e goditur herët vdiqën në një shkallë më të madhe sesa ata që në të njëjtin kamp u prekën më vonë. 

Në mënyrë të ngjashme, qytetet e para që u goditën – Boston, Baltimore, Pittsburgh, Lousiville, New York, New Orleans dhe qytete më të vogla që u goditën në të njëjtën kohë – të gjitha vuajtën rëndë. Por në disa vende, njerëzit e goditur nga gripi vonë nuk po sëmureshin dhe nuk vdisnin në të njëjtën shkallë si ata të goditur në -3 javët e para.

Një nga studimet më të kujdesshme epidemiologjike të kësaj epidemie u krye në  Connecticut. Hetuesit vunë re se “një faktor që duket se afektonte vdekshmërinë ishte afërsia në kohë me epideminë origjinale në Neë London, zona ku epidemia u njoftua për herë të parë në  Connecticut...Virusi ishte më virulent dhe i transmetueshëm kur mbërriti në fillim në këtë shtet,  kurse më vonë u dobësua”.

I njëjti model u konfirmua në të gjithë vendin dhe në botë. Nuk ishte një parashikues rigoroz. Virusi nuk ishte asnjëherë tërësisht konsistent. Por vendet e goditura vonë prireshin të vuanin më pak. Një hipotezë e dukshme që mund të shpjegojë këtë dukuri është se kujdesi mjekësor u përmirësua teksa punonjësit e shëndetit mësuan si të përballonin sëmundjen. Por kjo hipotezë nuk i qëndron ekzaminimit. Në një qytet të caktuar, teksa epidemia përparonte, kujdesi mjekësor shpërbëhej. Doktorët dhe infermierët ishin të mbingarkuar me punë dhe të sëmurë për vete dhe  viktimat  - me gjasë një pjesë e madhe e tyre -  nuk morën kujdes nga faza e fundit e epidemisë.

Deri edhe në kampet e ushtrisë , ku mund të pritej komunikimi ms mjekëve nga një kamp në tjetrin, nuk dukej se kishte përmirësim në kujdesin mjekësor që mund të shpjegonte shkallën e ndryshme të mortalitetit. Një hulumtues i njohur hulumtoi në mënyrë të veçantë për të dhëna për përmirëism të kujdesit shëndetësor apo masa të mira parandaluese në kampet e ushtrisë dhe nuk gjeti ndonjë të tillë.

Një tjetër hipotezë shpjeguese, sipas të cilës se më të dobëtit u goditën në fillim, nuk qëndron. Që kjo hipotezë të jetë e vërtetë, amerikanët e bregut lindor duhet të ishin më të predizpozuar se ata në bregun perëndimor dhe amerikanët dhe europianoperëndimorët duhet të ishin më të predispozuar sesa australianët.

Por një tjetër hipotezë, ndonëse e gjitha spekulative, mund t’ia vlejë të eksplorohet. Nëse kthehesh pas dhe vëzhgon të gjithë SHBA-të, duket se njerëzit e infektuar në shtator dhe në fillim apo mes tetori vuajtën sulmet më të rënda. Ata të infektuar më vonë, në çdo pjesë të vendit, vuajtën më pak. Në kulmin e epidemisë, virusi duket se po pësonte mutacione të shpejta, me çdo kalim në njerëz që virtualisht e bënin atë më të dobët. Ne dimë se pas një vale të lehtë të pranverës, pas një kalimi të caktuar në njerëz, ai evoluoi drejt një virusi vdekjeprurës. Me gjasë pas disa kalimesh u bë më pak virulent. Kjo ka kuptim sidomos nëse virusi ishte ende i pamaturuar kur shpërtheu në shtator, nëse ai hyri në popullsinë njerëzore vetëm pak muaj përpara valës më vdekjeprurëse. Kjo hipotezë sugjeron disa fusha hulumtimi.

Shpërbërja sociale dhe mësimet për Shëndetin Publik

Në SHBA, qeveria lokale dhe ajo kombëtare si dhe autoritetet e shëndetit publik e menaxhuan keq epideminë, duke na ofruar kështu një rast studimor. Konteksti është i rëndësishëm. Çdo vend i angazhuar në Luftën I Botërore u përpoq të kontrollonte perceptimin publik. Për të shmangur dëmin moral, edhe gjatë valës së parë që ishte jo vdekjeprurëse, shtypi në vendet ndërluftuese nuk e përmendi epideminë(Spanja nuk ishte vend ndërluftues dhe shtypi i saj shkruajti për të, kështu që pandemia u bë e njohur si gripi spanjoll).

ShBA nuk bënte dallim. Në vitin 1917, senatori i Kalifornisë, Hiram Johnson për vëzhgimin qysh atëherë të famshëm se “Viktima e parë e luftës është e vërteta”. Qeveria e SHBA kaloi një ligj që dënonte me 20 vjet burg “artikulimin, shtypjen, shkrimin apo publikimin e çdo gjuhe jobesnike, profane, skandalisitike apo abuzive për qeverinë e SHBA”.

Mund të shkoje në burg për mallkimin apo kritikën ndaj qeverisë, edhe nëse ajo që thoshe ishte e vërtetë. U burgos një kongresmen. Në të njëjtën kohë, qeveria mbështeti një përpjekje masive propagandistike. Një nga akritektët e saj tha: “E vërteta dhe e pavërteta janë terma arbirtrarë...Nuk asgjë nga përvoja që të na thotë se njëra preferohet ndaj tjetrës...Forca e një ideje qëndron në vlerat frymëzuese. Ka pak rëndësi nëse ajo është e vërtetë apo false”.

Gërshetimi i kontrollit të rreptë me moskonsiderimin e së vërtetës pati pasoja të rrezikshme. Duke u përqendruar në termat afatshkurtër, zyrtarët lokalë përcollën thuajse të gjithë gjysmë të vërtetat ose gënjeshtra të hapura për të shmangur demoralizimin dhe përpjekjen në luftë. Ata u asistuan – jo sfiduan – nga shtypi, që ndonëse i paçensuruar në një kuptim teknik, bashkëpunoi me makinën propagandistike të qeverisë.

Rëndom, teksa gripi i afrohej një qyteti apo rajoni – mund ta shihje teksa marshonte nga një vend në tjetrin – zyrtarët lokalë në fillim i thoshin njerëzve të mos shqetësoheshin, se zyrtarët e shëndetit do të parandalonin sëmundjen që t’i godiste. Kur gripi shfaqej, zyrtarët zakonisht se ishte një grip i zakonshëm, jo gripi spanjoll. Teksa epidemia shpërthente, zyrtarët thuajse siguronin përditë publikun se më e keqja kishte kaluar.

Ky model përsëritej sërish dhe sërish. Çikago ofron një shembull: Komisioneri i Shëndetit aty, u shpreh se “nuk do të bënte asgjë për të prekur moralin e komunitetit...Është detyra jonë t’i mbajmë njerëzit larg frikës. Shqetësimi vret më shumë njerëz sesa epidemia”.

Kjo ide – frika vret më shumë se sëmundja – u bë një mantra kombëtare qytet pas qyteti. Siç këshillonte, Literary Digest, një ndër periodikët më të mëdhenj në vend: Frika është armiku ynë i parë.

Në Filadelfia, kur komisioneri i Shëndetit mbylli shkollat, shtëpitë e adhurimit, teatrot dhe të tjera vende publike, një gazetë shkoi aq larg saqë tha se ky urdhër “nuk ishte një masë për shëndetin publik” dhe ripërsëriti se “nuk ka shkak për panik apo alarm”.

Por teksa njerëzit dëgjonin kët risigurime, ata mund të shihnin fqinjët, miqtë dhe çiftet që vdisnin në mënyrë të tmerrshme. Në Çikago, shkalla e vdekshmërisë të të gjithë atyre që u pranuan për grip në spitalin Cook Coonty  - pra jo vetëm të atyre që zhvilluan pneumoni, oshte 39.8%. Në Filadelfia, trupat qëndruan në shtëpi, pa u mbledhur për ditë të tëra, derisa u dërguan kamionë me rimorkio apo qerre me kuaj që njoftonin njerëzit të sillnin trupat e të vdekurve. Trupat u hodhën pa arkivole në varre masive të hapura nga ekskavatorë me avull.

Kjo mospërputhje tmerruese mes risigurimeve dhe realitetit shkatërroi besimin e njerëzve tek autoritetet. Njerëzit ndjenin se nuk kishin ku të drejtoheshin, ku të mbështeteshin, ku të besonin. Në fund të fundit shoqëria varet nga besimi. Pa të, shoqëria nis të shpërbëhet. Normalisht në Amerikën e vitit 1918, kur dikush binte sëmurë, fqinjët e ndihmonin. Kjo nuk ndodhi gjatë pandemisë. Tipike është komenti i kreut të një trupe vullnetarësh në një qytet, i frustruar nga lutjet e përsëritura për ndihmë:

Me qindra gra që të kënaqura teksa ulen kanë ëndrruar për veten rolin e engjëjve të mëshirës, kanë patur vanitetin e kotë të të imagjinuarit se ato ishin të afta për sakrifica të mëdha. Asgjë nuk duket se i zgjon ato tani. Atyre u është thënë se ka familje ku të gjithë janë të sëmurë, në të cilat fëmijët po vuajnë urie sepse nuk ka kush t’i ushqejë. Shkalla e vdekjeve është kaq e madhe dhe ato qëndrojnë të strukura

Kjo sjellje persistoi edhe jashtë qyteteve. Në Kentakin rural, Kryqi i Kuq raportonte se “njerëzit po vdisnin urie jo nga mungesa e ushqimit, por sepse të shëndetshmit ishin goditur nga paniku dhe nuk shkonin pranë të sëmurëve”.

Teksa presioni nga virusi vazhdonte, një raport i brendshëm i Kryqit të Kuq konkludonte:

Një frikë dhe panik nga gripi, i ngjashëm me terrorin mesjtar të Vdekjes së Zezë ka qenë prevalent në shumë pjesë të vendit

Ngjashëm me këtë, Victor Vaughan, një shkencëtar i matur që nuk i jepet mbivlerësimeve shqetësohej se “nëse epidemia vazhdon shkallën e vet matematikore të përshpejtimit, qytetërimi mundej lehtësisht të zhdukej...nga faqja e dheut brenda pak javëve”.

Sigurisht që sëmundja gjeneroi frikë pavarësisht nga çdo gjë që zyrtarët bënë apo jo, por risigurimet e rreme të dhëna nga autoritetet dhe media, e shkatërruan besimin sistematikisht. Kjo e shumëfishoi frikën dhe e ktheu në panik dhe terror. Është e rëndësishme të vihet re se ky terror, të paktën në formën e vet paralizuese nuk duket se u shfaq aty ku autoritetet thanë të vërtetën. Një mësim është i qartë nga kjo përvojë: në menaxhimin e çdo krize, është absolutisht jetike të ruash besueshmërinë. Të japësh sigurime false është gjëja më e keqe që dikush mund të bëjë. Nëse mund të spekulloj, më lejoni të sugjeroj se thuajse po kaq keq sa gënjeshtra e hapur është edhe rezervimi i informacionit kaq shumë saqë njerëzit të mendojnë se zyrtarët dinë më shumë sesa thonë.

Vendi i origjinës

Ka shumë mundësi që ne të mos e marrim vesh kurrë me siguri se ku virusi i 1918-ës kaloi te njeriu. Në vitet ’20-‘30 të shekullit të kaluar, shumë hulumtues të shkëlqyer në disa vende nisën një rishikim masiv të të dhënave duke kërkuar për vendin e origjinës. Ata nuk mundet t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje. Por ata ishin unanimë në besimin se asnjë shpërthim në Kinë, nuk mundet siç u shpreh një prej tyre “të konsiderohej në mënyrë të arsyeshme si pararendësi” i epidemisë.

Ata konsideronin si vende më të mundshme Francën dhe SHBA dhe shumica ranë dakord me Macfarlane Vburnet, që konkludoi se evidencat “sugjeronin shumë” se pandemia e vitit 1918 nisi në SHBA dhe përhapja e saj ishte “e lidhur ngushtë me kushtet e luftës dhe sidomos me mbërritjen e trupave amerikane në Francë”.

Por nëse pandemia nisi në Francë apo SHBA nuk është me të vërtetë e rëndësishme. Ajo që ka rëndësi është se pandemia me shumë gjasa nuk nisi në Azi. Ky supozim ka implikime të rëndësishme për përpjekjet vëzhguese moderne. Ndonëse densiteti i popullsisë në Azi dhe afërsia mes njerëzve dhe kafshëve aty e bën rajonin veçanërisht të rrezikshëm, evidenca e 1918-ës – konfimuar nga shpërthimi i H7N7 në Europë në vitin 2003 – demonstron nevojën e mbikëqyrjes në mbarë botën.

Diçka tjetër duhet adresuar lidhur me survejancën. Një mjek që është aktualisht aktiv në shëndetin publik dhe që u diplomua në Honduras në vitin 1986 thotë se ai dhe kolegët e tij kishin mësuar se nuk ka ndonjë ndryshim mes një të ftohti dhe gripit. Ai beson se mjekët në Amerikën Qendrore dhe ndoshta gjetkë në botë, rëndom e injorojnë gripin. Është pra e qartë që nëse duam të kemi në sistem survejance të përshtatshëm, mjekët duhet të jenë në gatishmëri për sëmundjen.

Të dhënat

...

Ne kemi patur vetëm 3 pandemi në shekullin e 20-të. Kjo nuk është një bazë e mirë për të ndërtuar modele. Në fakt modeli i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve mbi atë se çfarë do të ndodhte në SHBA nëse një tjetër pandemi godet, parashikon se numri i të vdekurve do të jetë mes 89 000 dhe 207 000. E megjithatë vdekjet e dy nga tre pandemitë e kaluara dalin jashtë kësaj rrezeje parashikimi. Duke korrigjuar rritjen e popullsisë, vdekjet e 1968-ës ishin diçka më pak sesa skenari më i mirë, kurse 1918 afërsisht 800% më keq sesa skenari më i keq(Në vitin 1918 antibiotikët do ta kishin zvogëluar këtë hapësirë, por rritja e popullsisë së atyre me sistem imunitar të dëmtuar do ta balanconte disi përfitimin dhe rriste vdekjet).

Shtuar kësaj, ne nuk kemi përfituar nga të dhënat që kemi. Studimi i 1889-ës(dhe mjafueshëm të dhëna mund të gjenden mundësisht edhe nga pandemi më të hershme) 1918-ës, 1957—ës dhe 1968-ës mund të na tregojnë nëse ato ndoqën të njëjtin model, që në këmbim mund të na ndihmojë të përpunojmë strategji për përdorimin e antiviralëve dhe vaksinave.

Pandemia tjetër

Teorikisht çdo ekspert i gripit beson se një tjetër pandemi është e pashmangshme dhe se ajo do të vrasë miliona njerëz, mund të vrasë me dhjetëra milionë – një virus si ai 1918-ës apo H5N1, mund të vrasë me qindra milionë dhe më shumë – dhe se një gjë e tillë mund të shkaktojë shkatërrim social dhe ekonomik në shkallë masive. Vetë ky shkatërim mund të vrasë po ashtu.

Duke patur parasysh këto fakte çdo hulumtues laboratori dhe çdo zyrtar i sistemit shëndetësor i përfshirë me sëmundjet ka dy detyra: së pari të bëjë punën e tij apo të saj dhe së dyti të ndërgjegjësojë liderët politikë për rrezikun. Përgatitja ka nevojë për burime. Vetëm procesi politik mund t’i alokojë ato.

Shënim: Shkrimi në fjalë është shkëputur nga një workshop i Akademisë Amerikane të Shkencave në vitin 2005, titulluar: Kërcënimi nga pandemia e gripit. A jemi gati?

*Përkthimi(me disa shkurtime të vogla) dhe titulli: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.