Irani refuzon ofertën e SHBA-së për ndihmë ndaj pandemisë. Khamenei: Virusi, krijim i Amerikës
Lideri Suprem i Iranit ka refuzuar ofertën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar vendin në betejën e tij kundër koronavirusit. Në një fjalim televiziv, Ayatollah Ali Khamenei tha se SHBA-ja është "armiku më i keq" i Iranit, duke lënë të kuptohet për një teori konspirative, të shprehur edhe nga disa zyrtarë kinezë, se Amerika është përgjegjëse për pandeminë.
"Në nuk e di se sa e vërtetë është kjo akuzë, por nëse ekziston, kush do t’u besonte atyre për të sjellë ilaçe? Ndoshta ilaçi juaj është një mënyrë për të përhapur më shumë virusin", ka thënë ai, sipas BBC.
Pa ofruar prova, ai gjithashtu tha se virusi "është ndërtuar posaçërisht për Iranin duke përdorur të dhënat gjenetike të iranianëve që ata i kanë marrë me mjete të ndryshme". Edhe zyrtarë të tjerë iranianë kanë akuzuar Amerikën për hipokrizi në ofrimin e ndihmës ndërsa nuk pranuan të heqin sanksione të rënda ndaj tyre.
Irani është bërë një nga vendet më të goditura në botë që prej fillimit të shpërthimit të koronavirusit dhe ka regjistruar numrin më të madh të rasteve në Lindjen e Mesme - më shumë se 21 600. Numri zyrtar i vdekjeve gjithashtu është rritur në 1685. Por ka shqetësime se numri aktual i infeksioneve dhe vdekjeve në Iran është më i lartë.
Add new comment