Koronavirusi, ky vrasës i globalizmit që ne njohim

Postuar në 14 Mars, 2020 17:12
Philippe Legrain

 

Deri para pak kohësh, shumica e politikëbërësve dhe investitorëve dukeshin të vetëkënaqur për ndikimin e mundshëm ekonomik të krizës së koronavirusit. Deri në fund të shkurtit, shumica gabimisht supozuan se do të kishte vetëm një ndikim të shkurtër, të kufizuar, në mënyrë specifike për Kinën. Tani ata po e kuptojnë se e gjithë kjo po gjeneron një tronditje globale, e cila mund të jetë e fortë, por që ende shumë mendojnë se do të jetë e shkurtër. Po sikur ndërprerja ekonomike të ketë një ndikim që do të zgjasë në kohë? A mundet që, pandemia e koronavirusit të jetë gozhda në arkivolin e epokës aktuale të globalizmit?

Kriza e koronavirusit ka nxjerrë në pah dobësitë e integrimit të gjerë ndërkombëtar ndërkohë që frenon frikën e të huajve dhe bën legjitime kufizimet kombëtare mbi tregtinë globale dhe flukset e njerëzve.

Të gjitha llojet e bizneseve kanë kuptuar papritur rrezikun e të qenit të varur nga zinxhirët kompleksë të furnizimit global, që janë specifikë jo vetëm për Kinën, por për vende të veçanta të tilla si Vuhani, epiqendra e pandemisë. Populli kinez fillimisht - dhe tani italianët, iranianët, koreanët dhe të tjerët – po shiohen si vektorë të sëmundjes; politikanë të vjetër republikanë në Shtetet e Bashkuara madje e kanë etiketuar sëmundjen si "koronavirus kinez".

Ndërkohë, qeveritë e të gjitha kaheve janë nxituar të ndalojnë udhëtimet, kërkesat shtesë për viza dhe kufizime për eksportet. Ndalimi i udhëtimit për shumicën e të mbërriturve nga Evropa që presidenti amerikan njoftoi më 11 mars është veçanërisht i gjerë, por larg nga ai unik. E gjitha kjo po i bën ekonomitë më kombëtare dhe politikat më nacionaliste.

Pjesa më e madhe e kësaj ndaljeje mund të jetë e përkohshme. Por kriza e koronavirusit ka të ngjarë të ketë një ndikim të qëndrueshëm në kohë, veçanërisht kur të forcohen trendet e tjera që tashmë kanë nisur ta dëmtojnë globalizimin. Ajo mund të godasë zinxhirët e fragmentuar të furnizimit ndërkombëtar, të zvogëlojë superlëvizshmërinë e udhëtarëve të biznesit global dhe të sigurojë ushqim politik për nacionalistët që predikojnë më shumë proteksionizëm dhe emigracion të kontrolluar.

Zinxhirët kompleksë të furnizimit me qendër në Kinë, nga të cilët varen shumë kompani perëndimore, tani janë veçanërisht të rrezikuar. Avantazhi i kostos së prodhimit në Kinë ka pasur efekt gërryes në vitet e fundit ndërsa vendi është bërë më i pasur dhe pagat janë rritur. Këto rreziqe janë përmendur disa herë nga Presidenti Trump, i cili vendosi tarifave ndëshkuese për importet nga Kina në vitin 2018 dhe 2019, çka i bëri bizneset të nisin përpjekjet për të kërkuar alternativa.

Ndërsa marrëveshja e janarit shënoi një armëpushim të brishtë në luftën tregtare SHBA-Kinë, rreziqet e të prodhuarit në Kinë mbeten; të dy palët, si demokratët edhe republikanët e shohin gjithnjë e më shumë Kinën si një rival strategjik afatgjatë që duhet të frenohet. Dhe pa u ndërprerë mirë lufta tregtare, vjen koronavirusi. Mbyllja për një kohë të gjatë e shumë fabrikave kineze i ka ulur eksportet me 17 përqind në dy muajt e parë të vitit në krahasim me një vit më parë, dhe ai ka dëmtuar prodhimin e makinave evropiane, iPhone-ve dhe mallrave të tjera të konsumit.

Inercia është diçka e fuqishme. Dhe përparësitë e të prodhuarit në Kinë janë ende shumë, të tilla si shkalla e gjerë dhe logjistika efikase. Por kriza e koronavirusit mund të shënojë një pikë kthese, që do t’i bëjë shumë biznese të rimodelojnë zinxhirët e tyre të furnizimit dhe të investojnë në modele më të qëndrueshme dhe shpesh më lokale të prodhimit.

Një mundësi është të zhvendoset dhe të diversifikohet operacioni në ekonomitë e tjera aziatike, të tilla si Vietnami apo Indonezia. Një tjetër opsion është shkurtimi i linjave të furnizimit, me ndërmarrjet amerikane që lëvizin prodhimin në Meksikë dhe ato evropiane në Evropën Lindore ose Turqi. Një mundësi e tretë është të investohet në robotë dhe printera 3D brenda ekonomive të përparuara, duke prodhuar në vend më afër konsumatorëve.

Një pasojë e dytë afatgjatë e krizës së koronavirusit mund të jetë zvogëlimi i udhëtimeve për qëllime biznesi. Gurutë e teknologjisë kanë argumentuar prej kohësh se videokonferencat dhe aplikacionet e çatit do të eliminojnë nevojën për shumicën e udhëtimeve të biznesit dhe do t'u lejojnë shumë njerëzve të punojnë më shumë nga shtëpia. Megjithatë, deri në krizën e koronavirusit, udhëtimet e biznesit kishin vijuar rritjen, në dukje të pandalshme.

Tani, qoftë për shkak të ndalimeve të qeverisë, vendimeve të biznesit, apo kujdesit individual, të gjitha janë anuluar, por më së shumti ky anulim ka prekur udhëtimet ndërkombëtare, dhe ata që mund të punojnë nga shtëpia, janë gjithnjë e më të vendosur për të mos lëvizur.

Falë këtij vendimi të detyrueshëm për t’u zbatuar, bizneset mund të zbulojnë se disa takime ballë për ballë ndonjëherë janë të domosdoshme, alternativat teknologjike shpesh janë thjesht të bukura - dhe gjithashtu marrin më pak kohë dhe janë më pak të kushtueshme, si edhe dëmtojnë më pak jetën familjare. Dhe në një kohë të shqetësimit në rritje për ndikimin mjedisor të emetimeve të avionëve, dhe me shumë biznese të prirura për të theksuar angazhimin e tyre përmirësimin e klimës, ja ku vijnë një arsye mjedisore dhe një tjetër ekonomike që mund të ndikojnë në rënien e udhëtimeve të biznesit.

Ndoshta më i rëndësishmi është fakti se  kriza e koronavirusit çon jë në mullirin e nacionalistëve që kërkojnë kontrolle më të mëdha të emigracionit dhe mbrojnë  proteksionizmin.

Shpejtësia dhe shtrirja e përhapjes së virusit në të gjithë globin ka nxjerrë në pah faktin se sa të prekur janë njerëzit ndaj kërcënimeve të huaja në dukje të largëta. Koronavirusi nuk është përhapur vetëm në qendrat globale si Londra dhe Nju Jorku. Ai gjithashtu ka “fluturuar” direkt e në qytete periferike si Daegu, qyteti i katërt më i madh i Koresë së Jugut; azile në periferi të Siatëllit; dhe madje edhe qytete të vogla të tilla si Kastilione d’Ada (me popullsi 4 600 banorë) një nga 10 qytetet e Lombardisë që u karantinua ndër të parat nga qeveria italiane në shkurt.

Ndërsa liderët me prirje ndërkombëtare kanë ngritur zërin për nevojën për bashkëpunim ndërkufitar përballë një kërcënimi të paparë të përbashkët, veprimet e tyre shpesh ua kanë demaskuaretorikën. Shumë qeveri dukshëm liberale kanë vendosur në udhëtime dhe tregti kufizime më drakoniane se sa Trump guxoi të impononte në kulmin e konfliktit të tij me Kinën vitin e kaluar.

Jacinda Ardern, kryeministrja e majtë e Zelandës së Re, menjëherë u ndaloi hyrjen në vend udhëtarëve nga Kina që nuk janë qytetarë të Zelandës së Re. Ndërsa ndalime të tilla në dukje parandaluese mund ose nuk mund të përbëjnë garanci për shëndetin publik, ato ofrojnë një legjitimitet më të madh për ata që e shohin mbylljen e kufirit si zgjidhje për çdo të sëmurë.

Edhe brenda tregut të përbashkët europian pa pengesa, Franca dhe Gjermania kanë ndaluar eksportimin e maskave të fytyrës; një gjë jo e vogël kjo po të kemi parasysh qëndrimin liberal për politikat ndërkombëtare dhe përkushtimin ndaj BE-së të Presidentit Emmanuel Macron dhe kancelares Angela Merkel. Akoma më tronditës është fakti se asnjë nga 26 qeveritë e tjera të BE-së nuk i është përgjigjur thirrjes urgjente të Italisë për ndihmë mjekësore – gjë që Kina e ka bërë.

Duhet pranuar se kriza e koronavirusit ka ekspozuar edhe pavërtetësinë e pohimeve të nacionalistëve se politikat e tyre proteksioniste dhe antiemigracion i bëjnë njerëzit më të sigurt. Edhe pse koalicioni nacionalist që drejton qeverinë rajonale të Lombardisë drejtohet nga Lega e Mateo Salvinit, partia e ekstremit të djathtë, ajo nuk ka qenë e suksesshme në mbrojtjen e rajonit nga koronavirusi. As Trump, pavarësisht dëshirës së madhe për t’u shkëputur nga Kina, nuk ka qenë në gjendje të parandalojë arritjen e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, vetë Trump mund të paguajë çmimin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit për pasigurinë e tij dhe menaxhimin jo të mirë të një krize të shëndetit publik. Por në përgjithësi, kriza e koronavirusit është një dhuratë politike për nacionalistët dhe proteksionistët.

Ajo ka rritur perceptimet se të huajt janë kërcënim. Kjo do të thotë se vendet në krizë nuk mund të mbështeten gjithmonë te fqinjët e tyre dhe aleatët e ngushtë për ndihmë. Dhe duke parë Indinë që kufizon eksportet e barnave për shpëtimin e jetës të prodhuara nga sektori i saj gjigant farmaceutik, forcohet bindja e atyre që dëshirojnë të lokalizojnë prodhimin e të gjitha produkteve për arsye të sigurisë kombëtare. Në një shkallë më të gjerë, kjo krizë mund të forcojë ata që besojnë në qeverisje të fortë, duke i dhënë përparësi nevojave shoqërore mbi lirinë individuale, dhe veprimit kombëtar mbi bashkëpunimin ndërkombëtar.

Si rezultat, kriza e koronavirusit kërcënon të krijojë një botë më pak të globalizuar. Pasi të zvogëlohet pandemia dhe paniku, ata që besojnë se hapja ndaj njerëzve dhe produkteve nga e gjithë bota është përgjithësisht një gjë e mirë, do të duhet ta servirin këtë bindje në mënyra të reja dhe që ngjisin më shumë.

*Philippe Legrain është themeluesi i OPEN, një organizatë ndërkombëtare për çështjet e hapjes dhe një bashkëpunëtor i vjetër në London School of Economics’ European Institute. Ai ka qenë këshilltar ekonomik i presidentit të Komisionit Evropian nga 2011 deri në 2014, ai është autori i katër librave të vlerësuar nga kritika. 

 Foreign Policy

Përgatiti: Gazmira Sokoli/TvT 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.