Një shembull nga ShBA. A duhet të kalojë filmi në pronësi publike?
Smithsonian njofton së fundmi se ka vendosur të kalojë në pronësi publike 2.8 milionë foto dy dhe tri dimensionale nga koleksionet e veta. Në njoftimin e vet, Smithsonian bën me dije se ato u përkasin të 19 muzeumeve që janë nën këtë emër dhe mund të përdoren lirshëm prej kujtdo. Gjatë këti viti, instituti njofton se do të shtojë në këtë fond edhe 200 mijë foto të tjera.
Smithsonian u themelua në vitin 1846 nga qeveria e ShBA në administrimin e së cilës është edhe sot. Misioni: Përhapja e dijes.
Kjo është hera e parë që një vendim i tillë merret që nga krijimi dhe ai mund të shërbejë si një model për diskutimin edhe në vende të tjera.
Analogjia për Shqipërinë mund të vlejë për prodhimet e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, për të cilat ka edhe sot debat vetëm për një pikë: pagesën nga e drejta e autorit. Për të tjerat nuk ka pretendime.
Është e sigurtë se në kushtet e tanishme kjo e drejtë nuk zbatohet. Ajo është një përballje juridike e cila krijon protagonistë dhe nuk jep asnjë zgjidhje reale.
Patjetër që ky është një debat që ka palë interesash, por në fund filmi është pasuri dhe producent ka qenë shteti. Të paktën si ide ka një vlerë edhe për një arsye tjetër: sektori privat në Shqipëri në këtë fushë nuk mbijeton pa paratë publike. Madje edhe media kombëtare që kanë ndikim në pushtet në fund marrin përherë fonde publike dhe qoftë edhe në këtë kuptim, kalimi në pronësi publike është një zgjidhje që meriton të paktën të diskutohet.
Add new comment