Në kohët e tkurrjes së Perëndimit
Ndoshta ka ardhur koha të fillojmë të mësohemi me realitete të reja. Konferenca e Sigurisë e Mynihut, forumi kryesor për debatin mbi politikën ndërkombëtare të sigurisë, publikon një raport vjetor që diskutohet gjerësisht nga zyrtarë dhe ekspertë të vendeve të ndryshme. Titulli që mban këtë vit Raporti i Mynihut për Sigurinë është i habitshëm dhe deri diku alarmues. Ai i referohet fenomenit të "pa - Perëndimit" - ose ndryshe një botë më pak "perëndimore".
Ky sigurisht nuk është një debat i ri. “New York Times” e përshkroi konferencën e vitit të kaluar në Mynih si një rekuiem për Perëndimin. Dhjetëra artikuj, ligjërata dhe libra trajtojnë këtë çështje. Edhe ata që e larguan skepticizmin si profeci të parakohshme kanë filluar të dyshojnë te vetja. Atëherë, çfarë është “pa Perëndimin”? Para së gjithash, është ideja që të dyja njëkohësisht, bota dhe vendet "perëndimore" po humbasin terren. Qendra e gravitetit, si dhe kapitali, janë zhvendosur me shpejtësi në Lindje. Kjo është ndoshta një prirje e pashmangshme që nuk mund të kthehet mbrapsht.
Sidoqoftë, paradoksi është se në të njëjtën kohë, vetë Perëndimi po bëhet më pak "perëndimor". Kjo është vërejtur te Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Donald Trump, si dhe në kontinentin evropian. Drejtuesit që kanë zgjedhur të sfidojnë modelin tradicional perëndimor janë ata që janë më të fuqishmit për momentin. Ndërkohë, ndikimi i kampit rival është në dobësim e sipër (kancelarja gjermane Angela Merkel) ose në një krizë të thellë besueshmërie dhe larg qytetarëve mesatarë (Presidenti Emmanuel Macron në Francë ose demokratët në SHBA).
Perëndimi ka kaluar kohë të kriza të mëdha dhe dyshimeve të brendshme më parë. Por ne gjithmonë kemi pasur bindjen se përfundimisht do ta gjente rrugën e tij sërish, pasi historia priret të përsërisë vetveten. Faktori që luajti një rol vendimtar në krijimin e një optimizmi të tillë - thuajse metafizik - ishte premisa që establishmenti liberal amerikan do të gjente gjithmonë një mënyrë për ta nxjerrë Perëndimin nga çdo situatë pa rrugëdalje. Por tani ky establishment është në çrregullim dhe, më e rëndësishmja, ka humbur aftësinë për të kuptuar dhe folur me njerëzit e tij. Kjo është arsyeja pse ne kemi filluar të pajtohemi me atë që nuk e mendonim kohë më parë: një mandat të dytë për Trump-in. Një perspektivë e tillë do të thoshte pa dyshim fundi i Perëndimit siç ne e njohim. Ndërsa mallkimi kinez: “Jetofshi në kohë interesante” duket se po ngjit. Sigurisht që në kohë të tilla po jetojmë!
Kathimerini/TvT
Add new comment