Komisioni Europian prezanton më 5 shkurt metodologjinë e re për zgjerimin
Komisioni Europian pritet të prezantojë metodologjinë e re të zgjerimit më 5 shkurt. Të paktën këtë raporton media European Western Balkans që referon burime nga Parisi zyrtar dhe Brukseli. Prezantimi do të konsistojë në zbardhjen e draftit ndërkohë që për të marrë formën përfundimtare do të duhet të marrë konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.
Propozimi për reformimin e metodologjisë u bë fillimisht nga Franca në muajin tetor, pasuar mandej nga një propozim i dytë firmosur nga nëntë shtete anëtare. Ndryshimi kryesor mes të dy propozimeve qëndron në faktin se nëse Franca propozon hapjen e negociatave për kapituj të ndryshëm njëri pas tjetrit, pala tjetër propozon hapjen paralele të tyre.
Drafti i paraprin konferencës për Të Ardhmen e Europës sikurse edhe Samitit të Zagrebit për Ballkanin Perëndimor në muajin maj dhe me gjasë do të vendosë BE-në në një pozitë të unifikuar përballë rajonit tonë, të paktën sa i përket aspektit teknik.
Add new comment