Metamfetamina dhe Blitzkrieg

Postuar në 12 Janar, 2020 00:34
Peter Andreas - Watson Institute

 

Në librin e tij “Arti i Luftës” Sun Tzu ka shkruar se shpejtësia është “esenca e luftës”. Me këtë ai sigurisht nuk kishte në mendje amfetaminën, por padyshim që do të ishte befasuar nga efektet e saj psikoaktive në përballimin e luftës. Amfetaminat – të quajtura shpesh “pilulat gjallëruese”, “pilulat vepruese(go pills), “ngritëset”(uppers), “shpejtësi” – janë një grup drogash sintetike që stimulojnë sistemin nervor qendror, duke reduktuar lodhjen dhe urinë dhe duke rritur aftësinë e përballimit të pagjumësisë dhe një ndjesi mirëqenieje. Droga tipike e epokës industriale moderne, amfetaminat hynë relativisht vonë në historinë e substancave alteruese të mendjes – u komercializuan në kohën e duhur për konsum masiv nga fuqitë kryesore industriale gjatë Luftës II Botërore. Ajo luftë nuk ishte vetëm më shkatërrimtarja në historinë e njerëzimit, por gjithashtu edhe më e përmirësuara nga pikëpamja farmakologjike. Ishte literalisht e përshpejtuar nga shpejtësia.

Pak drogëra kanë përfituar një stimul më të madh nga lufta. Siç kanë shkruar Lester Grinspooon dhe Peter Hedblom në studimin e tyre klasik të vitit 1975, “Kultura e Shpejtësisë”(The Speed Culture):

LIIB solli ndoshta shtysën më të madhe të njohur deri më sot të përdorimit të këtyre pilulave në shkallë botërore, qoftë me autorizim mjekësor, qoftë përmes abuzimit në tregun e zi 

Forcat japoneze, amerikane dhe britanike konsumuan sasi të mëdha amfetamine, por ishin gjermanët adoptuesit e hershëm më entuziastë, duke përuruar dendjen me pilula në fushëbetejë gjatë fazave të para të luftës. Ideologjia naziste mbante qëndrim fondamentalist kundër drogave. Përdorimi social i tyre konsiderohej qoftë si dobësi personale, ashtu edhe një simbol i degradimit moral të vendit në vazhdën e humbjes poshtëruese në Luftën e Parë Botërore. Por siç ka treguar Norman Ohler në “Blitzed: Drogërat në Gjermaninë Naziste”:

Metamefetamina ishte një përjashtim i privilegjuar

Ndërkohë që drogëra të tjera ishin ndaluar apo përdorimi i tyre shkurajohej, metamfetamina propagandohej si një produkt i mrekullueshëm kur u shfaq në treg në fundin e viteve ’30. Në të vërtetë, kjo pilulë e vogël ishte droga perfekte naziste. “Gjermani zgjohu!”, kishin urdhëruar nazistët. Energjitizuese dhe përforcuese besimi, metamfetamina ngjiste me obsesionin e Rajhut III me superioritetin fizik dhe mendor. Në kontrast të fortë me drogëra të tilla si heroina, apo alkooli, metamfetaminat nuk përdoreshin për kënaqësi arratisëse. Më tepër ato merreshin për hipergatishmëri dhe vigjilencë. Arianët, që ishin mishërimi I perfeksionit njerëzor në ideologjinë naziste, mund të aspironin tani që të bëheshin supernjerëzorë – dhe këta supernjerëz mund të ktheheshin në superushtarë.

Ne nuk kemi nevojë për njerëz të dobët”, - deklaronte Hitleri. “Ne duam vetëm të fortët!”

Të dobëtit merrnin drogëra si opiumi për t’u arratisur, të fortët merrnin metamfetaminë që të ndiheshin edhe më të fortë. Kimisti gjerman Friedich Hauschild kishte dijeni për amfetaminën amerikane, Benzedrinë, qëkurse ajo u përdor si produkt doping në Lojërat Olimpike të Berlinit në vitin 1936. Një vit më pas ai ia doli të sintetizonte metamfetaminën, një drogë e afërt e amfetaminës, gjatë kohës që punonte për Temmler-Werke, një kompani farmaceutike me seli në Berlin. Kjo kompani nisi ta shiste metamfetaminën nën emrin tregëtar “Pervitin” në dimrin e vitit 1937. Pjesërisht falë fushatës publicitare agresive të kompanisë, Pervitini u bë mjaft i njohur brenda pak muajsh. Tabletat ishin shumë popullore dhe mund të bliheshin pa recetë. Dikush mundej madje që të blinte edhe çokollata të spërkatura me metamfetaminë. Por përdorimi më i rëndësishëm i drogës në fjalë do të vinte më vonë.

Dr. Otto F. Ranke, drejtor i Fiziologjisë Mbrojtëse, mbante shpresa të mëdha se Pervitini do të provohej i vlefshëm në fushëbetejë. Synimi u tij ishte mposhtja e armikut me ushtarë të përmirësuar kimikisht, ushtarë që do t’u jepnin Gjermanisë epërsi ushtarake duke luftuar më mirë dhe më gjatë sesa kundërshtarët. Pas testimit të drogës në një grup mjekësh ushtarakë, Ranke besonte se Pervitin do të “ishte një substancë e shkëlqyer për ngritjen e një skuadre të dërrmuar…”.

Ne mund të kuptojmë se çfarë domethënie ushtarake do të kishte nëse do të ishim në gjendje të eliminonim lodhjen natyrale duke përdorur metoda mjekësore

Vetë Ranke ishte një përdorues ditor, siç përshkruhet me hollësi në ditarin e tij të luftës dhe letrat.

Me Pervitin ti mund të punosh 36-50 orë pa ndjerë ndonjë lodhje të dukshme

Kjo i lejonte atij të punonte me ditë të tëra pa fjetur. Korrespondenca e tij tregonte se një numër përherë e më i madh oficerësh po bënin të njëjtën gjë – dendeshin me pilula për të përballuar kërkesat e punës së tyre.

Mjekët oficerë të Vermahtit ia dhanë për përdorim Pervitinin ushtarët të Divizionit III Tankist gjatë pushtimit të Çekosllovakisë në vitin 1938. Por ishte invazioni i Polonisë në shator të vitit 1939 ai që shërbeu si testi i parë ushtarak i drogës në fushëbetejë. Gjermania e nënshtroi fqinjin e vet lindor në tetor, në një operacion ku humbën jetën 100 mijë ushtarë polakë. Invazioni prezantoi një formë të re të luftës së industrializuar, Blitzkrieg. Kjo “luftë rrufe” bazohej mbi shpejtësinë dhe elementin e befasisë, duke kapur armikun pa përgatitur përmes shpejtësisë së paprecedentë të sulmeve të mekanizuara dhe avancimit.

Pika e dobët e strategjisë së Blitzkrieg ishin ushtarët, që ishin njerëz, jo makina dhe si të tillë vuanin nga lodhja. Ata kishin nevojë për pushim të rregullt dhe gjumë, që sigurisht e ngadalësonin përparimin ushtarak. Ky ishte rasti ku Pervitin hyri në skenë – një pjesë e shpejtësisë së Blitzkrieg erdhi literalisht nga shpejtësia. Siç e ka shprehur historian i mjekësisë, Peter Steinkamp:

Blitzkrieg u drejtua nga metamfetamina. Për të mos thënë se Blitzkrieg u bazua mbi metamfetaminën

Në fund të vitit 1939 dhe fillim të vitit 1940, Leo Conti, “Fyhreri i Mjekësisë së Rajhut” dhe të tjerë u ranë këmbanave të alarmit për rreziqet e Pervitin-it, çka solli që droga të jepej vetëm me recetë. Por këto paralajmërime në pjesën më të madhe nuk u morën parasysh dhe rregulloret e reja u injoruan gjerësisht. Përdorimi i drogës vazhdoi të zgjerohej. Në fabrikën e Temmler-Werke u kalua në mbiprodhim duke prodhuar më shumë se 833,000 tableta në ditë. Mes prillit dhe korrikut të vitit 1940, trupat në shërbim në Gjermani përdorën më shumë se 35 milionë tableta metamfetamine. Droga iu lejua madje edhe pilotëve dhe ekuipazhit tankist në formën e shufrave të çokollatës të njohura edhe si Fliegerschokolade (çokollatë fluturimi) dhe Panzerschokolade (çokollatë tanku).

Ushtritë kanë përdorour prej një kohe të gjatë substance të ndryshme psikoaktive, por ky ishte rasti i parë i përdorimit në shkallë të gjerë të një droge sintetike të përmirësimit të performancës, historian Shelby Stanton komenton:

Ata ia shpërndanë atë trupave në front. 90% e ushtrisë së tyre duhet të marshonte në këmbë, ditë dhe natë. Ishte më shumë se e rëndësishme për ta që të vazhdonin të shtynin gjatë Blitzkrieg që mandej të kishin një gjumë të mirë natën. E gjithë ajo ushtri e mallkuar ishte e bërë. Ishte një nga sekretet e Blitzkrieg

Blitzkrieg varej nga shpejtësia, duke shtyrë pa ndalim bashkë me trupat tankiste, ditën dhe natën. Në prill 1940, kjo çoi në rënien e shpejtë të Danimarkës dhe Norvegjisë. Muajin tjetër, trupat lëvizën drejt Hollandës, Belgjikës dhe në fund, Francës. Tanket gjermane mbuluan 240 milje në një terren sfidues, përfshirë pyllin e Ardeneve, në 11 ditë, duke anashkaluar forcat britanike dhe franceze që kishin llogaritur gabimisht se Ardenet ishin të pakalueshme. Parashuistët disa herë u desantuan para avancimit, duke krijua kaos në prapavjën e armikut; shtypi britabnik i përshkruante ushtarët si “të droguar keqaz, të patrembur dhe të tërbuar”.

Gjenerali Heinz Guderian, një ekspert në luftën tanikste dhe lider i invazionit, dha urdhërin që të shpejtohej drejt kufirit francez:

Unë kërkoj që ju të mos flini për të paktën 3 netë nëse kjo do të jetë e nevojshme

Kur ata kaluan kufirin drejt Francës, përforcimet franceze ishin ende rrugës dhe mbrojtja e tyre u përpi nga sulmi gjerman.

U shtanga”,- shkruante Çurçilli në kujtimet e tij. “Nuk e kisha pritur se do të përballesha…me kapjen e një vendit të tërë dhe linjave të komunikimit nga një inkursion i pandalshëm i mjeteve të blinduara…E pranoj se ishte një nga suprizat më të mëdhë që kam patur në jetën time”.

Shpejtësia e sulmit të linte pa gojë. Të eksituar me Pervitin, tankistët dhe artilierët gjermanë mbulonin terrenin ditë e natë, thuajse pa u ndalur. Komandantët e huaj dhe civilët kapeshin komplet në befasi. Disa përdorues raportuan efekte anësore negative të drogës. Gjatë invazionit në Francë, këto përfshinin një lejtnant kolonel në Divizionin i Panzer Ersatz që përjetoi dhimbje zemre pasi mori Pervitin katë herë në ditë për shumë javë; komandanti i Divizioni XII Tankist që u dërgua në spital pasi pësoi atak në zemër një orë pasi morë një pilulë; dhe shumë oficerë që pësuan atak në zemër jashtë detyrës pasi kishin marrë Pervitin.

Për shkak të shqetësimeve në rritje për potencialin e varësisë dhe efektet negative nga mbipërdorimi i drogës, ushtria gjermane nisi të kufizonte rezervën e metamfetaminës duke nisur nga fundit I vitit 1940. Konsumimi i saj ra ndjeshëm në vitet 1941-1942 kur establishmenti mjekësor pranoi formalisht se amfetaminat ishin adiktive. Megjithatë droga vijoi të shpërndahej si në frontin perëndimor ashtu edhe në atë lindor.  Temmler-Werke, prodhuesi i drogës, vazhdoi me po ato fitime, pavarësisht rritjes së vetëdjes për efektet negative në shëndet të saj.

Burimi: Time

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.